Preferenca ime ka qenë për artistët e panjohur shqiptarë në Paris

Postuar në 21 Janar, 2024 15:12
Intervistoi për ResPublica: Eleana Zhako

 

E njihja fillimisht Rezart Jasën nga aktivitetet e tij kulturore, që kisha parë në rrjetet sociale, por edhe nga fjalët dashamirëse të miqve tanë të përbashkët rreth personit e punës së tij. Duke qenë se prej shumë vitesh ka rolin e promovuesit të artistëve të rinj, por edhe më të vjetër, është mësuar të flasë e të nxjerrë në pah punën dhe talentin e të tjerëve, ndaj dhe me njëfarë kërshërie të çiltër më thotë, se shpreson që intervista e tij të ketë interes për lexuesin shqiptar.  Rezarti jeton në Bulevardin Voltaire në Paris, në një apartament gjithë dritë e objekte arti, ku shpesh gjatë viteve të shkuara, ai ka organizuar mbrëmje festive me artistë shqiptarë. Pavarësisht se më priti në shtëpinë e tij në një ditë dimri pariziene, ku gjithçka jashtë ishte zhytur në grinë tipike të këtyre vendeve europiane, po përpiqesha të imagjinoja se si mund të ngjante kjo hapësirë në pranverën e vonë, kur drita bëhet kaq bujare. Por, ngrohtësia e brendshme e dimrit dhe atmosfera e festave të fundvitit, i dhanë këtij bashkëbisedimi një ton të natyrshëm rrëfimi e introspeksioni.

***

Letërsia ka qenë pasioni im i parë ndaj dhe përkundër dëshirës së prindërve, zgjodha të aplikoj për gjuhë-letërsi. Pavarësisht se im atë Skënder Jasa ishte shkrimtar dhe nëna ime piktore, preferonin që unë të zgjidhja një drejtim tjetër, të kisha një të ardhme si mjek ose inxhinier. Mbarova gjimnazin “Qemal Stafa’’ me një mesatare të lartë, çka më jepte mundësinë të aplikoja për çdo degë. Por unë doja të vazhdoja për letërsi, ngaqë shkruaja që i vogël dhe mësueset më thoshin, që kisha një stil disi abstrakt. Shkova te “Lidhja e shkrimtarëve” dhe i kërkova Dritëro Agollit, me të cilin kishim miqësi të ngushtë familjare, nëse mund të më ndihmonte të shkruaja propozimin për Mistrinë e Arsimit. Vazhdova studimet për gjuhë - letërsi në Universitetin e Tiranës në periudhën 1985-1989. Lëndët e mia të preferuara ishin letërsia dhe gjuhësia e krahasuar, kishim profesorë të mrekullueshëm. Një nga profesorët që kam adhuruar në gjuhësi ka qenë Androkli Kostallari. Përpara se të mbaroja studimet u hodh ideja e krijimit të një celule të studimeve orientale në Institutin e Letërsisë, por që mungonin studiuesit e specializuar për letërsi orientale. 

Nga fundi i studimeve mora një bursë për studimin e letërsisë orientale në Algjer të Algjerisë dhe u largova nga Shqipëria përpara ndryshimeve. Tema e diplomës  në vitin e fundit ishte ndikimet e letërsisë orientale në letërsinë e rilindjes shqiptare. Situata në atë kohë në Algjeri ishte më e komplikuar se situata në Tiranë, për shkak të fuqizimit të partisë islamike. Pas marrjes së pushtetit nga FIS (Fronte Islamique du Salut), një pjesë e madhe e të huajve u larguan, u kryen shumë vrasje, vendi ishte gati në luftë civile. Në Algjer studiova tre vjet për letërsi orientale, ku mësova dhe arabishten letrare dhe në të njëjtën kohë aplikova në Sorbonne për Letërsi të Krahasuar.

U ktheva në Shqipëri, përderisa isha dërguar në Algjeri nga Ministria shqiptare e Arsimit, me qëllim krijimin e celulës orientale në Institutin e Letërsisë. Tirana ishte sikur kishte rënë bomba, kur u futa në ministri, as roje s’kishte. E dija ku ishte zyra e ministrit apo ministres, pasi kur ika unë ishte Tefta Cami ministre, por nuk e dija kush ishte në atë kohë. Desha t’u thosha se shteti shqiptar kishte investuar për edukimin tim ndaj dhe kisha ardhur t’ua riktheja. Sekretaret më shihnin të habitura, “ç’është ky që do të vijë të punojë”! Arrita të takoja ministrin, emri i të cilit s’më kujtohet.

“Të gjitha janë mbyllur këtu”, më tha, por u kërkova të mbanin shënim që isha kthyer dhe që isha në dispozicion të shtetit shqiptar për të punuar në ministri, në institut ose dhe në fakultet, kudo që do të isha i nevojshëm. Nisa të punoj për disa gazeta në Tiranë, për një fondacion arab, për fondacionin “Soros” dhe pas njëfarë kohe më erdhi përgjigja nga “Sorbonne”, që isha pranuar.

