Njohja ndërkombëtare e regjimit politik në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore

Postuar në 15 Nëntor, 2014 16:52

Pushtimi fashist italian i 7 prillit 1939 shënoi pezullimin e ekzistencës së shtetit shqiptar si subjekt i së drejtës ndërkombëtare dhe të qeverisë së tij gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore. Disa prej Fuqive të Mëdha të asaj kohe si dhe shtete të tjerë e njohën pushtimin e vendit dhe ndërprenë marrëdhëniet me autoritetet “shqiptare” që u instaluan në vend nga pushtuesi i huaj. Përpjekjet e para për të plotësuar vakuumin institucional dhe për ta pajisur vendin me autoritete drejtuese që të përfaqësonin vullnetin autentik të shqiptarëve ose të shumicës së tyre, nisën me Konferencën e Pezës, që u mblodh më 16 shtator 1942, vazhduan me Kongresin e Përmetit, në maj të vitit 1944 dhe Mbledhjen e Beratit në tetor 1944 dhe u përmbyllën me formimin e organeve shtetërore pas zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945. Autoritetet që erdhën në krye të vendit vepruan për organizimin e jetës së shqiptarëve, përfshirë edhe afirmimin ndërkombëtar të Shqipërisë së Pasluftës, që u shtrua në formën e njohjes ndërkombëtare të qeverisë shqiptare. Kërkesa për njohje u adresua që me krijimin e qeverisë së përkohshme në mbledhjen e Beratit. 

Njohja ndërkombëtare e regjimit politik pas LDB, në disa nga vendet që u përfshinë në të ashtuquajturin “kamp socialist” është shtruar heraherës si njohje e shtetit, duke pasur parasysh se ato ndryshuan regjimin politik. Kjo mënyrë trajtimi është gjykuar e pambështetur, sepse përgjithësisht shtetet e kësaj “bashkësie” vazhduan të ekzistonin në hapësirat e tyre të mëparshme. Ata ishin njohur ndërkombëtarisht prej kohësh dhe nuk kishte motiv që të rishtrohej çështja e njohjes së tyre sërish si shtet. Edhe në rastin e Shqipërisë së Pasluftës nuk mund të flitej për njohjen e shtetit, sepse krijimi i tij ishte shpallur dhe zyrtarizuar juridikisht nëpërmjet vendimit të Kuvendit Kombëtar të Vlorës, më 28 nëntor 1912. Cikli formalo-juridik i njohjes konsiderohet i përfunduar pas pranimit nga Konferenca e Ambasadorëve të Londrës. Ajo që ndodhi dhe që konsumoi përpjekje të shumta, si nga Shqipëria ashtu edhe nga faktori ndërkombëtar, në vitet 1944-1955, kur Shqipëria u pranua në OKB, s’ishte gjë tjetër veçse një proces i tejzgjatur i marrjes së njohjes ndërkombëtare të një qeverie, që erdhi në pushtet nga pjesëmarrja në Luftën e Dytë Botërore, në atë që shqiptarët e njohin si Lufta Nacionalçlirimtare dhe që është një ndër faqet më të ndritura dhe më të lavdishme të historisë së tyre. Çështja u shtrua si njohje e një qeverie që ishte produkt i ndryshimeve jokushtetuese edhe pse në të vërtetë ajo që kishte ndodhur në Shqipëri ishte shumë më tepër se ndryshimi jokonstitucional i qeverisë. Bëhej fjalë edhe për ndryshimin e regjimit politik, çka teoria dhe praktika juridiko-ndërkombëtare, e ka trajtuar dhe e ka zgjidhur si njohje e një qeverie të ardhur në pushtet në rrugë ekstrakushtetuese. 

