Histeria për Trakën

Postuar në 16 Qershor, 2023 19:23
Paschos Mandravelis 

 

Në Greqi, ku ne krenohemi për rumët në Stamboll dhe grekët etnikë të Himarës në Shqipërinë e Jugut, trembemi kur dëgjojmë për një minoritet turk në Trakë. Në atë masë sa politikanë të ndryshëm – zakonisht nga e djathta – po krijojnë precedentë të rrezikshëm për vendin. Lexojmë se “deputeti mysliman i SYRIZA-s, Huseyin Zeybek, ishte në shënjestër të Demokracisë së Re, i cili, sipas deputetit të ND-së, Tasos Chatzivasileiou, i quajti “turq” minoritetin në Trakën Perëndimore".

Në letër – dhe konkretisht në Traktatin e Lozanës, i cili është i vetmi që ka rëndësi për mbrojtjen e interesave tona kombëtare – ekziston vetëm një pakicë myslimane, edhe pse kryeministri i ndjerë konservator Konstantinos Karamanlis “në 1978, në Montreux, bisedoi me kryeministrin e atëhershëm turk Bulent Ecevit për një 'pakicë turke' në Greqi", siç thotë profesori i shkencave politike George Mavrogordatos në një koment të botuar në Kathimerini më 18 shtator 2022.

 "A pushoi së ekzistuari apo [pakica] pushoi së qeni turke?", pyeti ai. “Në vitin 1954 (…) u lëshua një urdhër nga kryeministri i atëhershëm, Alexandros Papagos, që tani e tutje, për çdo përdorim, termat ‘turk’ dhe ‘turkish’ do të përdoren zyrtarisht në vend të termit ‘mysliman’, me riemërtimin e detyrueshëm të çdo shkolle dhe organizate 'myslimane' (...), me zëvendësimin ose korrigjimin e menjëhershëm të të gjitha mbishkrimeve dhe shenjave”, ka shkruar profesori.

Natyrisht, si njohës i historisë greke, Mavrogordatos e di se ne kemi një “problem ekzistues", i cili është jashtëzakonisht i vështirë, por edhe i rrezikshëm. Një bombë e vërtetë, një trashëgimi e viteve 1922-23 dhe zgjedhja e bërë atëherë për të pasur përjashtime nga shkëmbimi i detyrueshëm i popullsisë. Por ai nuk e fsheh kokën në rërë, si politikanët, ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe llafazanët e tjerë.

Problemi me Zejbekun nuk është aq ajo që ai tha, por fakti që ai u zgjodh. Kjo do të thotë se shteti grek ka bërë një punë të keqe atje lart. Në të vërtetë, vetëm në vitin 1990, kryeministri konservator Konstantinos Mitsotakis (babai i Kyriakos) shfuqizoi aparteidin e veçantë që kishim vendosur në rajon, me poste ushtarake për të kontrolluar lejet speciale që kërkoheshin për të vizituar fshatrat e minoriteteve. Dhe vetëm në vitin 1995, ministri i atëhershëm i Arsimit (dhe më vonë kryeministri i PASOK), Jorgo Papandreu, lejoi fëmijët myslimanë nga Traka Perëndimore të hynin në universitete, duke ushtruar diskriminim pozitiv në pranimet në to, në mënyrë që ata të mos kishin nevojë të studionin në Turqi.

Mbetet shumë punë për t'u bërë për të ndaluar pakicën e Trakës të kthehet në "bombë me sahat”, siç shkruante Mavrogordatos. Por kjo përpjekje është minuar nga britmat dhe histeritë e disa njerëzve për hir të një grushti votash.

Kathimerini

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.