Fotot me Arben Frrokun, Berisha shmang komentet

Postuar në 01 Mars, 2013 07:12

 

  • Fotot e zyrtarëve të Policisë, Rama: Berisha dhe Noka të japin dorëheqjen.
  • Berisha: Ministria e Brendshme dhe Prokuroria e Përgjithshme ka të gjitha mekanizmat për tëzbardhur të vërtetën.

     

Publikimi i fotove të zyrtarëve të lartë të Policisë së Shtetit me Arben Frrokun, të dyshuar për vrasjen e kryekomisar Lamaj, ka sjellë reagimet e politikës. Kryeministri Berisha dhe kryesocialisti Edi Rama janë përplasur në distancë duke vijuar akuzat e ndërsjella. Kreu i mazhorancës Sali Berisha shmangu dje komentet rreth fotove që janë publikuar në media ku zyrtarët më të lartë të Policisë së Shtetit kanë dalë me të dyshuarin për vrasjen e kryekomisar Lamaj, Në një prononcim për media, kryeministri Sali Berisha do të vlerësonte figurën e kryekomisarit të rënë në krye të detyrës, ndërkohë që garantoi familjarët dhe qytetarët për zbardhjen e së vërtetës rreth kësaj vrasjeje. "Për rënien në detyrë të komisarit Dritan Lamaj kam shprehur të gjithë vlerësimin dhe konsideratën time. Një gjë është e sigurtë që policia iu përgjigj flakë për flakë dhe më shpejt se kurrë identifikimit të autorëve të këtij krimi të shëmtuar. Ministria e Brendshme dhe Prokuroria e Përgjithshme ka të gjitha mekanizmat për të zbardhur çdo të vërtetë rreth këtij krimi. Ata po punojnë dhe unë kam besim të plotë. E theksoj se Ministria e Brendshme ka të gjitha potencialet për të zbardhur çdo element rreth vrasjes në krye të detyrës të komisarit Dritan Lamaj", tha Berisha. Vetëm pak orë pas kësaj deklarate, nga selia rozë kryesocialisti, Edi Rama, një konferencë për mediat akuzoi Policinë e Shtetit, si kupolën më të rrezikshme të krimit të organizuar në vend. Kryesocialisti Edi Rama kërkoi dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm Flamur Noka, drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit Hysni Burgaj dhe zv. drejtorit të Përgjithshëm Kuliçaj. “Historia e fotografisë së djeshme është rrënqethëse. Jo vetë fotografia, që mund të ishte krejt e rastësishme si shumë fotografi në këtë botë. Por historia që pasoi me alibinë e turpshme të zv.Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë e me radhë të të tjerëve, është një kulmim i degjenerimit të shtetit ku realisht nuk gjenden më fjalë. E pra, alibia e djeshme e Kuliçit famëkeq dhe deklarata e mëpastajme e Burgajt hileqarjanë, mishërimi i tradhtisë ndaj Policisë së Shtetit, ndërsa heshtja e ministrit të Brendshëm është kapaku i një historie, që duhet të vazhdojë me dorëheqjen e të treve minimalisht. Edhe të ministrit, edhe të drejtorit të përgjithshëm, edhe të zëvendësdrejtorit të përgjithshëm”, theksoi Rama. Në fjalën e tij, lideri i opozitës u shpreh se shteti është tërhequr nga krimi në bashkëpunim me kupolën drejtuese të policisë. Për kryesocialiastin, PS-ja disponon të dhëna se merren para edhe për shkarkimin e kryekomisarëve dhe zëvendësimin e tyre me militantë. Publikimi i fotos nga mediat, ku duken qartë zyrtarët e lartë në një tavolinë me të dyshuarin Arben Frroku, ka sjellë edhe dorëheqjet e para nga grupi hetimor.

Taulant Balla, deputet

Fotografia është bërë me 21 tetor 2012, ndërkohë që Lamaj është shkarkuar nga pozicioni i kryekomisarit 17ditë më pas.
Nuk ka asnjë dyshim se kjo drekë është dreka qe ka shkarkuar kryekomisarin nga pozicioni i tij në Kombinat. Ministri duhet
të japë urgjentisht dorëheqjen.

