Leksione nga vreshtarët romakë

Postuar në 20 Janar, 2024 15:02
Dimitri Van Limbergen*

 

Dihet se romakët kanë qenë adhurues të verës. Mesatarisht, meshkujt romakë pinin një litër ose më shumë verë të holluar në ditë. Pija ishte simbol i sjelljes së civilizuar dhe përdorej gjerësisht si ilaç dhe shoqëruese e ritualeve të ndryshme. Për këtë arsye, prodhimi i verës ishte një aktivitet i përhapur dhe shumë fitimprurës, ndërsa vreshtat dominonin pjesën më të madhe të peizazhit bujqësor.

Megjithëse romakët konsumonin edhe më shumë verë seç konsumojmë ne sot, vreshtat e lashta në Itali kishin pamje tërësisht të ndryshme nga peizazhi tipik i kodrave të mbuluara nga rreshta hardhish që pak centimetra i ndajnë nga njëra-tjetra.

Ne mund të mësojmë shumë nga metodat e romakëve për të prodhuar verë dhe t’i përdorim këto mësime për përshtatjen e sistemeve tona bujqësore me një planet në ngrohje.

Përgjatë hulumtimit tim kam eksploruar rolin e sistemeve të agropylltarisë së hardhisë në vreshtarinë romake duke eksploruar arkeologjinë, literaturën antike dhe burime më moderne.

Bujqësia pyjore

Një teknikë shumë e zakonshme për rritjen e hardhive të rrushit në epokën romake ishte kacavjerrja e tyre në rreshtat e pemëve në fusha, që përdoreshin njëkohësisht edhe për drithëra dhe perime, në një sistem të quajtur arbustum.

Ndryshe nga bimët e ulëta që mbulojnë faqet e kodrave në vreshtat moderne, këto hardhi u rritën lart në pemë. Skena të shumta në sarkofagët dhe mozaikët romakë i tregojnë vjelësit teksa mblidhnin rrush duke përdorur shkallë të larta dhe duke i mbledhur ato në shporta të vogla në formë koni.

Prodhimi i verës para industriale

Popullariteti i Arbustum erdhi kryesisht për shkak të nevojës së fshatarëve për jetesë. Ata kombinonin disa kultura në një sipërfaqe të vogël toke për të mbijetuar, megjithëse janë regjistruar edhe më shumë ferma komerciale. Praktika ishte aq e zakonshme sa që edhe mendimtarët e mëdhenj i jepnin rëndësi. Plini dhe Kolumela e rekomandonin përdorimin e pemëve që rriteshin shpejt e kishim shumë gjethe si mënyrë për të mbrojtur hardhitë nga kafshët.

Edhe vendndodhja luante rol të madh. Pothuajse të gjitha tekstet e lashta e vendosin përdorimin e agropylltarisë së hardhisë në tokat e ulëta, të sheshta dhe të lagështa të gadishullit italian. Ky vëzhgim mund të habisë prodhuesit modernë të verës, pasi hardhia nuk e do shumë ujin. Megjithatë, këto toka shpesh ishin afër lumenjve, të cilët ishin korridore të mëdha ekonomike dhe për rrjedhojë zona tërheqëse për vendbanim dhe bujqësi.

Toka të tilla të sheshta dhe të shtrira ishin ideale edhe për aplikimin e centuriimit, metodës romake të ndarjes së tokës bujqësore në parcela. Sistemi ishte perfekt për të ndërfutur dhe zgjeruar rreshtat e pemëve të mbuluara me hardhi.

Për prodhuesit modernë të verës, rritja e hardhive në tokë të lagësht dhe ajër të lagësht është e paimagjinueshme. Ajo paraqet një rrezik të madh për sëmundje kërpudhore që mund të dobësojnë dhe të vrasin hardhinë. Megjithatë, romakët e bënë këtë të funksionojë.

Një teknikë e lashtë dhe e qëndrueshme

Versionet e arbustumit mbetën në përdorim në Itali deri në fillim të shekullit XX. Kjo provë relativisht e vonë, në kombinim me materialin burimor të lashtë, zbulon zgjuarsinë e sistemit.

