Asgjë në këtë jetë nuk është e mirëqenë...

Postuar në 25 Korrik, 2023 14:23
Intervistoi për ResPublica: Eleana Zhako

 

Angelos Baraj(Barai) është fotografi më i ri në moshë nga rrethi i fotografëve që njoh në Greqi, por me një përvojë shumë të pasur, që i ka fillimet e veta kur ishte 15 vjeç. Kureshtja dhe guximi i çartur, tipare dominuese të rinisë së njeriut, qenë ato që e ndihmuan fillimisht të njihet me fotografë të njohur e të mësojë sekretet e profesionit. Krahas vlerësimeve në Greqi, puna e tij është bërë e njohur edhe jashtë nga organizata të rëndësishme, si Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM). Në moshën 29 vjeçare ai ka realizuar disa projekte të suksesshme, ku një vend të veçantë zë projekti “My Albania”, një projekt i pambyllur për fotografin, i cili ende nuk e ka përshkuar trajektoren e vet, sepse dëshira për të njohur më thellë njerëzit dhe vendin e tij të origjinës, i ngjan një amaneti zhuritës, të paplotësuar, sikurse thotë.

Në faqen tuaj shkruhet, që keni lindur në Shqipëri në vitin 1994 dhe në moshë te vogël emigruat për në Greqi. Në çfarë viti jeni larguar nga Shqipëria?

Jam larguar nga Fieri në vitin 1998, kur isha 4 vjeç. Ndonëse kam qenë i vogël, ruaj disa kujtime të vagullta. Më kujtohet, që ditën e nisjes binte shumë shi dhe udhëtimi m’u duk tmerrësisht i gjatë. Kur u afruam në Kakavijë, mamaja me shoferin e makinës dolën, që të tregonin dokumentat dhe unë hapa derën, që të shkoja t’i gjeja. Më thanë, që humba për pak orë dhe që më gjetën policët. Mami ishte tmerruar pasi ka qenë një periudhë shumë e trazuar dhe patën humbur shumë fëmijë. Në sheshin qendror të Athinës, në “Omonia”, na priste babi, i cili kishte vite që punonte në Greqi. Babi nuk kishte mundësi të ndodhej gjatë lindjes sime dhe kjo zbrazëti, ndihet ende mes nesh. U vendosëm në Neo Kosmos, në të ashtuquajturat ndërtesa të refugjatëve, që ishin ndërtuar në kohën e ardhjes së refugjatëve grekë pas dëbimit të tyre nga Azia e Vogël. Mami në fillim ishte në gjendje shoku, sepse shpresonte që do të banonim në një shtëpi të hajrit. Ato ishin shtëpi të braktisura dhe me dyer të pasigurta, por nuk kishim mundësi në atë kohë për diçka tjetër. Në ato vite, ka qenë shumë e vështirë për shqiptarët, që të gjenin shtëpi. Nuk e dija, që jashtë disa pallateve, kishin ngjitur letra, që shkruanin “Jo, shqiptarë’. Ma tha mami, vite më vonë, atëherë kur kisha kërshëri të mësoja më tepër gjëra rreth meje, rreth familjes sime e Shqipërisë.

Gjatë viteve të para të shkollës jeni ndeshur me ndonjë shfaqje racizmi, të dukshme ose jo të drejtpërdrejtë?

Unë u rrita në Kato Petralona, në një apartament gjysmë të nëndheshëm prej 15 metrash katrorë. Ende dhe sot, kur kaloj në lagjen time të vjetër, ndalem dhe e kundroj. Ngaqë në Kato Petralona, punëtorët dhe emigrantët përbënin një përqindje të rëndësishme të banorëve, gjithë ne fëmijët, kishim shumë të përbashkëta mes nesh. Nuk mbaj mend shfaqje racizmi në shkollë, as nga nxënësit dhe as nga mësuesit. Vetëm më vonë, mamaja e një nxënëseje, me të cilën isha zënë, më tha që të mos bëja më shoqëri me të e të ikja në vendin tim. Atëherë nuk arrija ta kuptoja domethënien e kësaj shprehjeje, që ishte shumë në modë dhe e dëgjoje një më dy. Për një fëmijë, që rritet në të njëjtin vend dhe njerëzit i thonë ‘të shkosh në vendin tënd’, nuk e ka të qartë se cili është vendi i tij. Nuk më interesonte që isha nga Shqipëria, në mendjen time nuk ekzistonte ky diferencim, pasi edhe prindërit e mi, nuk më kishin edukuar me këtë frymë. Me përjashtim të disa prindërve, me fëmijët grekë, nuk kisha asnjë problem, flisnim e luanim bashkarisht. Madje, duke u rritur, nuk u jepnin të drejtë prindërve të tyre dhe e kundërshtonin këtë lloj mendësie.