Në drejtim të Aleatëve të Mëdhenj, që ishin afirmuar si aktorët më të rëndësishëm të vendimmarrjes së Pasluftës, në emër të popullit shqiptar niseshin në ato kohë kërkesa për njohje ndërkombëtare nga forca të ndryshme politike. Nga njëra anë ishin drejtuesit e Luftës Nacionalçlirimitare që pretendonin me plot meritë rolin e përfaqësuesit autentik të popullit shqiptar, nga ana tjetër ishte Ahmet Zogu, kontributi i të cilit në kauzën e Koalicionit Antifashist ishte mjeran. Ishin nga ana tjetër përfaqësuesit e Ballit Kombëtar, pozita e të cilëve ishte gjithashtu dëshpëruese. Aleatët ndjeheshin të lodhur në përpjekjet për t’i detyruar këta të fundit që edhe ata të “hidhnin ndonjë pushkë” kundër nazi-fashistëve. Por ata, siç janë shprehur në shumë raste përfaqësuesit e misioneve aleate në Shqipëri, u bashkuan me pushtuesit nazifashistë. 

Kërkesa e parë për njohjen ndërkombëtare u bë më 21 dhjetor 1944 dhe ju drejtohej qeverive të Aleatëve të Mëdhenj. Ajo u përsërit më 4 janar 1945, u ribë sërish në shkurtin e atij viti, duke iu drejtuar Takimit të Jaltës, në verën e 1945 në drejtim të Konferencës së Potsdamit etj. 

Qëndrimi i Aleatëve dhe i shteteve të tjerë ndaj regjimit të ri politik të vendosur në Shqipëri pas Luftës, përgjithësisht ishte i rezervuar. Ai mbante parasysh pozicionet e tyre të mëparshme dhe zhvillimet në hapësirat shqiptare, çka u duk qartë në janarin e vitit 1942, kur u publikua Deklarata e Kombeve të Bashkuara, e cila e përjashtoi Shqipërinë nga kualifikimi si “komb i bashkuar” edhe pse ajo ishte ndër vendet e para që u bë preja e pushtimit fashist dhe u përfshi pa rezerva në luftë kundër tij. Ky qëndrim do të vazhdonte edhe me Deklaratat e tre Aleatëve për Shqipërinë, në dhjetorin e 1942, ku ata deklaruan se pas lufte do ta njihnin zyrtarisht shtetin e pavarur shqiptar. 

Çështja e njohjes së ndonjë qeverie shqiptare pas lufte, ka qënë shtruar në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale në strukturat politike të Departamentit të shtetit. Më 7 tetor 1944, kur dukej se Luftës po i  vinte fundi, në kuadrin e shqyrtimit të skenarëve që mund të zhvilloheshin për të ardhmen politike të Shqipërisë, në  Departamentin e Shtetit, u paraqit një studim për njohjen e qeverisë shqiptare. Ajo trajtohet në formën e një dileme se kush do ta merrte njohjen, Fronti Nacionalçlirimtar (FNÇL) apo një qeveri në emigracion. SHBA, duke mos dashur të kompromentonin qëndrimin e vet pro FNÇL, që identifikohej si organizatë komuniste as edhe idenë e braktisjes së shpresës për rikthimin e Zogut, propozonin që njohja të ofrohej në formën e një “qeverie të zonave të çliruara”, e “autoritetit të përkohshëm në zonat nën kontroll të Lëvizjes Nacionalçlirimtare”, “qeveri e përkohshme e gjithë vendit”, “grup rezistence që kontrollonte zona të caktuara të vendit.”  