Llojet kryesore të pemëve të përdorura ishin plepat, shelgjet, panjat etj., të cilat rriten mirë në zona me lagështi, sepse kanë nevojë për shumë ujë, i cili gjeneron rritjen e tyre të shpejtë dhe shkallën e lartë të transpirimit. Kjo do të thotë që ato thithin ujin e tepërt nga toka, duke vepruar si një pompë uji dhe duke kontribuar në kullimin natyror të një zone. Rrënjët e tyre tregonin se hardhitë mund të qëndronin të shëndetshme dhe të performonin mirë në mjedise të lagështa për shekuj me radhë.

Por sofistikimi i sistemit shkon shumë më tej. Duke stërvitur hardhitë për t'u ngjitur lart - deri në 15 apo edhe 20 metra - dëmi i shkaktuar nga rritja e lagështirës së tokës u zvogëlua më tej, ndërsa ndikimi i diellit në ngrohje u rrit. Kjo bëri që rrushi të zhvillohet dhe të piqet më mirë, për sa kohë që arrihet ekuilibri i duhur midis hijes (nga gjethja) dhe ekspozimit ndaj diellit. Hardhitë që ngjiten më lart kanë gjithashtu rrënjë më të thella dhe më të zhvilluara, gjë që i bën ato më rezistente ndaj kalbëzimit që shkaktojnë parazitët.

Shembujt në Portugalinë para industriale tregojnë gjithashtu se edhe vetë pemët kontribuojnë në mikroklimën e vreshtit: ato zbusin ndikimin e ngricave, mbrojnë nga erërat e forta dhe të dëmshme dhe reduktojnë shpërndarjen e farave të padëshiruara.

​Një shembull për planetin që sa vjen e ngrohet

Të dhënat tregojnë se agropylltaria e hardhisë u zgjerua masivisht midis viteve 200 para Krishtit dhe 200 pas Krishtit, gjatë asaj që njihet si Optimumi i Klimës Romake, një periudhë prej disa shekujsh me temperatura dukshëm më të ngrohta që përkoi me zgjerimin e Perandorisë Romake. Kjo do të thotë se prodhuesit romakë të verës në Itali shpesh operonin në kushte më të ngrohta dhe më të lagështa se ato të përjetuara në pjesën më të madhe të shekullit XX.

Rezistenca e agropylltarisë së hardhisë ndaj temperaturave në rritje – të cilat sjellin me vete dëmtime dhe sëmundje – bëhet më e dukshme kur shikojmë nismat pioniere moderne në jug të Francës. Eksperimentet në fermën e Restinclières kanë konfirmuar përfitimet mikroklimatike të agropylltarisë së hardhisë, duke përfshirë mbrojtjen nga ngricat dhe praninë e insekteve të dobishme.

Më e rëndësishmja, megjithatë, hija që bëjnë pemët duket se vonon pjekjen e rrushit me javë të tëra pa ulur problematikisht rendimentet. Ky është një bekim për prodhuesit e verës që po përballen gjithnjë e më shumë me rrushin që piqet shumë shpejt, ka shumë sheqerna dhe japin verëra me cilësi më të ulët me shumë alkool si rezultat i temperaturave më të larta vjetore.

Bujqësia romake në skenën botërore

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë, FAO, ka theksuar së fundmi përfitimet e agropylltarisë në një botë që po ngrohet. Ajo ka theksuar në veçanti nevojën për rritjen e agropylltarisë dhe përfitimet e saj të shumta mjedisore dhe socio-ekonomike, veçanërisht në ndihmë të miliona fermerëve të vegjël, të cilëve u duhet të mbijetojnë në një klimë gjithnjë e më armiqësore.

Vështrimet mbi praktikat romake dhe para-industriale sugjerojnë se kjo qasje mund t'i ndihmojë prodhuesit e verës që të përshtaten me një planet që sa vjen e ngrohet. Gjithashtu shtron pyetjen shumë më të gjerë se çfarë mund të mësojmë tjetër duke kthyer vështrimin pas në të shkuarën ndërsa përballemi me një të ardhme të pasigurt.

*Studiues postdoktoral, Universiteti Ghent

Botuar në The Conversation 

 

Comments

Submitted by robert thomanikaj (not verified) on

Shume cfare na thuhet per romaket duhen marre me rezerva te medha! Psh edhe kjo e pirjes se rreth 1 litri vere te holluar cdo dite nga meshkujt romake, nuk eshte per tu marre seriozisht. Ndoshta nga nje pakice prej tyre, p.sh nga nje pjese e patriceve dhe latifondisteve, por jo nga plebejte e te tjeret. Tregohen shume perralla per romaket dhe Romen ...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.