Seksi pa ngjyra

Postuar në 17 Korrik, 2023 17:15

Humbja afatgjatë e nuhatjes është më shumë se thjesht një shenjë dalluese e COVID. Edhe para pandemisë, ekspertët vlerësonin se të paktën një në tetë njerëz jetonte me një nivel të caktuar të mosfunksionimit të nuhatjes dhe rreth tre për qind nuk e kishin fare si shqisë. Disa njerëz e humbin nuhatjen si rezultat i infeksioneve të tjera të rënda të frymëmarrjes, ose i çrregullimeve neurodegjenerative, traumave të kokës ose problemeve të tjera shëndetësore. Disa kanë nuhatje të reduktuar dhe disa e humbasin shqisën si pjesë e natyrshme e procesit të plakjes. Por pa marrë parasysh shkakun apo shtrirjen, humbja e nuhatjes shpesh ka efekte të mëdha në jetën e njerëzve - duke përfshirë jetën e tyre seksuale.

Ne e kemi kuptuar prej kohësh se aroma ka njëfarë ndikimi në seks. Ky ndërgjegjësim i gjerë nxit pretendimet për potencialin sensual të aromave specifike ose feromoneve. Por hulumtimi i vështirë për efektet e erës në seks është në fakt ende në fillimet e tij, kështu që shumica e pretendimeve të tilla janë anekdotike në rastin më të mirë – dhe pothuajse të gjitha bisedat për feromonet janë marrëzi. Gjithçka që dimë me siguri është se aromat që ne na duken të rënda mund të dekurajojnë eksitimin, ndërsa çdo erë që na pëlqen personalisht mund të na e bëjë gjakun të lëvizë më shpejt - dhe se pasi njerëzit humbasin aftësinë për të nuhatur shpesh raportojnë një rënie në dëshirën e tyre seksuale, si dhe në nivelet e përgjithshme të kënaqësisë seksuale.

Falë neglizhencës sistematike të kulturës sonë për nuhatjen dhe gjendjes anemike të shkencës së kësa shqise, shpesh është e vështirë për njerëzit që e humbasin atë të gjejnë dikë që mund t'i ndihmojë ata të kuptojnë se çfarë po kalojnë. Specialistët e paktë në këtë fushë dhe grupet mbështetëse që ekzistojnë fokusohen gjithashtu në ndihmën e njerëzve për të trajtuar çështje thelbësore të sigurisë, si pamundësia për të nuhatur rrjedhjet e gazit ose prishjen e ushqimit dhe për t'u marrë me ankthin dhe depresionin që shpesh pasojnë humbjen e nuhatjes. Nuk ka pothuajse asnjë informacion ose mbështetje për njerëzit që përpiqen të përballen me efektet seksuale të humbjes së nuhatjes.

Unë e kam humbur nuhatjen prej të paktën gjashtë vitesh. Gjatë dy viteve të fundit, jam përpjekur të zbuloj sesi ky ndryshim shqisor ndikon në çdo aspekt të jetës sime. Kohët e fundit, kontaktova me Paige, një anëtare aktive dhe e mirëinformuar e komunitetit të humbjes së nuhatjes, e cila e humbi shqisën në fjalë më shumë se një dekadë më parë, për të folur për të gjitha mënyrat se si humbja e nuhatjes mund të ndikojë në seks - dhe sa e vështirë mund të jetë për të përcaktuar ose reaguar ndaj atyre efekteve.

Nuhatja është një shqisë kaq komplekse dhe marrëdhënia e të gjithëve me të duket kaq e veçantë. Sa e vetëdijshme ke qenë për aromat në jetën në tërësi, dhe veçanërisht në jetën tënde seksuale, përpara se të humbje nuhatjen. A ishte nuhatja një mekanizëm i rëndësishëm për t’u lidhur me botën?

Si shumica e njerëzve, unë nuk i kushtova shumë vëmendje shqisës sime të nuhatjes derisa ajo u zhduk. Patjetër që e mora si të mirëqenë. Kur bëhet fjalë për seksin, ti mund të nuhasësh trupin e partnerit, djersën e tij dhe çdo gjë tjetër që po ndodh, kështu që aroma është pjesë e përvojës. Por ka shumë kohë që nuk kam qenë në gjendje të nuhas… Unë nuk kam ndonjë kujtim të brendshëm të nuhatjes që ndikon në përvojën time të seksit.

