Roli i ambasadorëve dhe … dy anët e medaljes

Postuar në 21 Korrik, 2012 01:52
Mustafa Nano

Kjo që ndodh tek ju nuk ndodh në asnjë vend thjetër, i tha Rudina Xhungës ambasadori holandez, Henk van den Dool që është duke e lënë këtë vend; është në fund të mandatit të tij ambasadorial. Por çfarë i ka bërë përshtypje kaq shumë ambasadorit? I ka bërë përshtypje që atë e ftojnë të japë intervista e që opinioni i tij është i rëndësishëm për publikun shqiptar. Po e citoj në mënyrë tekstuale çfarë ai tha lidhur me këtë argument: “Fakti që unë jam këtu duke dhënë një intervistë për ju, është një gjë shumë e veçantë; në Shqipëri ju keni tendencën që t’u jepni ndërkombëtarëve dhe vëzhguesve të huaj shumë hapësira; këto katër vite unë kam pasur kontakte me gazetarë dhe kur kam ndjerë se kam dashur të jap një mesazh, unë [s’kam hequr fare për të gjetur] një hapësirë për të thënë atë që doja, qoftë në televizion apo median e shkruar. Dhe kjo është një gjë shumë e pazakontë për vendet e tjera. Kjo gjë të bën një personalitet të njohur deri në pikën, që kur shkoj të shtunave të bëj pazar në supermarket, njerëzit më njohin. Nuk e kam përjetuar këtë gjë në asnjë vend tjetër ku kam shërbyer, përveç Shqipërisë.”

Këtë gjë ma kanë thënë privatisht dhe do ambasadorë të tjerë, të cilët fillimisht kapen në befasi nga kjo dukuri, s’ka gjë se duhet të jenë përgatitur përpara se të vënë këmbë në Shqipëri nga paraardhësit apo nga eprorët e mirinformuar mbi atë që ndodh këtejpari me ambasadorët, për ambasadorët, rreth ambasadorëve. Ata nuk janë mësuar të kryejnë atë rol që u takon të luajnë në Shqipëri. Ambasadorët (duke përjashtuar në një farë mënyre ata amerikanë, të cilët në vende si ky i yni e kanë të nakatosur ‘ex officio’ – janë superfuqi e kanë përgjegjësi për fatet e botës – profesionin e diplomatit me atë të politikanit) nuk shquhen për protagonizëm; madje, nuk e kanë të këshillueshme të jenë protagonistë; përkundrazi, e kanë të këshillueshme të jenë me profil të ulët publik e të operojnë në prapaskenë. Ambasadorët janë rëndom njerëz të kthinave, të korridoreve, të negociatave me zë të ulët, larg syve të botës, larg kamerave, ndërsa këtu, atyre u duhet të jenë gjithë kohën në skenë, të marrin kontakte e të bëjnë PR, të përcjellin mesazhe pa fund, të japin intervista, e të rivalizojnë me personazhet publikë lokalë. Ata mezi marrin frymë në Tiranë: moderatorët e talk-show-ve vihen në garë për t’i patur si të ftuar në studiot e tyre, reporterët grinden për t’u marrë një intervistë të shkurtër, dobare një prononcim, boss-ët e gazetave e të televizioneve çfarë s’do të jepnin për të fituar vëmendjen e tyre, politikanët tanë rëndom nursëzë, xanxarë e mujsharë marrin poza jargavitëse përballë tyre, kryeredaktorët e ditarëve televizivë nuk harrojnë kurrë t’i shndërrojnë në lajme vërdallosjet e çaprashitjet ditore të tyre, etj., etj. E dini? Jam i prirur të besoj se, sikur të bëhej një anketim bazuar në pyetjen se ‘kush është mashkulli më ndjellës e joshës në Shqipëri’, tre a katër ambasadorë do të ishin me siguri në dhjetëshen e parë; e kam thënë dhe njëherë tjetër, se ata duhet të jenë tanimë pjesë e fantazive erotike të grave tona. Fjala vjen, Arvizu-ja. Kur shfaqet në mënyrë jo dhe aq ambasadoriale, me mëngë të përveshura e me llërë të zbuluara, apo kur ndjell si me magji gazetaret e reja të TV-ve me mikrofonat tinëzisht fallikë që ia afrojnë tek goja, nuk ka grua t’mos mendojë se Arvizu-ja është cool, too cool.

