Lufta larg syve të botës

Postuar në 20 Mars, 2024 17:49

Janë dy luftërat për të cilat raportohet përditë në media. Është rasti i Ukrainës, sepse shumë gazetarë të huaj ndodhen atje ose sepse balancat evropiane dhe globale janë në rrezik (këtu përfshihet edhe lufta në Gaza).

Por ka edhe luftëra që zhvillohen larg vëmendjes së medias, në një vend të harruar. Ky është rasti i Sudanit. Aty ku nuk ka gazetarë për të dëshmuar çfarë po ndodh.

Lufta civile sudaneze, e cila shpërtheu në mes të prillit të vitit të kaluar, ka shkaktuar të paktën 20 mijë të vdekur, më shumë se 100 mijë të plagosur dhe më shumë refugjatë se në Ukrainë.

Sudani ka numrin më të madh të personave të zhvendosur brenda kufijve të vet: mbi 11 milionë. Ka mbi 3 milionë refugjatë: në Egjipt, Libi, Çad, Sudanin e Jugut, Etiopi, Eritrea. Infrastruktura dhe qytetet e mëdha janë shkatërruar. Bujqësia është bllokuar. Pas njëmbëdhjetë muajsh lufte, vendi po përballet me makthin e urisë: në rrezik është një popullsi prej 45.5 milionë banorësh të shpërndarë në një sipërfaqe prej 1.8 milionë kilometrash katrorë.

Për herë të parë, gazetarët e BBC, transmetuesi britanik, i cili mburret me mbulimin pothuajse total të planetit falë një rrjeti të gjerë bashkëpunëtorësh, arritën të hyjnë në zonën e luftimeve në Omdurman, në kryeqytetin Khartoum, duke ndjekur ushtrinë, për të davaritur mjegullën pas të cilës fshihet përplasja e përgjakshme mes ushtrisë dhe paraushtarakëve të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) dhe që e pengon botën të shohë viktimat civile: familje, të moshuar, fëmijë të uritur, pa akses në ilaç dhe arsim, në luftë edhe për mbijetesë.

Tregu i vjetër i Omdurman-it dikur i mbushur me njerëz është kthyer në gërmadhë - raportojnë gazetarët e BBC, dyqanet janë plaçkitur plotësisht.

Në rrugë shihen thuajse vetëm automjete ushtarake. Ata pak banorë që kanë mbetur janë të moshuar.

Mukhtar al-Badri Mohieddin, duke ecur me ndihmën e një shkopi, tregon një hapësirë ​​të mbuluar me varre të improvizuara pranë një xhamie të rrënuar: tuma dheu të shenjuara nga copa tullash dhe pllaka betoni.

"Këtu janë 150 njerëz, unë i njihja shumë prej tyre: Mohamed, Abdullah... Xhelal," thotë ai, duke u ndalur për pak para një emri, Dr. Youssef al-Habr, profesor i njohur i letërsisë arabe.

"Kam mbetur vetëm unë," shton ai. Kufiri është më pak se një kilometër larg. Zona tashmë është në duart e ushtrisë, e cila ka zmbrapsur paraushtarakët.

Një banor, Muhammad Abdel Muttalib, i akuzon ata për plaçkitje: «Ata plaçkitin shtëpi, vjedhin makina dhe televizorë. Rrahin të moshuarit, gratë”. "Njerëzit vdisnin nga uria - thotë ai - disa prej tyre i nxora nga shtëpitë e tyre që të mos u kalbeshin trupat. Mijëra gra janë përdhunuar”.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.