Më ka ndihmuar shumë edhe fakti, që mami punoi për 12-13 vjet në furrën e bukës afër shkollës. Të gjithë e dinin, që isha djali i shitëses. Kjo gjë, më favorizoi shumë, sepse kishin opinion të mirë për mamanë time dhe rrjedhimisht sjelljet e çuditshme fashiteshin. Ndonëse nuk dinte mirë greqisht, e caktuan që në fillim shitëse dhe kështu kishte mundësi të praktikonte gjuhën e të njihej me shumë njerëz. Nga kjo furrë buke, kanë kaluar gati gjithë mësuesit e mi, drejtoresha e shkollës, krejt nxënësit e shokët e mi të klasës. Mamaja ime i pa këta fëmijë, në gjithë fazat e tyre të rritjes. 

Mendoj, se jam jam shumë me fat, që u rrita në një lagje të tillë si Kato Petralona

Këtë emër keni pasur, që në lindje?

Emri i lindjes është Briseid, por tani më ka mbetur Angelos. Megjithatë në dokumenta nuk e kam ndryshuar, është Briseid. Ende të afërmit, më thërrasin Eidi ose Seidi. 

Kur ju lindi dëshira për fotografinë?

Që i vogël, më pëlqente të fotografoja. Babi kishte një aparat fotografik të vjetër, të markës Kodak, që e ruaj edhe sot. Ngaqë prindërit ishin gjithë ditën në punë, nuk i shikoja shpesh. Shumë nga çastet që mbaj mend, lidhen me festime të ndryshme, që organizonin emigrantët shqiptarë në shtëpitë e tyre. Duke qenë se nuk e njihin mirë gjuhën greke dhe nuk ishin në gjendje të mirë ekonomike, mblidheshin në shtëpitë e njëri-tjetrit.  Babi më jepte kamerën e tij dhe kjo më pëlqente pa masë, sepse duke nxjerrë fotografi nga mbledhjet e tyre, ndihesha i vlefshëm dhe në qendër të vëmendjes, që në këtë mënyrë kujdeseshin për mua. Më vonë, gjatë adoleshencës, kur dilja me shokët, më pëlqente te fotografoja gjithçka me celularin tim, që të kishim sa më shumë kujtime. S’e kisha menduar kurrë gjatë adoleshencës, se do të merresha më vonë profesionalisht me fotografinë. Në kohën e krizës ekonomike në Greqi, shkova me një miken time në një protestë që bëhej në qendër të Athinës dhe aty u magjepsa nga numri i madh i fotoreporterëve, që fotografonin reagimin e protestuesve të zemëruar. Mendova, që desha dhe unë të bëja diçka të tillë dhe fillova të kërkoj për një aparat fotografik, jo shumë të shtrenjtë dhe në më në fund ia dola të merrja në aparat të vjetër.

Prindërit e mi nuk kishin mundësi të më ndihmonin, pasi mbetën pa punë dhe u detyruam të ndryshonim lagje. Me kamerën time, fillova të shkoja në çdo protestë, përpiqesha të mos humbisja asnjë prej tyre. Isha i papërvojë, por s’isha i ndrojtur dhe qëndroja afër fotografëve të njohur, që të mësoja prej tyre. Nuk e kisha idenë se cilët fotografë ishin, atëherë që flisja me ta. I shkoja afër Behrakit, një fotografi shumë të njohur grek, që tani ka ndërruar jetë dhe nuk isha i vetëdijshëm për famën e tij.

Në cilat protesta keni marrë pjesë si fotograf?

