Histori shkatërrimi apo ndërtimi?

Postuar në 21 Shkurt, 2024 19:37

Punë vullnetare e banorëve të lagjes Q. Stafa më 1968. Në prishjen e dyqaneve të pazarit për të marrë tjegullat e landen për ngritjen e banesave vullnetare

Kështu shkruhet në faqen e Facebook të “Albanian Digital Archives and Collections” mbi një foto ku duken disa qytetarë që punojnë. Pra e thënë thjesht: prish pazarin për të ndërtuar objekte banimi. Përfundimet: 1. Zgjidhet çështja e strehimit. 2. Asgjësohet në mënyrë të pakthyeshme historia dhe identiteti i një qyteti.

Në një tjetër faqe në Facebook, postohej para disa kohësh një foto e Sarandës e vitit 1913. Duket qartë muri rrethues i qendrës së banuar që kalonte në kaminën e dikurshme të qytetit dhe afër stadiumit të sotshëm.  

Mbetja e këtij muri sot? Kjo foto me shënimin satirik: Monument Kulture. Mbrohet nga Shteti

Në të dyja rastet kuptohet fare qartë se trashëgiminë tonë e kemi prishur vetë. Pasi morëm pavarësinë dhe krijuam shtetin tonë. Muri i Sarandës është shprehja më e qartë e faktit se qeverisja prej shqiptarëve është ultimatum ndaj qytetërimit. Dhe këtë nuk ka sesi të mos e kuptojmë edhe sot me urbanizimin invadiv të varrezave me lagje të reja.

Një person me detyra në sektorin e monumenteve tregon dy raste nga regjimi komunist. I pari kur një funksionar i lartë dhe me kulturë madje, i shëtitur në botë, propozoi që të prishej pazari i vjetër i Korçës. Propozimi ishte për ta zëvendësuar atë me objekte të reja banimi por ai u hodh poshtë nga Enver Hoxha që kërkoi mendimin zyrtar të Gani Strazimirit, asokohe drejtues i Institutit.

Rasti i dytë, kur ish-ministri i Arsimit Thoma Deliana, konstatoi prishjen e xhamisë së Kavajës të cilën tentoi ta ndalonte duke e parë si një vepër me rëndësi arkitektonike. Përgjigja ishte se urdhëri “ishte nga Lart”. Kështu ne mund të kuptojmë edhe më tutje shkretimin tërësor dhe total të territorit shqiptar nga monumentet e së shkuarës. Ka patur ky vend shumë bejljerë e pasahllarë. Por ku jetonin këta? Në cilat saraje e kështjella, pasi Shqipëria qëkurse erdhëm në këtë botë të ofron një pamje urbane aq modeste dhe të një vendi që ka patur përherë vegjëli?

Duhet të mendojmë se janë prishur, shkatërruar paralel me lëvizjet sociale që duket se kanë asgjësuar hierarkitë e vjetra të një elite që e braktisi vendin.

Si duhet ta klasifikojmë këtë histori? Si histori të ndërtimit të qyteteve, apo të shkatërrimit të trashëgimisë? Si duhet ta kontekstualizojmë ne monumentalizmin para shtetëror përderisa e kemi asgjësuar aq sa nuk ka më asnjë gjurmë të kuptueshme të tij?

Edhe projekti i “Rikthimit në identitet” në të vërtetë ishte një shfaqje restaurimi e një kontributi që pak lidhet me identitetin e shqiptarëve, por ka të bëjë me depërtimin e ndikimeve të huaja, ndërkohë që më absurde duket “Rilindja Urbane” që konsistonte në rehabilitim të pjesëve urbanistike të qytetit “komunist”. 

Është shumë interesante të kuptohet se pse e gjithë elita politike e pas 1912-ës normoi ligjërimin e “ndërtimit të Shqipërisë” duke krijuar një shkëputje psikologjike dhe radikale nga Shqipëria e para 1912-s, ajo osmane, çka flet për një lloj kompromentimi të rëndë në shtetformim dhe në legjitimitetin e atyre që morën në dorë shtetin. Nuk ka akt më barbar sesa të marrësh gurin e një ndërtese për të ndërtuar një të re. Barbar jo në aspektin e çnjerëzores, por të rrafshimit të historisë dhe shndërrimit të saj në një territor të pabanuar nga asnjë kujtesë dokumentare.

s.zaimi

Comments

Submitted by Aqif (not verified) on

Te pergezoj per kete shkrim zoti Zaimi.

Shqiptaret shquhen per shkaterrim dhe djegje te shtetit te tyre. Kemi kalane e Sarandes qe nuk Eglinton, kalane e Vil Boshtoves qe pothuaj gjysma e saj (guret) u vodhen per ndertim shtepish pergjat komunizmit, sic ka ndodhur ne kalate e Elbasanit dhe te Peqinit.
Pazaret, hamanet dhe Manstiret u dhunuan barbarisht nga njeriu i ri socialist, ishte po ky njeri qe mbas shkaterrimit te ketyre monumenteve dogji te gjithe shtetin ne 1997.

