Kometa që nxiti agimin e qytetërimit

Postuar në 28 Qershor, 2023 15:45

Ka dakordësi të komunitetit shkencor në lidhje me një asteroid, i cili mendohet se ka qenë shkak i zhdukjes së dinosaurëve. Por a ka gjasa që një event i tillë kozmik të ketë pasur efektin e kundërt tek njerëzit duke nxitur agimin e qytetërimit?

Ka një hipotezë të re, e cila po merr mbështetje të gjerë, që sugjeron se ishte një kometë ajo që e bëri këtë rreth 13 000 vjet më parë. Studimi mbi të cilin bazohet është botuar në Earth-Science Reviews.

Në funksion të tij janë rishikuar kërkimet ekzistuese mbi hipotezën e ndikimit të Dryas-it të Ri, e cila, në forma të ndryshme, argumenton se një kometë shkaktoi zhdukje të rëndësishme, ndryshime klimatike dhe ndryshime në kulturën njerëzore rreth vitit 10 900 pes.

Me fjalë të tjera, njerëzit parahistorikë mund të kenë qenë dëshmitarë të një ndikimi kozmik katastrofik që shkaktoi zjarre masive, ftohje globale dhe zhdukjen e kafshëve të mëdha, disa prej të cilave mund të kenë qenë pre e njerëzve. Është ende e paqartë nëse ka ndodhur ky impakt. Por në shekujt pasi kometa supozohet se goditi Tokën, kulturat njerëzore bënë kapërcimet e mëdha nga shoqëritë e gjuetarëve drejt qytetërimeve të bazuara në bujqësi.

Një mister që kjo hipotezë synon të zgjidhë është shkaku i Dryasit të Ri, epoka e shkurtër e akullit që Toka përjetoi rreth 12 900 deri në 11 700 vjet më parë. Hipoteza flet për një kometë të mundshme, e cila kishte potencialin për të shkaktuar ftohje globale, sepse zjarret që mund të kenë përfshirë tokën si pasojë e saj mund të kenë lëshuar mjaftueshëm material në atmosferë për të bllokuar ndjeshëm rrezatimin e diellit.

Përkrahësit e kësaj teze kanë një shpjegim edhe për mungesën e kraterit. Ata thonë se pjesa më e madhe e kometës ka të ngjarë të jetë fragmentuar në atmosferë dhe ajo çfarë ka mbetur ka goditur një shtresë të madhe akulli në sipërfaqen e Tokës. Megjithatë, kometa duket se ka lënë pas prova të tjera. Në shtresa të veçanta të tokës, në të paktën 100 vende të kontinenteve të ndryshme, janë zbuluar elementë që kanë të njëjtat karakteristika. Këto shtresa mendohet se janë më të errëta për shkak të qymyrit që prodhuan zjarret masive.

Mostrat e marra nga akulli në Groenlandë dhe vendet kufitare në kontinente të shumta përmbajnë nivele jashtëzakonisht të larta të elementeve të grupit të platinit (PGE). Korja e Tokës nuk përmban shumë PGE, por kometat përmbajnë. Vullkanet gjithashtu mund të prodhojnë PGE, por ky proces do të linte pas shenja kimike, të cilat nuk gjenden. Në përfundim, kjo "flet qartë për një burim jashtëtokësor".

Një tjetër provë është edhe prania e nanodiamanteve, në të paktën 22 vende të ndryshme, ku këto shtresa janë studiuar. Nanodiamante prodhohen "jashtëzakonisht" rrallë nga proceset natyrore tokësore, ndërsa në këto shtresa janë në sasi të mëdha. "Ekzistenca e përhapur e të gjitha këtyre formave të nanodiamantit mund të shpjegohet në mënyrë të arsyeshme vetëm nga një impakt kozmik", shkruajnë studiuesit.

Por edhe nëse ka qenë një kometë ajo që shkaktoi Dryasin e Ri, mbetet e paqartë saktësisht se si mund të ketë ndikuar në të ardhmen e qytetërimit njerëzor.

"Një ngjarje e tillë mund të çojë në mënyrë të besueshme në ndryshime të kulturës njerëzore dhe zhdukje megafaunale siç është propozuar, por nevojiten kërkime më të detajuara për të zbuluar sesi ka ndodhur", shkruajnë studiuesit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.