Pas çlirimit Aleatët do të tregoheshin maksimalisht prudentë në termat e përdorur prej tyre në emërtimin e organeve shtetërore që vepronin në Shqipëri, me qëllim që në çdo lloj interpretimi që mund t’i bëhej dhe në çdo kontekst që të vendoseshin ato të mos linin të kuptohej asgjë më shumë se sa “autoritetet shqiptare”, “autoritete ekzistuese”, “autoritete kontrolluese”, “regjimi aktual shqiptar”, “regjimi shqiptar”, “regjimi i Hoxhës” etj. Në çdo rast, siç thuhet në dokumentacionin e arkivit të Departamentit të Shtetit të asaj kohe, qëndrimi do të kushtëzohej edhe me gatishmërinë e autoriteteve shqiptare për të aderuar në një program demokratik. Ishte kjo arsyeja pse ata kërkonin prej tyre që të kishin informacionin e duhur për zhvillimet politike, sociale, ekonomike dhe gjendjen e përgjithshme në vend, për karakterin përfaqësues të “autoriteteve ekzistuese”, për shtrirjen dhe ndikimin e tyre në jetën e vendit. Ndërkohë amerikanët kujdeseshin edhe që të ishin në të njëjtën linjë me aleatët e tyre britanikë dhe sovjetikë. Në vija të përgjithshme qëndrimi i të tre Aleatëve të Mëdhenj përsa i përkiste njohjes së qeverisë shqiptare ishte përcaktuar dhe dukej pak a shumë i njëjtë. Qeveria amerikane ngrinte me forcë çështjen e zhvillimit të zgjedhjeve të lira, lejimin e pranisë së përfaqësueseve të huaj gjatë votimit, gjyqet ndaj kriminelëve të luftës të mos përdoreshin për qëllime politike, të mos pranohej asnjë propozim që mund të avancohej për bashkim federativ me Jugosllavinë, përfshirë edhe Bullgarinë, as edhe pranimi i vendosjes nën ndikimin ose dominimin e ndonjë shteti tjetër, si dhe pranimin nga ana e autoriteteteve shqiptare të vlefshmërisë së marrëveshjeve bilaterale të periudhës së paraluftës. Edhe qeveria britanike përsëriste rëndësinë e zgjedhjeve të lira dhe respektimin e standardeve demokratike, praninë e vëzhguesve të huaj etj, por përmendte gati në çdo rast çështjen e kufijve të Shqipërisë, duke theksuar që akordimi i njohjes regjimit të Tiranës, nuk duhet të interpretohej si konfirmim i kufijve me Greqinë. 

Në 15 gusht 1945 Jakobsi i përcillte Sekretarit të shtetit dokumentin e titulluar “Përmbledhje e gjetjeve dhe rekomandimeve në lidhje me njohjen e “Qeverisë Demokratike të Shqipërisë”. Në seksionin e fundit, bëhej fjalë për njohjen dhe përsëriteshin kushtet dhe kufizimet e bëra të ditura edhe më parë. Trajtohet aty edhe çështja e bashkëpunëtorëve të fashizmit dhe të nazizmit dhe thuhet se nuk rekomandohet që t’i kërkohet regjimit aktual të lejojë kthimin në Shqipëri për të marrë pjesë në zgjedhje të refugjatëve që ndodhen jashtë vendit, qofshin politikë ose të tjerë. Këta refugjatë përfaqësojnë një minoritet të vogël shqiptarësh, nga të cilët fare pak janë patriotë të vërtetë, kurse shumica janë persona që kanë bashkëpunuar me pushtuesit italianë dhe gjermanë, të cilët ikën për t’i shpëtuar ndëshkimit të merituar. Në lidhje me kufijtë shqiptaro-grekë kërkohej që të bindeshin Greqia dhe Forin Ofisi që të përcaktonin dhe shprehnin publikisht qëndrimin e tyre politik, duke pranuar se nuk duhet të kishte ndryshime në kufijtë jugorë të Shqipërisë në favor të Greqisë, me përjashtim të ndonjë rregullimi që mund të bëhej në të ardhmen nëpërmjet ndonjë organizate ndërkombëtare. Flitej gjithashtu për minoritetet që ndodheshin reciprokisht në secilin krah dhe parashikohej si mundësi zgjidhjeje zhvendosja në vendin e tyre vetëm nëse ato do të dëshironin. Në Raport thuhet se i njëjti diskutim mund të bëhej edhe për kufijtë e Shqipërisë me Jugosllavinë, në rajonin e Kosovës, ku,siç thuhej, kishte afërsisht gjysëm milioni shqiptarë. Zgjidhja e kësaj çështjeje mendohej me cedimin e një territori të gjerë në Kosovë në favor të Shqipërisë dhe me transferimin reciprok të popullsive.