Veprimtarinë time fotografike e nisa me të Indinjuarit, që njihet si ‘’Lëvizja e të Indinjuarve’’.  Nevoja për t’u zhvilluar si fotograf, më shtyu që të marr pjesë në protestat sociale, gjatë gjithë periudhës 12 vjeçare, që punoj me fotografinë. Ndryshimi nga fotografitë e para gjer te të mëvonshmet, është shumë i madh. Kjo ka të bëjë me faktin, që përpiqem të përmirësohem vazhdimisht, etapa e zhvillimit është e gjatë. Duke parë nga afër përleshjen e protestuesve me forcat policore, kjo më nxiti që të vazhdoja. Kisha nevojë t’i ndihmoja këta njerëz përmes fotografisë, të jepja edhe unë kontributin tim mbi atë çka ndodhte.

Gjithashtu fotografova Lëvizjen e Pastruesve të Hequra nga Puna. Merrja pjesë atëherë në shumë NGO dhe grupe të vogla. Një nga këto NGO-t ishte dhe ‘’Generation 2.0’’, që kishte luftuar shumë për çështjen e nënshtetësisë për emigrantët. Ishte mënyra më e mirë për mua, që të mësoja nga brenda se cilat ishin problemet sociale.

Kam fotografuar edhe tubimet e Agimit të Artë.  U mundova të isha sa më low-profile, të bija sa më pak në sy. Kjo përvojë me ekstremin e djathtë, më ndihmoi që të kisha një identitet dhe perceptim më të qartë. Nuk u rrita në një mjedis të politizuar dhe nuk kisha një rreth miqsh, që të diskutonim mbi të drejtat njerëzore. Gjithë informacioni që përthithja, ishte kaq i madh për mua, saqë u përfshiva kokë e këmbë, fotografia filloi të më tërhiqte gjithmonë e më tepër.

Keni publikuar fotografi të Agimit të Artë në rrjetet sociale?

Në rrjetet sociale jo aq shumë, më tepër për agjenci lajmesh si "Al Jazeera". Ishte hera e parë për mua, që shihja nga afër njerëz me kaq ide kaq esktreme dhe fillova të kuptoj fytyrën e ekstremit të djathtë, se si kjo parti manipulonte kryesisht njerëzit që vinin nga shtresa të ulëta dhe depërtimin e saj në shoqërinë greke, në forma të dukshme e të padukshme.

 Nga projekti "My Albania"

Po kriza e refugjatëve, ç’rol ka lozur në zhvillimin tuaj profesional?

Ndryshoi gjithë jeta ime. Kriza e refugjatëve ishte një periudhë shumë shokuese për mua, sepse u identifikova me ta. Ishte si të rigërvishja një plagë, që qe gjithmonë brenda meje. U përpoqa të punoja vetëm, pa bashkëpunuar me mediat. Ikja pa u thënë prindërve dhe atë shumë parash, që kisha mbledhur, e përdora për udhëtimet e mia. Fotografova refugjatë në Pire, në Sheshin Viktoria në Athinë, në Maqedoninë e Greqisë, në Idhomeni dhe sidomos, në Moria.

Përtej aspektit human dhe profesional, si ndikoi kjo përvojë në botëkuptimin tuaj identitar?

 Mësimi më i vyer që mora është, se asgjë në këtë jetë nuk është e mirëqenë. Më ndryshoi këndvështrimin e të parit të gjërave dhe njoha edhe njerëz të kombësive të tjera, që ndryshe s’do të më jepej rasti t’i njihja

Ishin miqësorë me ju, bashkëpunues?

Merreshim vesh me gjuhën e trupit, me buzëqeshje. Nuk është e nevojshme, që të njohësh gjuhën e tjetrit, që të komunikosh me të, komunikimi lind nga brenda. Në kampin e refugjatëve në Moria, kisha shumë nevojë të tregoja atë çka ndodhte aty, një kamp ku njerëzit jetonin në kushte mizerabël. Kur nisa t’i fotografoj, kuptova që po fotografoja në mënyrë informative e gazetareske, nuk më pëlqeu kjo gjë, pasi desha të kisha një stil më personal, që më përfaqësonte më shumë. Një rol shumë të madh në ndryshimin e perceptimit tim fotografik, pati njohja me fotografin e njohur shiptar në Greqi, Enri Canaj.

