Dy ngjarje, dy reagime të Berishës dhe një mjegull 24 vjeçare

Postuar në 27 Tetor, 2019 17:15

Sa herë që ka një keqkuptim në politikë, apo ka një klimë ku shantazhi është vënë në veprim, në skenë dalin akuza të vjetra të cilat synojnë mjegullimin e gjykimit të opinionit, tërheqjen e vëmendjes dhe mbi të gjitha paralajmërimin e kundërshtarit. Këto javë në media, në “mënyrë të beftë” dolën në sipërfaqe çështja e dhunimit të dikurshëm të Edi Ramës, me fotot përkatëse, çështja e Remzi Hoxhës, por edhe ndonjë çështje aktuale, si kundërpeshë e tyre, e trajtuar në mënyrë evasive me fjali të tipit: kush është biznesmeni që…njeh Metën dhe Berishën?

Për rastin e parë, pra atë të rrahjes së Edi Ramës gjatë viteve ’90  e cila u përdor për t’i dhënë këtij të fundit kredencialet e një opozitari të devotshëm ndaj diktaturës berishiane, Sali Berisha reagoi në vetë të parë duke deklaruar se nëse do të vijohej me këtë histori ai do të tregonte të vërtetën e asaj ngjarjeje në sfond të së cilës sipas tij është pasioni.

Për ngjarjen e dytë, pra zhdukjen biznesmenit kosovar Remzi Hoxha në vitin 1995, Sali Berisha nuk ka folur. Ai i është përmbajtur përherë idesë se për të e ka njoftuar Adem Demaçi.

Mirëpo kjo dosje i tundet Berishës si flamur sa herë ka ndonjë problem. Kësaj radhe, djali i Remzi Hoxhës doli në një takim me mediat për të thënë se Edi Rama premtoi zbardhjen e vrasjes dhe nuk e bëri. Në kontekstin e mënyrës sesi është helmuar opinion me këtë ngjarje kjo tingëllon si një lloj kërcënimi për ish-presidentin Berisha të cilit i thuhet se e vërteta mund të zbardhet.

Për ta plotësuar këtë lojë politike, Top-Channel ka autorizuar një dokumentar të cilin e shpall se tregon të vërtetën e kësaj ngjarjeje. Flet aty Ardian Hoxha, Hashim Thaçi, Ziso Kristopulli, i përhershmi Fatos Klosi, por edhe prokurori i dikurshëm i çështjes, Brahim Lahi. 

I pari thotë se Remzi Hoxha u vra sepse dëshmoi takimin e Berishës me Millosheviçin në Ohër dhe takimin e Arkanit me Gazideden në Shkodër.

I dyti i referohet dëshmive të gazetarit Ali Uka dhe spekullon pa asnjë provë se Remzi Hoxha u vra pasi kishte filmuar takimin mes Berishës dhe Millosheviçit, material të cilin ia kishte kaluar Azem Hajdarit, që u vra edhe ai sipas Presidentit të Kosovës, për këtë shkak.

Ziso Kistopulli, që në këtë dokumentar ka pranuar të jetë edhe aktor, thotë atë që ka thënë: ai dëshmon takimet me Ilir Kumbaron, Arben Sefgjinin, Avdyl Loshajn dhe Budjon Meçajn. Por këto janë dëshmi që janë administruar nga prokuroria në vitet ‘2000 dhe që në thelb përforcojnë dyshimin se SHIK-u ka qenë i implikuar direkt në eliminimin e Remzi Hoxhës. Ish-prokurori Brahim Lahi thotë se në kohën kur ai hetonte, hetimet u bllokuan nga çdo anë, madje nga SHIK vinin përgjigje zyrtare se nuk ka dijeni për çështjen Hoxha.

Në fund Lahi thotë opinionin e tij: SHIK-u është përpjekur ta rekrutojë dhe i ka mbetur në dorë. Pra kemi të bëjmë me një aksident. Ky është një gjykim që meriton vëmendje për arsye sepse rrëzon përmes një arsyetimi logjik akuzat fantazmagorike se shërbimet serbe përdorën SHIK-un për të eliminuar Remzi Hoxhën.

Së pari një njeri i këtyre dëshmive si Hoxha, vështirë se do të vazhdonte i qetë biznesin e tij në Tiranë, ku edhe u rrëmbye.

Së dyti, një njeri i dëshmive të tilla nuk ka nevojë të rrëmbehet, por ekzekutohet. Spekullimi se atij i kërkohet materiali filmik është i paprovuar nga koha, pasi askush deri më sot nuk ka sjellë qoftë edhe një provë të vetme që të faktojë takimin e Ohrit. Nga ana tjetër, një person që ka në zotërim prova të tilla është në thelb i paprekshëm nga një pikëpamje, përderisa provat e tij janë kërcënuese dhe nuk lidhen me qenien e tij apo jo në këtë botë. Dhe në fakt këtë pretendon z. Thaçi në akuzat e veta.

Dokumentari mbetet në nivelin e pyetjeve dhe nuk arrin ta përmbyllë çështjen me konkluzione. Ai nuk sjell asnjë dokument të vetëm në mbështetje të tezave që qarkullon Thaçi, apo edhe Kristopulli që është viktimë. Dyshimet se ka shumë të vdekur për personat që janë marrë me këtë çështje nuk provojnë ndonjë gjë dhe ushqejnë po atë gazetari thashethemi që ka lulëzuar me trajtimin e regjimit komunist.

Çështja këtu është krejt tjetër: pse pushteti i sotshëm nuk do të zbardhë një çështje si kjo? Pse nuk do p.sh të zbardhë realisht edhe Gërdecin, apo 21 janarin?

Një arsye e qartë është sepse administrimi i të panjohurës publike është armë politike. Dhe çdo spekullim me këtë çështje krijon mjegullën e akuzës ndaj Sali Berishës.

I cili në ndryshim nga rasti i fotos së Ramës të dhunuar, nuk ka reaguar. Natyrshëm lind pyetja: çfarë di Sali Berisha për këtë rast?

A po hesht ai se është urdhërues siç e akuzon djali i Remzi Hoxhës, apo sepse po mbulon diçka? Apo mos vallë hesht sepse e gjithë linja e akuzave ndaj tij siç bëhet edhe në këtë dokumentar, janë aq larg të së vërtetës saqë i intereson që ata që e akuzojnë ta tjerrin vetë mashtrimin publik? Këto janë pyetjet të cilave dokumentari që pretendon se thotë të vërtetën nuk u përgjigjet. Intrigimi bajat i spektatorit me historitë klandestine të Ilir Kumbaros dhe Budjon Meçajt janë tipike të llojit të gazetarisë të atij televizioni që bën qimen tra. Pasi e vërteta mund të jetë fare banale dhe se dy operativët e SHIK, bashkë me Sefgjinin, mund të jenë mbrojtur nga Lart për arsye më të thjeshta sesa kjo që shërbehet si film policesk.

Re.Pu

Comments

Submitted by Zyber (not verified) on

Pra per arsye shteterore. A je ne terezi. Nuk ishte pule. Ishte njeri. Dhe duhet ta kerkojme te verteten sikur te ishte i fundit i species njerezore. Si mund te jete banale e verteta e vrasjes shteterore te nje njeriu. SHTETERORE.Po nji cik zemer nuk ke? Nuk ta uroj te te ndodhi megjithese irendon dheut nje si ty.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.