Nuk është se po flas me qesëndi në këtë mes. Thellë-thellë nuk e kam me ta. Nuk kam se ç’të kem me ta. Ata janë aty për të mbushur një boshllëk të frikshëm që është krijuar për shkak të pafuqisë sonë për t’u vetqeverisur e për të ndërtuar ca institucione të pavarura që kanë për detyrë të ‘arbitrojnë’ jetën nacionale, dhe për shkak të mosbesimit e dyshimit që ne kemi tek këto institucione, më së pari e më së shumti, tek ‘institucioni’ i zgjedhjeve; ata janë aty (edhe) si kundërpeshë ndaj kontrollit të shpërpjestimuar të jetës politike e shtetërore nga ana e ekzekutivit, e kështu për të garantuar në një farë mënyre e në një farë mase lojën check&balance mes pushteteve. Këtë bën Arvizu-ja kur shkon në krahun e majtë të kryeprokurores në një konferencë për shtypin, kur hyn gjithë tërsëllëm në sallën e numërimit të votave, kur vë në lëvizje KQZ-në për referendumin, kur mungon në sallën e Kuvendit gjatë votimit presidencial, kur kërkon transparencën e vendimmarrjes nga ana e bashkisë së Tiranës, etj, etj. E njëjta gjë ndodh kur Sequi kërkon respektimin e frymës së kushtetutës në zgjedhjen e Presidentit, kur Karsten Ankjaer Jensen nënvizon se “një numër politikanësh shqiptarë hapur shesin mend me pasurinë e tyre, të cilën çdokush e di që nuk mund ta kenë fituar me punë të ndershme”, kur Henk van den Dool thotë se mbeti syshqyer nga mënyra se si u administruan zgjedhjet më 8 maj në Tiranë. Të gjithë këta pra në këto raste nuk bëjnë gjë tjetër, veçse përpiqen – ndoshta pa e ditur, pa e synuar, e shpesh pa e arritur, një gjë të tillë – të vënë pak drejtpeshim në botën tonë institucionale.

Por çalltisjet e kohëve të fundit të ambasadorit danez e holandez i kanë nxjerrë ata në një dritë tjetër. Këta dy të fundit janë vënë në rolin e intelektualit publik, të publiçistit, kanë bërë qortime e denoncime që do t’u kishin hije gazetarëve, shkrimtarëve, sociologëve apo veprimtarëve e agjentëve civilë të shoqërisë shqiptare. Janë bërë pra pjesë e ndërgjegjes kritike të shoqërisë sonë (po të lexohen me kujdes intervistat e fundit të këtyre ambasadorëve, do të gjendet në to një kuturisje prej scholar-i për të zhbiriluar në ethosin kolektiv të shqiptarëve, për të nxjerrë në evidencë pjesët e prishura të këtij ethosi, për të denoncuar sjellje të klasës politike, për të inkurajuar shoqërinë civile në rezistencën që bën, etj, etj, gjë që janë funksione të elitës kulturore e intelektuale të një vendi). Dhe ky fakt është shenjë e një boshllëku të madh në botën shqiptare, është shenjë e faktit pra që elita e këtushme është e fokusuar në ca punë e hesape të vetat meskine, që u është dorëzuar ca ngasjeve banale e që është familjarizuar me rendin e ndyrë të gjërave.

Comments

Submitted by Reformer (not verified) on

Pjesa qe qeveris, pra maxhoranca, ka avancuar aq shume ne shkeljen e ligjit te shoqeruar me nje demagogji dhe genjeshtra te hatashme, sa qe te mjeret shqiptar kerkojne nuk dine se kujt ti drejtohen per te bere drejtesi dhe per te vendosur te drejten ne kete vend.

Submitted by letrar (not verified) on

"...Këtë bën Arvizu-ja kur shkon në krahun e majtë të kryeprokurores në një konferencë për shtypin, kur hyn gjithë tërsëllëm në sallën e numërimit të votave.."

Me kete nuk jam dakord z.Mustafa. Arvizuja hyri ne ate salle numerimi qe te legjitimonte vjedhjen e nje mandati. Ishte i pari qe tha "mund te mos mbaroj sonte, se gara esht aq e ngusht sa mund tu drejtohen gjykatave".

Dhe pikerisht ashtu ndodhi. Po nejse.. Kete e dine te gjithe, besoj edhe ju Mustafa, por puna eshte qe po denoncove dhe ambasadoret, ku te fitesh ne kete vend ku ta marrin jeten rrugacet? Keshtu qe mos ia permendni Arvizus as kete, as "yllin ne ngjitje", e as viktimat e 21 janaruit qe "vriten dhe ne Amerike"

Submitted by Luani (not verified) on

Do te me pelqenin shkrimet e blogut ResPublika.al, kur te prononcoheshin me komente te majtet e te djathtet, por ketu angazhohen vetem te majtet, te mberthyer nga lufta e klasave ala hoxhiste.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.