Ne ish Jugosllavi turistet terhiqen dhe magjepsen nga rrugicat dhe dyqanet e "stari Grad". Touristet kur jane diku nuk duan te shohin ato cka kane ne vendlindje por, duan te shohin dicka qe per ta eshte e "re".

Ne Sarajeve turistet magjepsen me Bash Carshine ne Stari Grad. Me Xhamite, dyqanet , rrugicat dhe cesmen ne qender. Jane me qindra mijera turiste qe cdo vit shkojne e pushojne aty.
Po ashtu edhe ne Mostar, Stari Grad ketu eshte afeksionim i turisteve me xhamite, uren dyqanet dhe rrugicat. Sic po behet me Gjirokastren dge Beratin, ( me ato pak gjera qe u lane pa shkaterruar) dy qytete ne UNESCO me arkitekture Osmane. Ura e Kurt Pashes eshte nje perle me vete ne Berat. Islamofobia e pushtetarevecte atehershem dhe ketyre te sotem kane bere qe shume xhami dhe ndertesa te arkitektyures Osmane te shkaterrohen ose te shperfytyrohen.
Dicka qe as fqinjet tane nuk e kane bere.

Ne Turqine lindore, kishat dhe Manastiret e bukura Armene ruhen dhe mbrohen me fanatizem nga pushteti vendor dhe lokal e quhen trashegimi kulturore, njesoj sikur monumentet e antikitetit grek.

Ne Shqiperi duan turizem por e kerkojne tek ai bregdetar qe eshte me pak se tre muaj, dhe ai malor qe ne shume raste eshte i vogel ose nuk ka fare ( ne dimer). Pasi, evropa eshte e mbushur me male.
Po te shikosh kryeqytet e Evropes dhe shume qytete te tjera, kane turizem 12 muaj te vitit.

Shqiptaret mund te bejne rindertim te pazareve te vjetra. Para disa viteve isha ne Split te Kroacise. Stari Grad po rindertohej, ndertesat po transformoheshin sic ishin dikur. E njejta gje po ndiqet edhe be Turqi.

Submitted by Dori (not verified) on

Kjo ceshtja e trashegimise kulturore , qe eshte kthyer tashme ne tabu kulturore ne te gjithe boten, e ka zanafillen e vet ne shekullin e XIX , kur moren hov nacionalizmat ne Europen perendimore, per tu perhapur mandej ne te gjithe Europen, dhe dekada me pas edhe boten.
Me perpara kesaj, historia e Europes dhe gjithe botes, eshte nje histori shkaterrim-ndertimi. Tempujt me te vjeter jane shembur, dhe me mbetjet e tyre jane ndertuar tempujt e rinj; ne Greqine e lashte, ne Romen e lashte, ne Egjiptin e lashte dhe ne te gjitha qyteterime e lashta, kjo ka qene nje gje normale; per te kulmuar pastaj me shkaterrimet masive qe bene religjionet e medha, Krishterimi dhe Islami, qe shkaterruan pafund tempuj te lashte dhe me guret e tyre ndertuan kisha dhe xhami. Parisi, per te cilin Umberto Eco, thoshte se eshte i vetmi qytet qe e meriton te quhet i tille (kurse per Romen thoshte se eshte nje gjysme qyteti), qe eshte i tejmbushur me monumente kulturore, eshte Parisi i Haussmanit, te cilin Marksi e pat akuzuar se prishi Parisin historik ( ate te rrugeve te ngushta te shtrembera), per te ndertuar rruge te gjera te medha , me qellimin djallezor qe te pamundesonte barrikadat!
Ne Shqiperi, kalate dhe keshtjellat e shumta, si ne asnje vend tjeter te Ballkanit ( si hakmarrje ndaj rezistences se paprecedente) u shkaterruan pothuaj plotesisht nga turqit otomane; aq i madh ishte ky shkaterrim, saqe Milan Shuflaj thoshte qe ne Shqiperi u zhbene edhe mbishkrimet mbi gure...
Tirana e sotme eshte Tirana "italiane"; gjithe ajo qe mund te quhet vlere arkitektonike dhe urbanistike e Tiranes, mban vulen italiane; e meqe ra fjala, Italia per pak me shume se nje dekade (ne fillim viteve '30 deri me '43-shin) pat bere me shume ndertime, rruge dhe vepra artistike, sa c'kishin bere turqit otomane per 500 vite. Per Tiranen nuk duhet qare se po humbet trashegimine e saj ( shtepite me qerpiq!), por se po ndertohet pa asnjelloj kriteri.
P.S. kur kaloj nga sheshi Skenderbej, xhamia aty me vret syte; dhe pothuaj perhere me shkon mendja tek ato dhjetera e dhjetera xhami qe jane shkaterruar nga regjimi komunist, dhe vetem kete e kursyen; si nje shenje orientale te sheshit modern te kryeqytetit te shqiptareve. Cfare ironie!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.