Trajtohej gjithashtu edhe përfshirja e Shqipërisë në Federatën e përgjithshme Ballkanike. Amerikanët mendonin se ajo mund të themelohej vetëm në se shtetet e interesuar të Ballkanit do të ishin dakord, duke u shprehur secili prej tyre pa u ndikuar nga jashtë. Fuqitë e Mëdha, Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Bashkimi Sovjetik si dhe Franca, e cila dukej se do të ndikonte mjaft në çështjet europiane, duhet të qëndronin mënjanë dhe t’i linin shtetet e Ballkanit të gjenin vetë zgjidhjen për këtë çështje.

Duket se në këtë kohë ishte maturuar mjaftueshëm mendimi për akordimin e njohjes regjimit politik në Shqipëri dhe po punohej për përcaktimin e disa çështjeve me karakter parimor dhe modaliteteve praktike. 

Pas një studimi gati tremujor që ishte ndërmarrë nga Jacobs në Shqipëri, lidhur me situatën reale në vend, ishte përgatitur një raport, i cili iu drejtohej tre qeverive aleate. Konkluzioni ishte se tre qeveritë janë të gatshme t’iu shprehin autoriteteve shqiptare dëshirën për të vendosur marrëdhënie diplomatike, me kusht që qeveria shqiptare të angazhohet për t’i zhvilluar zgjedhjet e pritshme në përputhje me parimet e përcaktuara në Deklaratën e Krimesë për Europën e Lirë. Ato duhet të konfirmojnë gjithashtu gatishmërinë për të njohur vlefshmërinë e marrëveshjeve shqiptaro-amerikane të paraluftës etj. Më 13 tetor, Sekretari i shtetit, në telegramin që i drejtonte  ambasadorit Harriman në Moskë, pohonte se akordimi i njohjes ndaj regjimit aktual në Shqipëri, të konsideruar si qeveri provizore, do të bëhej për shkak se ai gëzonte një mbështetje të madhe popullore, më shumë se çdo grup tjetër i opozitës, kishte kontroll efektiv në të gjithë vendin, jepte provat e aftësive për të marrë përsipër dhe për të realizuar funksionet e një qeverie si dhe të plotësonte detyrimet ndërkombëtare. Regjimi aktual, i cili u ngrit nga një Lëvizje e rezistencës efektive Proaleate, ka dëshmuar inisiativë dhe energji për problemet që kanë të bëjnë me rindërtimin dhe duket vërtetë se dëshiron përmirësimin e mirëqenies së popullit shqiptar.Njohja nuk duhej të pengonte as të paragjykonte ushtrimin e të drejtës së popullit shqiptar për zgjedhur formën e qeverisë që ai dëshironte.

Qeveritë e Aleatëve të Mëdhenj besonin se aksioni për njohjen e një qeverie shqiptare duhet të ndërmerrej në një moment sa më të shpejtë që të ishte e mundur si shprehje drejtësie ndaj popullit shqiptar, që ka vuajtur gjatë, ka luftuar shumë për lirinë e vet dhe ka duruar një status anormal për rreth 6 vjet. Çdo zgjatje e afatit për dhënien e njohjes do të kishte vetëm efekte dekurajuese për unitetin e shqiptarëve, duke zhvendosur vëmendjen e autoriteteve aktuale nga problemet e ngutshme të rindërtimit të brendshëm dhe duke e penguar atë nga e drejta e ligjshme e rifitimit të përfaqësimit të saj në bashkësinë ndërkombëtare. Për më tepër vazhdimi i pasigurisë aktuale në lidhje me statusin e Shqipërisë do të rrezikonte pavarësinë e saj, për të cilën ministrat e punëve të jashtme të Bashkimit Sovjetik, Britanisë së Madhe dhe SHBA, nëpërmjet deklaratave të dhjetorit 1942, kanë shprehur pa ekuivok dëshirën për ta parë atë të restauruar. Një gjë e till do ta bënte akoma më të vështirë rikthimin në marrëdhëniet normale paqësore ndërmjet shteteve të Ballkanit. Në njëfarë kuptimi ky ishte një vlerësim shumë pozitiv nga Fuqitë Aleate për autoritetet shqiptare dhe arritjet e tyre. 