Jeta ime në Paris ka qenë relativisht e këndshme, e lehtë, e bukur, pa vështirësi integrimi, një jetë studentore ideale. Rruga nga lagjja 20 ku banoja deri në “Sorbonne” ishte kënaqësi më vete, po ashtu edhe pjesëmarrja në leksione. Me shoqërinë e fakultetit zgjidhnim të pinim kafe në “Café de Flore”, vetëm e vetëm sepse ndiheshim mirë që ishim studentë letërsie në Sorbonne. Kursenim frangat gjithë javës për në Café de Flore, ku kafeja ishte shumë herë më e shtrenjtë se sa një kafe e zakonshme. Nga letërsia shqiptare, kishim në program veprat e Ismail Kadaresë. U specializova në “Sorbonne” për Letërsi të Krahasuar. Vazhdimësia ishte gjithashtu simpatike sepse me diplomat që kisha, më thanë që kërkonin shqipfolës në “Radio France”, në “RFI”, seksioni ndërkombëtar, ku punonin emra të njohur si Klara Buda, të cilën e vlerësoj fort. Nuk u realizua ideja e punësimit në seksionin e gjuhës shqipe, por u angazhova në “France Culture”, për seksionin e kulturës për një periudhë mbi 10 vjeçare. Përgatisnim informacionin kulturor ndërkombëtar në lidhje me çdo zhvillim kulturor në Francë, si dalja e një romani të ri, e një filmi të ri, e një premiere baleti, etj. Unë mbuloja pjesën e letërsisë dhe qe një eksperiencë e mrekullueshme. Një ditë mendova:

Përse mos të provoj të bëj diçka tjetër në jetën time?”. Kur ia tregova këtë ide prindërve më thanë: “Ti je funksionar, punon në shtet, mendo që do e kesh të siguruar të drejtën e pensionit, përse do ta lësh, vetëm ngaqë po të bëhet monotone”? Por, e kisha marrë vendimin dhe dhashë dorëheqje. 

E kisha në kokë se çfarë desha të bëja dhe menjëherë krijova organizatën time, që nuk është një shoqatë, por një ent privat, komercial, që quhet ‘’Rezart Jasa events”. Në kohën kur krijova biznesin tim, një pjesë e njerëzve nga komuniteti shqiptar i Parisit bënte sikur nuk e kuptonte ose nuk arrinte ta kuptonte, që nuk bëhej fjalë për një shoqatë bamirësie, por për një biznes privat prej të cilit duhej të përfitonin të dyja palët. Edhe sot e kësaj dite, nëse zhvilloj një koncert me artistë shqiptarë në Paris, gjysma e komunitetit shqiptar nuk arrin ta kuptojë edhe pas 30 vitesh, që duhet të paguajë një biletë për të hyrë. Në vitin 2010, organizova në Theatre “Le Palace” një panair të artit dhe kulturës shqiptare për festat kombëtare të Shqipërisë. “Le Palace” është një nga teatrot më të bukura të Parisit, ku pronarë janë dy miqtë e mi Halil dhe Haziz Vardar, shqiptarë të Maqedonisë. Më përpara zotëronin gjysmat e teatrove të Parisit. Halil Vardar është gjithashtu regjisor, dramaturg, skenograf dhe skenarist i komedive të bulevardit. Ndaj meje kanë një dashamirësi të madhe dhe më kanë lënë teatrot më të bukura të Parisit në dispozicion.

Ishte hera e parë që organizohej në Paris një event kaq madhor kushtuar kulturës shqiptare. Isha vetëm, pa asnjë ndihmë e asnjë mbështetje. Në hyrje të “Le Palace”, në një krah ishte një ekspozitë me fotot e Marubit, në krahun tjetër piktorë të ndryshëm franko-shqiptarë, si Omar Kaleshi, etj. Gjithashtu, shtëpi botuese të njohura, si “Botimet Çabej”, me stendat e librave të tyre në shqip, kurse në brendësi u projektuan tre filma shqiptarë. Më pas mbrëmja vazhdoi me koncertin e parë të Elina Dunit në Paris, interpretimet e kitaristit Vlashent Sata, violinistes Matilda Daiu dhe violonçelistes Juliana Laska. Të gjithë këta artistë u ngjitën për herë të parë në skenën pariziane. Shkrimtarja Besa Myftiu recitoi disa poezi në shqip. Programin e prezantoi Flonja Kodheli, që atëherë ka qenë studente dhe tashmë është aktore relativisht e njohur në Belgjikë. Vijoi një darkë festive me shqiptarë të vendeve të ndryshme e të kombësive të tjera. 

