Mikroplastika gjendet edhe në arteriet karotide

Postuar në 13 Mars, 2024 15:25

Një studim i ri e lidh praninë e mikroplastikës në pllakat e bllokimit të arterieve me një rrezik më të lartë të sëmundjeve të zemrës. Nga rajonet e largëta të Antarktidës dhe shtresat e sedimenteve të paprekura ende, deri te zemra e njeriut dhe madje edhe foshnjat e porsalindura, mikroplastika është kudo.

Por, ndërsa është e arsyeshme që copat mikroskopike të polimereve të karburantit fosil e gjejnë rrugën në çdo cep të imagjinueshëm të jetës, ende nuk kishte një lidhje të konfirmuar me ndikimet e matshme në trupin e njeriut.

Një studim i publikuar në “The New England Journal of Medicine”, i kryer nga një ekip studiuesish italianë, arriti në përfundimin se mikroplastika gjendet edhe në pllakat e bllokimit të arterieve.

"Kjo është një provë historike," tha për "Nature" Robert Brook, mjek-shkencëtar në Universitetin Shtetëror Wayne, i cili studion marrëdhëniet midis sëmundjeve kardiovaskulare dhe mjedisit. "Kjo do të jetë pika e nisjes për studime të mëtejshme në të gjithë botën për shkallën e rrezikut që paraqesin mikro dhe nanoplastika."

Studimi mori në shqyrtim 257 individë, të cilëve iu hoqën pllakat yndyrore nga arteriet karotide - enët e gjakut në qafë që bartin gjakun midis kokës dhe zemrës - midis viteve 2019 dhe 2020. Polietileni, plastika e përdorur në botë, u zbulua në "pllakën e arteries karotide të 150 pacientëve", sipas studimit.

"Mikroskopi elektronik zbuloi grimca të huaja të dukshme, me tehe të dhëmbëzuara midis makrofagëve të pllakave," vazhdon ai, "dhe të shpërndara në mbeturinat e jashtme."

Shkencëtarët i monitoruan këta pacientë për 34 muaj, duke konkluduar se ata që kishin mikroplastikë në arterie, kishin gati pesë herë më shumë gjasa të pësonin një atak në zemër, goditje në tru dhe në rastet më të rënda, madje edhe vdekje.

Studimi nuk mund të konsiderohet definitiv, pasi ka më shumë karakter vëzhgues. Ai nuk provon një lidhje të fortë midis pranisë së mikroplastikës dhe incidenteve të urgjencës kardiovaskulare ose vdekjes, megjithëse disa mjekë besojnë se inflamacioni i shkaktuar nga mikroplastika mund të luajë rol.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.