FMN: 40% e vendeve të punës do të preken nga inteligjenca artificiale

Postuar në 15 Janar, 2024 22:54

Inteligjenca artificiale do të ndikojë në 40% të vendeve të punës dhe ndoshta do të përkeqësojë pabarazinë. Ky është parashikimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar.

AI, termi për sistemet kompjuterike që mund të kryejnë detyra që zakonisht lidhen me nivelet njerëzore të inteligjencës, është gati të ndryshojë thellësisht ekonominë globale. Ekonomitë e mëdha janë të parat që preken.

Analiza e FMN, huadhënësi ndërkombëtar që në shumë raste ka qenë mundësia e fundit për disa ekonomi në krizë, thotë se rreth 60% e vendeve të punës në ekonomitë e përparuara si SHBA dhe Britania e Madhe janë të ekspozuara ndaj AI dhe gjysma e këtyre vendeve të punës mund të ndikohen negativisht. Por teknologjia do të ndihmojë gjithashtu në rritjen e produktivitetit të disa njerëzve pasi AI përmirëson performancën e tyre, thuhet në raport.

Sipas FMN-së, punët më të sigurta shumë të ekspozuara janë ato që "plotësohen" nga AI, që do të thotë se teknologjia do të ndihmojë punën e tyre në vend që ta nxjerrë jashtë loje tërësisht punonjësin. Kjo përfshin role me një shkallë të lartë përgjegjësie dhe ndërveprim me njerëz – si kirurgë, avokatë dhe gjyqtarë.

Punët me ekspozim të lartë - që do të thotë potencial për t'u prekur nga AI - përfshijnë telemarketing, ose njerëz që ofrojnë mallra dhe shërbime. Profesionet me ekspozim të ulët nisin nga pjatalarësit e përfundojnë te artistët.

Ekspozimi i vendeve të punës në AI është 40% në ekonomitë e tregut në zhvillim – të përcaktuara nga FMN si shtete duke përfshirë Kinën, Brazilin dhe Indinë – dhe 26% për vendet me të ardhura të ulëta, me një total të përgjithshëm prej pak më pak se 40%, sipas FMN.

Kristalina Georgieva, drejtoresha menaxhuese e FMN-së, tha se aftësia e AI për të ndikuar në punët me aftësi të larta do të thotë që ekonomitë e përparuara përballen me rreziqe më të mëdha nga teknologjia. Ajo shtoi se në raste ekstreme disa vende pune në ekonomitë e mëdha mund të zhduken.

“Përafërsisht gjysma e vendeve të punës të ekspozuara mund të përfitojnë nga integrimi i AI, duke rritur produktivitetin,” shkroi Georgieva, në një postim në blog që shoqëronte studimin e FMN-së. “Për gjysmën tjetër, aplikacionet e AI mund të ekzekutojnë detyra kyçe të kryera aktualisht nga njerëzit, të cilat mund të ulin kërkesën për punë, duke çuar në paga më të ulëta dhe reduktim të punësimit. Në rastet më ekstreme, disa nga këto punë mund të zhduken.”

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.