Kurti në krye të projektit shqiptar të "Perëndimit Kolektiv"? Në Beograd flasin për Luftë III Ballkanike

Postuar në 28 Gusht, 2023 14:29

Në Tiranë, takimi i Bledit në Slloveni, po interpretohet si një tavolinë ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po i vardiset kryeministrit të Shqipërisë për të krijuar opsione politike për veten. Kjo është në vazhdën e një politike mediatike që synon të restaurojë imazhin e z. Rama si lojtar kryesor në rajon, vërejtjet e të cilit gjatë krizës së fundit në Kosovë, duhen parë si receta strategjike.

Mirëpo mejhania e Tiranës qëndron pak anash dhe larg mënyrës sesi shihet aktualisht situata gjetkë. Pavarësisht presioneve që iu bënë Kosovës dhe kritikave publike, në Beograd po e bëjnë të qartë se Albin Kurti nuk ishte vetëm në atë që bëri në Veri. Dhe se qëndrimi i tij, i vlerësuar si kokfortësi në të vërtetë mund të jetë zbatim i një politike që synon të homogjenizojë sigurinë e Ballkanit duke shtrirë NATO-n kudo.  

Në mediat serbe po luhet një tjetër muzikë nga ajo në Tiranë. Gazeta “Politika” shkruan se Perëndimi Kolektiv – term i huazuar ky nga politika ruse – po armatos Kosovën që ka synime ta përdorë si mjet për të disipliniar Beogradin. SHBA, Gjermania, Britania e Madhe dhe Turqia janë aktorët kryesorë në këtë kuadër. Në mbështetje të këtij argumenti sillen komentet e një analisti nga Qendra për Stabilitetin Social, Srdan Graovac.

Perëndimi kolektiv po e armatos Kosovën për të ushtruar presion shtesë mbi Beogradin. Duke ditur se të gjitha vendet rreth provincës jugore të Serbisë janë anëtarë të NATO-s dhe se forcat serbe janë dislokuar në Kosovë, bëhet e qartë se kundër kujt drejtohet ky armatim...Shqiptarët e Kosovës nuk do jenë asgjë më shumë sesa një vegël e NATO-s për të disiplinuar Beogradin

citohet Graovac.

Një tjetër komentator serb, Vlade Raduloviç flet madje për një “luftë të tretë ballkanike”, një opsion që sipas tij po përflitet në disa qarqe.

Faktori shqiptar në rajon mund të jetë problematik deri në një shkallë të tillë saqë ka biseda në qarqe të caktuara për një Luftë të Tretë Ballkanike të mundshme, në të cilën vende të rajonit mund të bashkohen kundër faktorit shqiptar

citohet analisti serb.

Sigurisht që ky është një alarm i rremë, karakteristik për Beogradin dhe propagandën serbe. Pasi e gjitha kjo bie ndesh me të gjithë politikën e deritanishme për të mos hapur asnjë front të ri në kuadër të krizës ukrainase. Ajo që po vepron këtu është hiperbolizimi i faktorit shqiptar si agjent destabilizues në Ballkan me Albin Kurtin në krye si aktorin kryesor të konfliktit. Nuk është rastësi që teza të tilla qarkullojnë pak para një takimi të përfolur mes Kurtit dhe Vuçiç, ndërkohë që për sa i përket situatës në Veri, pala serbe nuk ka më se çfarë të pretendojë veç zgjedhjeve që është deklaruar se do të mbahen.

Është e qartë se dështimi kryesor i politikës serbe në Kosovë është mosarritja e një dakordësie me Prishtinën, dakordësi që e kishte arritur fare mirë me PDK-në dhe lejimin e zonave pa kontroll në Veri. Që këtu nis edhe loja e provokimeve dhe ushqimit propagandistik se ndaj Serbisë ka një komplot ndërkombëtar. Nëse këto teza adoptohen nga Beogradi zyrtar edhe formalisht, atëherë ato e shndërrojnë natyrën e propozimeve të bëra nga dyshja e BE-së dhe z. Rama në Tiranë, pasi nëse ka një plan për të goditur Serbinë me armë në duar të shqiptarëve, atëherë qasja e Tiranës ka qenë kundër Perëndimit. Kamufluar si politikë paqëtimi dhe po kështu, në këtë konteskt, afrimi i Shqipërisë me Serbinë ka qenë nismë e pakonsultuar me Perëndimin.

Sigurisht që z. Rama nuk ka asnjë detyrim të shpjegojë dhe reagojë mbi ato që shkruajnë mediat në Serbi, edhe pse kemi parë se ai nuk qëndron dot indiferent. Thjesht loja propagandistike serbe po e nxjerr zotërinë në një dritë që nuk është aspak e përshtatshme për djalin që kaloi teatralisht në këmbë nga Presheva në Kosovë.

s.zaimi

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Kaq per te qare hallin eshte bere Kurti sa ta fusni ne projekte idiote inekzistente (e pranoni vete)? Po Rama ku hyn ketu? Ndonje dite do i kerkoni hesap pse fryn era nga jugu dhe jo nga lindja.

Submitted by Doktor Mortja (not verified) on

E vertete?!
Ku te hyje Rama??!!!!
Kllouni eshte thjesht për te be gallate!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.