Çdo përvojë e humbjes së nuhatjes është gjithashtu e veçantë. Cila ka qenë përvoja juaj?

Isha shumë e sëmurë një dimër, dhe më pas në pranverë, ndërsa po haja mëngjes, kuptova se nuk ndjeja asgjë. Unë jam plotësisht anosmike, pra nuhatjen e kam humbur plotësisht.

A kishte ndonjë pikë, pasi kuptove se nuk mund të nuhasje më, kur vure re për herë të parë se aromat që i kishe marrë si të mirëqena gjatë seksit thjesht nuk ishin më aty?

Ky nuk ishte një vendim i vetëdijshëm, por unë e injorova anosminë time për një kohë të gjatë. E dija se kisha humbur diçka, por ishte shumë e vështirë të kuptoja se çfarë do të thoshte kjo. Dhe e di që kjo nuk ka kuptim për shumicën e njerëzve. Ndonjëherë, njerëzit më pyesin: "Si është e mundur ta injorosh këtë gjë?" Ishte më shumë mospanim nga ana ime. Trishtohesha herë pas here, sa herë që kuptoja se kishte diçka që nuk do të mund ta nuhasja më kurrë, ose që nuk do të kisha nuhatur kurrë diçka të re. Tani që u kthehem fillimeve të asaj përvoje, e kam të vështirë të kujtoj gjëra të tilla.

Por gjëja e parë që më vjen në mendje është kur unë dhe partneri im shkuam për herë të parë në shtëpinë e mamit për pushime. Unë dhe partneri im kishim një vit që ishim lidhur dhe unë kisha një vit që kisha humbur nuhatjen. Pushimet në atë shtëpi mbanin erë si pema e Krishtlindjeve. Aty mendova se nuk do ta ndjeja kurrë erën e partnerit tim. Nuhatja ka lidhje me emocionet dhe mendoj se ndihmon për të krijuar një ndjenjë intimiteti me njerëzit. Mungesa e saj mund të ketë një efekt të vërtetë - megjithëse nuk di si ta shpjegoj atë efekt me fjalë. Pra, duke kuptuar se kurrë nuk do ta ndjeja erën e partnerit tim më bëri të mendoj, kjo nuk është e drejtë. Isha e dëshpëruar dhe e zemëruar. I gjithë ai sezon pushimesh ishte i vështirë për mua. Unë jam ende shumë e trishtuar për këtë. Madje, pyeta nënën dhe motrën time në atë kohë: "Çfarë ere mban ai?" [Qesh.] Njerëzit janë të tmerrshëm në përshkrimin e aromave, kështu që ato thanë pak a shumë: “Oh, ai mban erë të këndshme. Të pastër.”

Si mendoni se ka ndikuar anosmia në vetë përvojën tuaj seksuale?

Është sikur seksin ta dezinfektosh, sepse unë nuk e kuptoj atë element visheral të tij. Nuk e ndjej erën e djersës. Nuk ndjej aromat e tjera trupore. Nuk jam e sigurt se si ta përshkruaj… Dmth, ti po e përjeton botën, por ka një pengesë. Ose, dikush në internet përdori analogjinë e ngjyrave kundrejt TV bardh e zi. Mënyra më e mirë që mund ta them është: Është si të bësh seks bardh e zi.

Pavarësisht nëse jemi të vetëdijshëm apo jo, ne vazhdimisht marrim reagime nga të gjitha shqisat tona gjatë seksit, të cilat ndihmojnë për të përforcuar ndjesitë ose për të na e bërë më intensive përvojën. Heqja e njërës prej tyre - një burimi reagimi - nga ai ekuacion, duhet të ndikojë tek ne. Por efektet e nuhatjes janë shpesh kaq delikate ose të pavetëdijshme, aq të vështira për t'u zgjidhur në kokën tonë dhe kaq të vështira për t'u shprehur me fjalë. Si ia shpjegoni dikujt atë humbje apo mungesë?

Nuk jam e sigurt. Por unë mendoj se mund të themi se e bën seksin më pak të këndshëm në përgjithësi, apo jo? Nëse të mungon një aspekt i shqisave tua… Vijoj t'i kthehem fjalës "visherale". Seksi bëhet më pak visheral në disa mënyra, dhe nëse është më pak visheral, atëherë është më pak intensiv. Por nuk mund ta them me siguri.

/ Me shkurtime nga VICE /

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.