Një gazetare shqiptare në Shqipëri shkroi një shkrim kundër meje, ku cilësohesha si producenti gjakpirës, që përfiton nga artistët shqiptarë. Gjatë kohës kur Ylljet Aliçka ishte ambasador në Francë, riorganizova një aktivitet madhor në Theatre “Le Palace”. Një vit më pas më angazhoi ambasadori Ylljet Aliçka dhe ripërtërinim të njëjtën skenë të festimeve për 100 vjetorin e pavarësisë në “Le Palace”. Kishim artistë prestigjozë shqiptarë si Angjelin Prejlocaj. Dhe atëherë shkruajtën në gazetat shqiptare, që ambasada shqiptare ka bërë një koncert me producentin gjakpirës Rezart Jasa. I shkruaj kryeredaktorit, më thotë e pranoj mendimin tuaj, por po ju lë të debatoni me gazetaren. Më pas e kuptova, që ishte e pamundur për të nxjerrë në pah të vërtetën.

Një koncert me Ermonela Jahon e Inva Mulën në Paris është shumë më e lehtë për ta organizuar, se sa një eveniment me një artist tërësisht të panjohur. Preferenca ime ka qenë gjithmonë për të shkuar drejt artistëve të panjohur. Çdo personi, çdo artisti duhet t’i jepet një mundësi ta provojë veten, pavarësisht nga cilësia e punës artistike. Parapëlqej koncertet e vogla, por janë të vështira për t’u realizuar nga ana financiare. Kam bërë një koncert me Tedi Papavramin 60 minutash në “Ecole Militaire” në Paris, sallë fantastike, por gjysma e sallës ishte bosh, imagjino me emra krejt të panjohur. Publiku shqiptar nuk të vjen në ditët e koncerteve; baby sitter është e sëmurë, halla është pa qejf ose në rastin më të keq i ka vdekur vjehrra ose vjehrri, kunati ose kunata. Gjithmonë në ditët e koncerteve të mia në Paris, ndodhin tragjedira. Gjysma e njerëzve që kishin premtuar që do të vinin, nuk erdhën. 

Kam një ëndërr në sirtar, me një nga aktoret e mia më të preferuara, Yllka Mujon. Prej vitesh, kam shumë dëshirë të bëj një eveniment me Yllka Mujon në Paris. Yllka më ka thënë që me Genc Tukiçin, që tashmë jeton në Paris, kur ishin studentë në Akademinë e Arteve, këndonin edhe këngë franceze të Françoise Hardy. E kam imagjinuar, që gjysma e evenimentit të jetë me këngë shoqëruar në piano nga Genc Tukiçi, disa mund t’i këndojë duet me vajzën e saj Elian, që ka një zë shumë të bukur dhe gjysma me recitim poezish. Përtej Parisit, do dëshiroja të realizoja disa projekte në 2024 në Athinë me artistë shqiptarë, një ekspozitë me piktorët Toni Milaqi e Aristidh Milaqi, skulptorin Ilirian Shima dhe Visar Mulliqin nga Kosova.

Shumë njerëz në Francë e njohin Shqipërinë sepse kanë lexuar Kadarenë, njohin Inva Mulën, që 25 vite përpara këndonte shpesh në “Opera Bastille” dhe një herë në javë në “TV France 2”. Pjesa më intelektuale e di që Prejlocaj ka origjinë shqiptare. Nga kjo anë jam me fat, se referencat për vendin tim kanë qenë referenca artistike të një niveli të lartë. Kam frikë se pas pompozitetit, që manifestohet vitet e fundit te shqiptarët për të trumbetuar shqiptarinë, thellë-thellë ndodhet mungesa e besimit ndaj këtij identiteti. Kur postojmë një aktivitet kulturor në Facebook, dhe nuk kam parasysh vetëm personin tim, lëvdatat ose komentet janë të pafundme, por nuk shndërrohen në veprime konkrete. Nëse një artist shqiptar në Paris bën një koncert, nxjerr një album, zhvillon një ekspozitë pikture a fotografie, shumica priren të shkojnë ditën e parë, ngaqë ka një kokteil. Një nga tiparet që e vlerësoj shumë te njerëzit është mirënjohja dhe me të gjithë shqiptarët që kam punuar deri tani, të të gjitha fushave, më janë mirënjohës për atë çka munda të bëj për ta dhe këtë mirënjohje e kanë, pavarësisht viteve që kanë kaluar. Kam pasur marrëdhënie të mirë me të gjithë ambasadorët që kanë qenë në Paris, që zakonisht vinin nga bota e artit dhe e kulturës. Ambasadori aktual Dritan Tola, i cili nuk vjen nga bota e artit, vendosi të nderojë shqiptarët që kanë punuar për çështjen shqiptare në Paris, duke krijuar një Diplomë Nderi. Ky është çmimi më i dashur që kam pasur nga Shqipëria. Dhe për mua është vlerësimi më i madh i gjithë punës sime.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.