Paratë e vështira të naftës ruse

Postuar në 27 Mars, 2024 15:04

Pavarësisht sanksioneve të Perëndimit, ekonomia ruse tregoi rritje në dy vitet që pasuan ndërhyrjen ushtarake në Ukrainë. E megjithatë, nuk është aq e lehtë sa duket. Firmat ruse të naftës përballen me vonesa deri në disa muaj për t'u paguar për naftën e papërpunuar dhe karburantin pasi bankat në Kinë, Turqi dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë bërë më të kujdesshme ndaj sanksioneve dytësore të SHBA-së.

Vonesat e pagesave zvogëlojnë të ardhurat për Kremlinin dhe i bëjnë ato të çrregullta, duke i bërë të mundur Uashingtonit të arrijë qëllimet e tij të sanksioneve të dyfishta - të pengojë paratë që shkojnë në Kremlin për ta ndëshkuar atë për luftën në Ukrainë, duke mos ndërprerë flukset globale të energjisë.

Disa banka në Kinë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Turqi kanë rritur kërkesat e tyre të pajtueshmërisë me sanksionet javët e fundit, duke rezultuar në vonesa apo edhe refuzim të transfertave të parave në Moskë, sipas tetë burimeve bankare dhe tregtare, të cilave u referohet Reuters.

Në mënyrë që të shmangin çdo penalitet që lidhet me sanksionet, bankat e këtyre vendeve kanë nisur t'u kërkojnë klientëve të tyre të japin garanci me shkrim se asnjë person ose ent nga lista e SHBA-së nuk është i përfshirë në një marrëveshje ose nuk është përfitues i një pagese.

Sipas burimeve të Reuters, në Emiratet e Bashkuara Arabe, bankat First Abu Dhabi Bank (FAB) dhe Dubai Islamic Bank (DIB) kanë pezulluar disa llogari të lidhura me tregtimin e mallrave ruse.

Banka Mashreq e Emirateve të Bashkuara Arabe, Ziraat dhe Vakifbank e Turqisë dhe bankat kineze ICBC dhe Banka e Kinës ende po i përpunojnë pagesat, por kjo kërkon javë ose muaj.

Problemet e vonesave i pranoi edhe zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, kur u pyet në lidhje me raportet se bankat në Kinë kanë ngadalësuar pagesat.

Sigurisht, presioni i paprecedentë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian ndaj Republikës Popullore të Kinës vazhdon”, tha Peskov në një konferencë të përditshme me gazetarët.

"Kjo, natyrisht, krijon probleme të caktuara, por nuk mund të bëhet pengesë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona tregtare dhe ekonomike (me Kinën)", tha Peskov.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.