Në zbatim të marrëveshjes paraprake ndërmjet Aleatëve të Mëdhenj, më 10 nëntor 1945, mbërriti në Tiranë nota e njohjes nga ana e qeverisë sovjetike, e cila u pasua nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike si dhe nga shkëmbimi i përfaqësuesve diplomatikë. Po atë ditë kryetari i misionit ushtarak anglez dhe zv.kryetari i misionit diplomatik të SHBA-së, i bënë një vizitë Kryeministrit, Enver Hoxha për të njoftuar se qeveria britanike dhe qeveria e SHBA-së, kishin vendosur gjithashtu ta njihnin qeverinë shqiptare dhe se notat përkatëse do të dorëzoheshin më vonë. Po, kur ato mbërritën, u pa se ishte fjala për një njohje që kushtëzohej nga zhvillimi i lirë i zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945, për Asamblenë Kushtetuese, nga konfirmimi i vlefshmërisë së traktateve që ishin më fuqi midis SHBA dhe Shqipërisë më 7 prill 1939 etj, kërkesa këto që ishin përsëritur vazhdimisht edhe më parë. Tirana ishte tepër e interesuar që të siguronte njohjen e qeverive amerikane dhe angleze, prandaj bëri përpjekje për të lehtësuar vendosjen e marrëdhënieve me dy Fuqitë e Madha Aleate të kohës së luftës, por pa sukses. Në vijim Shqipëria nuk u njoh as nga SHBA dhe as nga Anglia. Me këtë të fundit shkaku imediat dhe krejtësisht i shfaqur u bë incidenti i Kanalit të Korfuzit, i tetorit të vitit 1946. Do të duhet të kalonte gati gjysëm shekulli, që situatat dhe rrethanat të ndryshonin rrënjësisht për t’u hapur rrugën normalizimit të marrëdhënieve të Shqipërisë me Britaninë e Madhe dhe me SHBA, çka përkoi me fundin e regjimit komunist në Shqipëri.

Përsa i përket marrëdhënieve me vendet e tjera regjimi i ri politik i vendosur në Shqipëri pas Lufte, u përpoq të ecte drejt normalizimit dhe zgjerimit të tyre. Gjatë vitit 1945 qeverisë demokratike i akorduan njohjen de jure qeveritë e Francës, Bullgarisë, Polonisë, Çekosllovakisë dhe Jugosllavisë. Ky numër do të rritej në vijim. Procesi i njohjes do të ecte edhe në drejtim të anëtarësimit apo pjesëmarrjes, sipas rastit, në organizatat ose konferencat ndërkombëtare në të cilat Shqipëria kishte interes. Përpjekjet kryesore ishin fokusuar sidomos në dy drejtime kryesore, pjesëmarrja në Konferencën themeluese të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në San Francisko, prill-qershor 1945 dhe më pas anëtarësimi në këtë organizatë dhe paralel, pjesëmarrja në forumet që po përgatisnin Konferencën e Paqes në Paris, 1946, që do të miratonte Traktatin e Paqes me Italinë, si dhe pjesëmarrja në konferenca ose organizma të tjera siç ishte Konferenca e Reparacioneve nga Gjermania, Paris 1945 etj. Për një varg rrethanash Shqipëria u la pa të drejtë jashtë takimeve për themelimin e OKB dhe u trajtua ndryshe nga vendet fqinjë, Greqia e Jugosllavia. E zuri vendin e vet në OKB vetëm në vitin 1955. Ky fakt si dhe rritja modeste e numrit të njohjeve dhe vendosja e marrëdhënieve me disa shtete dhe organizata ndërkombëtare, bëri që aty nga fundi i viteve ’50 çështja e njohjes së qeverisë shqiptare të konsiderohej e zgjidhur.

