Europën po e plak pasiguria për të ardhmen

Postuar në 29 Korrik, 2023 20:37

Europa po plaket dhe arsyeja kryesore pse po lindin më pak fëmijë është pasiguria për të ardhmen.

Daniele Vignoli, profesor i demografisë në Universitetin e Firenzes, kreu në vitin 2019 një studim mbi shkaqet e lindshmërisë së ulët.

Shumë prej 1 600 pjesëmarrësve i thanë atij se vështirësitë ekonomike – veçanërisht mungesa e punës ose aksesit në strehim – nënkuptonin se ata ndiheshin të paaftë për të pasur një fëmijë. Të tjerë panë si arsye rritjen e shqetësimit të përgjithshëm për gjendjen e botës.

Rezultatet tona treguan shumë qartë se lindshmëria ndikohet nga narrativa të pasigurta të së ardhmes”, thotë Vignoli.

Projekti që ai drejton është financuar nga BE dhe përpiqet t’i japë përgjigje pyetjes si lindshmëria po ndikohet nga ankthet e shumta te njerëzit. E quajtur EU-FER, nisma gjashtëvjeçare do të përfundojë në gusht 2023.

Ankthi për të ardhmen po bën që gjithnjë e më shumë njerëz në Evropë ta shtyjnë sjelljen në jetë të një fëmije ose të heqin dorë, thotë Vignoli.

Në vitet 1960, italianët kishin mesatarisht 2.4 fëmijë. Sot ata kanë 1.25, nën mesataren e BE-së prej 1.53. Në Itali, mosha mesatare në të cilën gratë lindin fëmijën e tyre të parë është 31.6 vjeç.

Këto shifra janë nën atë që demografët e quajnë "niveli i zëvendësimit" - numri mesatar i lindjeve të nevojshme për të mbajtur të qëndrueshëm numrin e popullsisë në mungesë të migrimit.

Në vitin 2022, më shumë se gjysma e popullsisë së Evropës ishte më e vjetër se 44.4 vjeç dhe më shumë se një e pesta ishte mbi 65 vjeç.

Të rinjtë po rriten në një botë të goditur nga ndryshimet e shpejta teknologjike dhe përkeqësimi i ndryshimeve klimatike deri te ndotja e ajrit, detit dhe tokës dhe konflikti gjeopolitik midis fuqive të armatosura bërthamore.

Pasiguritë për të ardhmen reflektohen direkt në numrin e lindjeve. Kriza e 2007-2008 është pasuar menjëherë me rënie të lindshmërisë, ndërsa shoku që pandemia i shkaktoi ekonomisë botërore e ka thelluar këtë rënie.

Ekspertët nuk parashikojnë përmirësim në këtë aspekt.

Dr. Anna Matysiak, eksperte në punësimin dhe dinamikën e familjes, thotë se rritja e automatizimit në tregun e punës ka kontribuar më tej në uljen e lindshmërisë në Evropë.

“Ndryshimet e vendit të punës kanë implikime të rëndësishme për fertilitetin pasi ato shkaktojnë pasiguri,” tha ajo. "Por gjithashtu nevoja për t'u rikualifikuar dhe për t'u përshtatur shtyn kohën që njerëzit mund të shpenzojnë për lindjen dhe rritjen e fëmijëve."

Në çdo rast, ndërsa popullsia e Evropës plaket dhe mbështetet gjithnjë e më shumë tek brezat e rinj, rënia e mëtejshme e lindjeve veçse do t’i shtojë pasiguritë.

Demografia përcakton të kaluarën tonë, por gjithashtu përcakton të ardhmen tonë”, thotë Vignoli.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.