Serbët e Kosovës themelojnë parti të re

Postuar në 23 Tetor, 2023 19:11

Një parti e re politike do të përfaqësojë serbët e Kosovës. Lëvizja Popullore Serbe do të veprojë në zonat e banuara me shumicë serbe në veri dhe jug të lumit Ibër.

Partia e re është themeluar nga Branimir Stojanoviç dhe Millia Bishevac dhe synon të jetë një alternativë e Listës Serbe, i vetmi formacion politik që ka përfaqësuar deri tani komunitetin serb në Kosovë.

"Ne duam të ndërtojmë një organizim të ri politik që do të përfaqësojë interesat e njerëzve nga të gjitha komunitetet serbe në mënyrë të arsyeshme dhe racionale", tha Branimir Stojanoviç në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë (REL).

Stojanoviç është vetë një nga themeluesit e dikurshëm të Listës Serbe. Ai është larguar nga kjo parti pasi deklaroi se nuk pajtohej më me politikat e saj.

Edhe Bishevac është një i pakënaqur me mënyrën si Lista Serbe i ka përfaqësuar qytetarët serbë të veriut të Kosovës. Në zgjedhjet lokale të Kosovës në vitin 2021, ai ishte kandidat i pavarur për kryetar të Graçanicës, komunë me shumicë serbe afër Prishtinës. Ndërsa në Zubin Potok, me Iniciativën e tij Qytetare për Zubin Potokun, hyri në Kuvendin Komunal si këshilltar.

Partia e re e serbëve lind në një moment kur pakënaqësitë me Listën Serbe, të varur nga Beogradi, janë shtuar. Politikanët serbë në opozitë me të kanë deklaruar së fundmi se ajo e ka humbur legjitimitetin tek populli që ka përfaqësuar.

Ideja e pluralizmit në përfaqësimin e minoritetit serb në Kosovë është hedhur sidomos pas sulmit në Banjskë më 24 shtator. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha pak ditë pas sulmit se serbët kanë vetëm një parti politike, Listën Serbe, të cilën e kontrollon nënkryetari i saj, Milan Radoiçiç, i cili luajti rol kryesor në sulm.

“Shqetësimet për të drejtat e serbëve të Kosovës nuk janë të bazuara nëse ata injorojnë të drejtën për pluralitet politik dhe nevojën për përfaqësim të lirë nga kriminelët e sanksionuar nga Perëndimi, të cilët kanë qenë të përfshirë në vrasjen e policëve dhe terrorizimin e njerëzve që duhet të përfaqësojnë”, tha Kurti.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.