Pse po ikim?

Postuar në 04 Korrik, 2023 16:29

Është bërë e vështirë të matësh dhe parashikosh psikologjinë e përgjithshme të shoqërisë në këtë vend. Ta zëmë, mania për të emigruar mbetet e lartë, ajo kthehet e rikthehet në formë valësh apo histerie, por nuk e humb asnjëherë tërheqjen e vet. Arsyet kryesore të ikjes: ekonomike. Por duhet të ketë diçka më shumë, që duhet hulumtuar mirë.

Ta zëmë, sot kreu i Shoqatës së Transportit Publik deklaronte se ka nevojë për 600 shoferë. Më parë ai i Bareve dhe Restoranteve  deklaronte se duhen 10 mijë njerëz të rinj në sektor. Ankesa për krah pune ka sektori fason, bujqësia po e po e kështu me radhë. Nëse sheh njoftimet e punësimit pagesat janë të paktën siç deklarohen të larta. Ta zëmë, në një njoftim të para disa javëve në një media lokale në Sarandë kërkohej sanitare(jo sanitar) me 1 milionë lekë të vjetra rrogë, me të gjitha të tjerat të hequra. Pra fjetje, ushqim. 

Në ndërtim rrogat thuhet se janë rritur ndjeshëm, mjekët që emigrojnë në masë, apo edhe infermierët kanë mundësi dypunësimi dhe në një qytet si Tirana kalojnë jo keq për nga aspekti ekonomik. Situata është përkeqësuar ndjeshëm edhe në raport me atë deklaratën e famshme të z. Rama që në një panari punësimi u shpreh se: Punë ka, nuk ka profesionistë. Po, punë ka, por tashmë nuk ka më as joprofesionistë. Kemi kaluar nga tema e Ikjes së Trurit tek ajo e Ikjes masive të të gjithëve. Këtë e has edhe në formën e diskutimeve spontane. P.sh para se të vinte Klinton në Tiranë, qarkulloi një lajm se SHBA do të hiqte vizat e hyrjes për shqiptarët.

Aha, d.m.th do ikin të gjthë. E paska plan të sjellin bangladeshas këtu!

Nuk është e qartë se çfarë e ka intoksikuar të gjithë këtë klimë në marrëdhëniet ndërnjerëzore, por fakt është se një ndër arsyet është arbitrariteti i institucioneve, mungesa e efiçencës së tyre dhe sidomos shpërndarja e pasurisë publike në këto dekada, bashkë me pasigurinë thuajase totale juridike në vend për këto që nuk ka lidhje me pushtetin. 

Por duhet të ketë edhe një lloj nervi të prekur në relacionin me këtë vend, me shtëpinë, me familjen. Pak ditë më parë një miku im nga Libani që jeton prej kohësh në Tiranë, më thoshte se situata në Liban, prej nga sapo ishte kthyer, ishte keq. Por jo aq keq sa një vit më parë.

Çmimet tani janë më shtrenjtë se këtu

tha ai. Duke shtuar se ka probleme të tilla si furnizimi me mallra bazë.

Korrupsion ka më shumë se në Shqipëri

tha.

Por nuk ankohen sa këtu

përfundoi.

Është e dukshme, se përmes të gjitha zërave të mundshëm që flasin e punojnë këtu, konfirmohet fakti se marrëdhënia jonë me njëri-tjetrin, me institucionet, vendin, simbolet, aktualitetin, të ardhmen, identitetin janë helmuar. Dhe janë helmuar keq. Mundet të ketë qenë kështu përherë dhe rrethanat kanë kufizuar një pjesë të madhe të njerëzve. Por natyra e zgjedhjes së shumëkujt që largohet edhe pse nuk e ka më aq të vështirë të gjejë një punë, është tregues shumë më i rëndësishëm se çdo statistikë tjetër.

Ajo që thoshte pak kohë më parë kryeministri për studentët e Mjekësisë se “shteti shqiptar nuk mund të investojë për Mjekësinë gjermane” është pjesërisht e vërtetë. Dhe është pjesërisht në mënyrë cinike. Pasi në të vërtetë e gjithë psikologjia e ndërtimit të së ardhmes sonë është një investim jashtë vendit: në shkollim, në punë, në pushime, por edhe për shëndetësinë. Kush nuk e ka menduar dhe nuk vazhdon ende ta mendojë Ikjen, qoftë edhe një herë?!

Është një vend që ofron planin ekonomik, por kjo vazhdon të vijë me garanci ZERO. Dhe me centralizim ekonomik e financiar që nuk përkon më me rrethanat. Duhet ndërhyrë përpara sesa moshimi i popullsisë ta gjejë Shqipërinë brenda vitit 2050, një vend për pensionim të mirë të europianëve, pasi me ritmet e tanishme dhe ndryshimet e legjislacionit në Europë për punën, është e pritshme që Ikja të jetë një dëm pa kthim. Së pari, këta që paguhen me taksat, por edhe vjedhin taksat, duhet të na shpjegojnë pse ndodh kjo gjë. Dhe duhet ta thonë sado e hidhur të jetë.

s.zaimi

Comments

Submitted by Fillestari (not verified) on

Mungon respekti, kjo eshte arsyeja e vertete perse shqiptaret ikin.
Ne nje vend ku trajtohesh si lecke, ku cdo i forte te shtyp me makine ne rruge dhe te shan perse nuk hape syte qe ta shihje e ti shmangeshe, ku te shkel me kembe e kerkon rryshfet portjeri dhe sanitarja, ku gangstere e drogaxhinj dalin rrugeve me Porsche por rritjet e cmimeve bejne qe familjeve normale shqiptare tu dridhet dora per te blere djathe, ku tradita rrenohet posi teatri kombetar dhe ku mungojne hekurudhat dhe trenat, ku arroganca e pashkollesise apo regresiviti psikik te kryetarit te qeverise dhe atij te opozites jane tema kryesore e percjelle cdo dite ne TV nga gazetare shpesh gjysem-analfabete qe nuk dine as shqipen e te flasin me fjale anglisht - cfare te bejne brezat e rinj ketu?
Dhe ketu nuk kemi filluar te flasim per shkollat, per cilesine e trajtimit ne shendetesi, per faktin qe nje fatwa qeveritare ben studentet e mjeksise sot (e te tjeret neser) te bejne pune te detyruar ku ti ngrefet qeverise, ne cdo katund apo cep te vendit, megjithese shume prej tyre nuk nenshkruan asnje kontrate kur filluan arsimimin. Praktikisht mjeket e rinj mund te internohen nga shteti, kur nuk kane mbeshtetje, shkaterrohet si njerez dhe nuk ka asnje mundesi te mbrohen, po nuk paten para te paguaje gjoben. Shqiptaret ikin sepse jane te paafte te behen zot ne shtepite e tyre qe jane uzuruar nga horrat qe u marrin jeten dhe nderin cdo dite, qe sa zbardh e deri sa erret.
Shqiptaret ikin sepse ne vendin e tye nuk shohin as shprese as te ardhme. Dhe kane te drejte.

Submitted by Anonymous (not verified) on

Pse ikin?!?!
Shqiptaret nuk kane shtet!
Shtet kane mafjozet e PD PS LSI.
Vetem keta kane te drejte te jetojne ketu, te tjeret te ikin nga syte kembet!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.