Pfizergate nën lupën e prokurorëve europianë

Postuar në 01 Prill, 2024 17:36

Negociatat e presidentes së KE-së, Ursula von der Leyen dhe CEO të Pfizer, për vaksinën anti-Covid 19 janë bërë objekt hetimi i një grupi prokurorësh europianë.

Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO) muajt e fundit po shqyrton hetimin e nisur fillimisht nga prokurorët belgë ndaj von der Leyen për "ndërhyrje në funksionet publike, shkatërrimin e SMS-ve, korrupsionin dhe konfliktin e interesit", raporton POLITICO, duke iu referuar një zëdhënësi të prokurorisë së Liezhit. Për momentin nuk ka ende një të ekuzuar.

Hetimi fillimisht u hap nga autoritetet gjyqësore belge në qytetin e Liezhit në fillim të vitit 2023 pas padisë së lobistit Frédéric Baldan. Më vonë atij iu bashkuan qeveria hungareze dhe polake. Por kjo e fundit po tërhiqet pasi drejtimin e vendit e mori qeveria e re pro-BE e udhëhequr nga Donald Tusk.

E ashtuquajtura Pfizergate u ngrit pikërisht mbi mesazhet që supozohet se kanë shkëmbyer Von der Leyen dhe shefi i Pfizer, Albert Bourla, në prag të marrëveshjes më të madhe të vaksinës së BE-së në kulmin e pandemisë Covid-19.

Hetimi nga prokurorët europianë vendos sërish nën lupë rolin e presidentes së Komisionit në marrëveshjen e megavaksinës, me një vlerë rreth 20 miliardë euro. EPPO kryen hetime pan-evropiane për krimet financiare dhe teorikisht mund të konfiskojë telefona dhe materiale të tjera nga zyrat e Komisionit ose në vende të tjera në Evropë, si Gjermania, vendi i lindjes së Von der Leyen.

Lajmi vjen në një moment delikat për shefen e BE-së, e cila pret një mandat të dytë në krye të BE-së. Deri tani, Komisioni e ka refuzuar publikimin e përmbajtjes së mesazheve, madje nuk ka konfirmuar as ekzistencën e tyre.

Marrëveshja, e negociuar në kulmin e pandemisë në 2021, fillimisht u pa si një triumf për Von der Leyen. Por sasia e madhe e vaksinave të blera që atëherë ngriti shumë pikëpyetje, pasi u zbulua se të paktën 4 miliardë euro doza nuk u përdorën kurrë. Kontrata e vaksinës me Pfizer që atëherë është rinegociuar.  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.