Fillova të mendoj për ndijimet e mia në jetë dhe entuziazmin parak, që ndiejnë emigrantët e refugjatët kur mbërrijnë në një vend të huaj dhe kanë dëshirë të bëjnë gjëra. Pashë se si jashtë kampit, kishte njerëz që luanin me top, shëtisnin ose notonin. U mundova t’i fotografoj këta njerëz në fazën e tyre të ambientimit, mënyrat që gjenin të përshtateshin e të kalonin mirë, shpresën. Projektin tim në Moria, e quajta “Kalimi i zogjve”, i përfytyrova ata njerëz si zogj. Nëse një zog do të thyente këmbën, s’do mund të ikte, pa u shëruar më parë. Refugjatët jetonin në një ishull shumë të bukur, por bukuria e jashtme nga ajo çka ndienin njerëzit në të vërtetë, ndahej nga një kontrast shumë i madh. Isha aty, edhe kur Moria mori flakë e u bë shkrumb e hi. Për projektin e Morias, u nderova me çmimin e Fotografisë nga Fondacioni "Stavros Niarhos".

Po në lidhje me Shqipërinë, keni ndonjë projekt në zhvillim?

Po, projekti quhet “My Albania” dhe është projekti im i parë. Nisa të fotografoj gjyshërit dhe të afërmit e mi në Shqipëri, sa herë që shkoja. Pikënisja e këtij projekti, lidhej me dëshirën për të njohur më mirë veten, njerëzit e mi dhe vendin tim, më mungonte pjesa e Shqipërisë. Kështu fillova të kaloj një kohë më cilësore me gjyshin e gjyshen në Shqipëri, të shkoj me ta në arra, t’i pyes për gjëra të ndryshme, si u njohën, çfarë pensioni merrnin, biseda politike, desha të mësoja gjithçka për ta përmes fotografisë. Por, ky projekt do të përfundojë, kur të mbyllet rrethi familjar.

Çfarë keni parasysh me mbylljen e rrethit?

Sepse ende ndiej, që nuk di shumë gjëra për vendin tim, kam një lloj pangopësie. Shqipëria është atdheu im i fëmijërisë, njerëzit e mi më të dashur ndodhen atje. Ka shumë ndryshim mes fëmijës që do të shkojë në atdhe thjesht për pushime nga fëmija, që do të mësojë për njerëzit e vendit te vet. Kam dëshirë ta njoh më mirë Shqipërinë. Ky projekt ishte një mjet, që të njoh më mirë të afërmit e mi e Shqipërinë. Pas kthimit nga Shqipëria, nisën dyndjet e refugjatëve në Greqi dhe kjo periudhë amplifikoi brenda meje dramën, që vuanin të ardhurit. Nuk desha të bëhesha një fotoreporter që thjesht i shërben qëllimit të mediave.

Paralelisht me projektin e refugjatëve, fillova dhe projektin “I feel good”, që lidhet me komunitetet e emigrantëve në Greqi dhe kryesisht në zonën e Atikës. Ideja nisi nga nevoja e shqiptarëve, që të gjejnë mënyra dëfrimi, përveçse të punojnë. Pra, si argëtohen emigrantët. Fjala emigrant të kujton punëtorin, të burgosurin, atë që s’ka dokumenta, atë që jeton në mjerim, çka nuk përfaqëson realitetin. Rrjedhimisht, nisa të kërkoj komunitete të ndryshme dhe të mësoj prej tyre se e si kalonin kohën e lirë. Në fillim, shkoja në faltoret e tyre, në vendet e adhurimit, sepse kështu ishte më e lehtë, që të njihja njerëz. Pastaj dalëngadalë, fillova të miqësohem me ta dhe të shkoj edhe në shtëpitë e tyre

Veçoni ndonjë komunitet?

Komunitetin afrikan. Fillimisht u impresionova nga muzika gospel, lloj muzike kristiane, por edhe nga roli që kishte muzika në përditshmërinë e tyre, nevojën e tyre për t’u shprehur përmes muzikës. Hyja në vendet e tyre dhe ndihesha sikur ndodhesha në një shfaqje teatri, kjo gjë më tërhiqte shumë. Shumë vende adhurimi fetar ndodhen në shtëpi-bodrume, në depo, në pallate dhe funksionojnë ilegalisht, pa leje. Komuniteti afrikan, më ndihmoi shumë nga ana fotografike në përfytyrimin e imazheve, përpiqesha t’i kompozoja fotografitë, jo thjesht të rrokja momentin. Mundohesha të krijoja imazhe pozitive, që të mund t’i jepja zë projektit tim “I feel good”. U thellova më tepër te komuniteti afrikan, pasi e ndieja që e kishte nevojë më tepër se komunitetet e tjera. Është një komunitet shumë i madh, gati i padukshëm për Greqinë. Marrëdhënia ime me këta njerëz nuk është vetëm profesionale, në kuptimin ‘’mbarova punë dhe kaq’’. Kam një lidhje shumë të fortë me ta. Disa nga këto fotografi kanë marrë çmim nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin.