Flamur Noka, ministër i Brendshëm

Keni 24 orë që keni inspiruar një fushatë të gjerë politike për të denigruar procesin, shkatërruar procesin e keni bërë ju për arsyet tuaja dhe qëllimet që i dini mjaft mirë. Kjo është foto normale, po të merrem më fotot tuaja, duhet të lini vendin, jo Kuvendin.

Piro Lutaj, anëtar i Komisionit të Sigurisë

Krimi tashmë, i kalkulon vrasjet në mënyrë periodike mbi figura simbolike të "SHTETIT"! Ai nuk ka mbetur thjesht te vrasjet e shpeshta te qytetareve apo policeve te thjeshtë, por e ka ngritur shënjestrën mbi deputete, te zgjedhur vendore dhe komisarë te larte Policie!

Luan Skuqi: Mos përdorni politikisht fatkeqësinë

 

 

Jemi në muajin fundit të këtij mandati dhe do të ishte e udhës që të gjitha palët ta përdorin këtë tribunë për të justifikuar sjelljen tonë politike. Prandaj, është e pavend, që në kushtet e alarmit që ka zënë opozitën, e trembur nga rezultati i 23 qershorit të përdori fatkeqësitë për të rritur kredencialet e saj, e aq më tepër për të përdorur fotografi të cilat mund t’i ndodhin kujto që të dalë në kushte të caktuara për të akuzuar segmente të rëndësishme të shtetit shqiptar. Nga radhët tuaja janë kapur makina me drogë të deputetëve.

Ilir Gjoni: Mafia e lidhur me pushtetin

 

 

Në atë çka po ndodh sot me situatën e sigurisë vihet re frikshëm një karakter strukturor i lidhjeve mes mafies dhe pushtetit. Në pushtetin e mafies ka disa komponentë thelbësore, ndër to më i spikaturi është përdorimi i prerogativës së "sovranitetit". Hyn sidomos në komponentin e përdorimit të dhunës që është e drejtë ekskluzive e shtetit, siç janë dhe akumulimi ekonomik dhe pa dyshim pesha politike.

 

Informacioni

Brenda gjashtë muajve të fundit, Lamaj është i treti oficer policie i cili vritet. Në 25 shkurt , kryekomisari u vra teksa ishte duke udhëtuar i vetëm me automjetin e tij. Tonin Vocaj, Agron Kulicaj, Tonin Vocaj dhe Muhamet Rrumbullaku shfaqen në një foto me Arben Frrokun.

 

Akuzat

 

Balla: Do të kishte qenë në nderin e këtij parlamenti që 4 ditë pas vrasjes së një kryekomisarit, Kuvendi ta kishte nisur seancën me 2 min heshtje të atij punonjësi shteti të vrarë. Topalli: në 2005 bashkë me kryetarin e kanë masakruar nëpër konferenca shtypi këtë komisar që sot nuk jeton. Balla: Manushaqe, manushaqe mbylle gojën. Topalli: Ti je i paguar me ata klientat që ia vesh Sali Berishës. Bejtja: në fakt këtu doja kryetaren se kisha një pyetje për atë, nuk e di do jem apo s`do jem më deputet mandatin tjetër. Turku: Po të jap unë në emër të kryetares, pyet Edi Ramën. Bejtja: Meqenëse ajo është ndër të paktat gra në botë që drejtojnë parlamrntin, do të doja të kishte më pak butësi, të heqë dorë nga arroganca. Turku: Po s`ta fajin kryetarja për beqarinë more burr. Bejtja: Në respekt edhe të familjarëve të saj, të cilëve Enver Hoxha ua ka hequr fjalën sa herë i ka dashur qejfi. Topalli: Pension politik ka për të dalë, por meqë po më akuzon se i kam unë të gjitha fajet e që të kam lënë pa u martuar, unë do të premtoj që do të gjej një nuse në Shkodër nëse nuk e gjen në Elbasan. Tahiri: Tradhtia ka nisur në zyrat e qeverisë. A kishte dijeni kryeministri për atë që ndodhi me atë lëvizje të komisarit nga komisariati 6? Noka: Ti Taulant e ke emrin Fatos Gjuraj dhe ti dihesh. Jep përgjigjie për atë vajzën që ke tentuar të përdhunosh dhe bëj analiza se mund të na dalësh edhe me SIDA. Balla: Do thoja atë shprehjen e Faik Konicës “Pika mua që merrem me Muco Qullin”, se ministri i Brendshëm është pkërisht në rolin e Muço Qullit.

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.