Thirret në SPAK ish-këshilltari i Ramës, Dorian Duçka

Postuar në 26 Tetor, 2023 17:34

Dorian Duçka, ish-këshilltari i Jashtëm i kryeministrit Rama është paraqitur sot në SPAK. Emri i Duçkës doli në çështjen e ish-agjentit të FBI-së, Charles McGonigal.

Mbetet e paqartë arsyeja e thirrjes së tij në organin e akuzës, pasi SPAK nuk ka nisur asnjë hetim në lidhje me çështjen “McGonigal”.

Në aktakuzën amerikane, Duçka paraqitet si njeriu që ka shërbyer si urë lidhëse mes kryeministrit Rama dhe Charles McGonigal, në dy vizitat e tij në Shqipëri, por edhe takimet në SHBA.

Pak javë më parë, ish-agjenti i FBI-së, Charles McGonigal, pranoi fajësinë për fshehjen e faktit se kishte marrë 225 000 dollarë nga biznesmeni shqiptaro-amerikan, Agron Nezaj.

McGonigal u gjykua në një gjykatë federale në Uashington. Falë një marrëveshje mes akuzës dhe përfaqësuesve të tij ligjorë, prokurorët rrëzuan tetë akuza ndaj tij, pasi McGonigal pranoi fajësinë për akuzën për fshehje provash materiale.

Ai pranoi të gjitha akuzat që kanë të bëjnë me Shqipërinë, mes të cilave edhe kontaktet me kryeministrin Edi Rama dhe këshilltarin jozyrtar të kreut të qeverisë, Dorian Duçka.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.