"Java"

http://www.revistajava.al/dossier/20141111/njohja-nderkombetare-e-regjim...

 

Comments

Submitted by Dybeku (not verified) on

<p>Shkruan zoteria:&nbsp;</p><p><span style="font-family: sans-serif;">&quot;Pushtimi fashist italian i 7 prillit 1939 shënoi pezullimin e ekzistencës së shtetit shqiptar si subjekt i së drejtës ndërkombëtare dhe të qeverisë së tij gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore. Disa prej Fuqive të Mëdha të asaj kohe si dhe shtete të tjerë e njohën pushtimin e vendit dhe ndërprenë marrëdhëniet me autoritetet &ldquo;shqiptare&rdquo; që u instaluan në vend nga pushtuesi i huaj. Përpjekjet e para për të plotësuar vakuumin institucional dhe për ta pajisur vendin me autoritete drejtuese që të përfaqësonin vullnetin autentik të shqiptarëve ose të shumicës së tyre, nisën me Konferencën e Pezës, që u mblodh më 16 shtator 1942, vazhduan me Kongresin e Përmetit, në maj të vitit 1944 dhe Mbledhjen e Beratit në tetor 1944 dhe u përmbyllën me formimin e organeve shtetërore pas zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945&quot;.</span></p><p><span style="font-family: sans-serif;">Cdo te thote vullnet autentik ne kuptim te se drejtes nderkombetare? Pyetja ka shume rendesi, sepse ketu me shume sesa analize e fakteve, behet analiza me premise te deshires. Ne 12 prill u be bashkimi personal me kuroren e Italise dhe Shqiperia ishte pjese konstituev e perandorise, e cila njihej nga te gjithe. Kete nuk duhet ta anashkalojme kurrsesi, sepse duke shmangur kete lidhje te vazhduar juridike, hapim gropen e madhe te rehabilitimit te shume figurave. Dhe zoteria ndoshta vetem ketu shfaqet si avokat; pra teksa ben patriotin, shkel syrin ndaj fakteve qe nese thuhen e percaktojne mire anen e duhur te historise, e cila nuk ka vend per asnje te penduar. Ndaj z. Krisafi, shkrime si keto jane shume te vjetra.&nbsp;</span></p>

Submitted by kriselda (not verified) on

po me shkurter ti jepnit

Submitted by Albani@hotmail.fr (not verified) on

1 FRANCE
2 ITALIE
3 TURQUIE
4 AFEKISTONIE
5 ALBANIE
6 COSE TE RICA
7 PAKSTONIE
8 CORÉE DU SUD
9 PORTUGAL
10 JAPON
11 POLONIE
12 SOUEDE
13 CANADA
14 NORVÈGE
15 BELGIQUE
16 HONGRIE
17 PAYS BAS
18 ISRAËL
19 IRELANDE
20 FINLANDE
21 ISLANDE
22 DANEMARK
23 BULERUSSIE
24 ANDORRE
25 ARABIE SOUHAITE
26 QATAR
27 JORDANIEN
28 LIBYEN
29 AFRIQUE DU NORD
30 LIBERIA
31 MALIZE
32 AUSTRALIE
33 AUSTRICHE
34 SUISSE
35 SLOVÉNIE
36 CROATIE
37 ALLEMAGNE

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.