Do shtoja, jo vetëm për grekët, por edhe për komunitetin shqiptar në Greqi, afrikanët janë të padukshëm. Pikëtakimet midis komuniteteve të ndryshme të emigrantëve në Greqi, janë gati inekzistente.

Në fakt, nuk kisha aq nevojë të mësoj rreth komunitetit shqiptar në Greqi, se sa rreth komuniteteve të tjera. Megjithatë, pavarësisht paragjykimeve e stereotipeve ekzistuese, kur njerëzit nga komunitete të ndryshme vijnë në kontakt mes tyre, këto barriera rrëzohen. Mamaja ime s’e kishte menduar kurrë, që do mikpriste një miken time afrikane në shtëpinë tonë për njëfarë kohe, por gjatë qëndrimit të saj bënin shumë shoqëri dhe ndryshoi perceptimi i saj për të huajin.

Po për komunitetin shqiptar, çfarë vendesh zgjidhni?

Për të fotografuar komunitetin shqiptar, shkoja në lagjet e lokalet, që frekuentonin më shumë, Metaksurgio, Omonia, Kolono, por edhe në vende dasmash. Hyra njëherë në një kishë katolike, ku shkonin shqiptarët katolikë dhe pronari i kësaj hapësire, i cili ishte grek, mori për një çast mikrofonin e tha: “Ëndrra ime është të pajisem me nënshtetësi shqiptare”.

Nuk ka vetëm shqiptarë që duan të bëhen grekë, por edhe grekë që duan të bëhen shqiptarë. Ju në çfarë viti e morët nënshtesinë greke? Përbënte më parë pengesë në punën tuaj mospasja e saj?

Në punën time në Greqi, jo, por kur doja të bashkëpunoja në disa produksione me vende të tjera, po. E mora në vitin 2017, gjatë kohës së Syriza. Ndjenja, që kam të drejtë vote, më hoqi një barrë shumë të madhe nga vetja, pasigurinë e përgjithshme që kisha, e cila ishte shndërruar në traumë. Madje edhe tani, që jam nënshtetas grek, sa herë që kaloj nga pika të ndryshme kontrolli, më duket sikur ende do të më thotë dikush diçka për letrat e mia, provoj të njëjtën ndjesi, si atëherë që kisha vetëm pasaportë shqiptare.

Përveç fotografisë, ju merreni edhe me dokumentarë. Sa dokumentarë keni realizuar deri tani?

Pesë vitet e fundit, kam realizuar dy dokumentarë. I pari kishte të bënte me komunitetin afrikan të Greqisë dhe me debatin, që nuk duhet të pajisen me nënshtetësi greke vetëm afrikanët e shquar në fushën e sportit, siç është Giannis Antentokoumpo (Janis Adedokubo), kurse tjetri lidhet me vrasjen e dy të rinjve romë nga policia greke, i cili mban titullin “Drejtësi”, por të shkruar enkas në formë jo korrekte, ashtu siç ishte shkruar në banderolën e famlijes rome, që kërkon drejtësi për birin e vrarë. Në të dy dokumentarët jam bashkëregjisor. Aktualisht jam fotograf i Stegit të Fondacionit “Onassis” dhe vazhdoj të bashkëpunoj me NGO e organizata të ndryshme.

Pas një përvoje të pasur me komunitetet e huaja në Greqi, mendoni që komuniteti shqiptar ka pasur impaktin më të madh në ndërveprimin e elementit grek me atë të huaj?

Komuniteti shqiptar e ndihmoi shumë shoqërinë greke në pranimin e tjetrit, e të huajit. Sot, shqiptarët në Greqi, kanë ndërtuar jetën e tyre, kanë bizneset e veta dhe shumë grekë punojnë tani edhe në bizneset e shqiptarëve ne Greqi. Është përmbysur perceptimi i mëparshëm. Shqiptari tashmë për grekët, nuk është vetëm argati që punon tokën. Çdo herë që marr një çmim në Greqi, më pëlqen të them që e kam origjinën nga Shqipëria.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.