Po e ndihmojnë sepse është më i dobët se kurrë

Postuar në 06 Qershor, 2023 14:51

Dje në media apo profile të ndryshme serbe në mediat sociale u shfaqën foto të ushtarëve të KFOR-it që hiqnin telat me gjemba të vënë në një nga komunat serbe në veri të Kosovës pas shpërthimit të protestave.

Mesazhi nuk ka nevojë të interpretohet: serbët nuk kanë gjë me KFOR-in.

Sot miqësia mes serbëve dhe KFOR-it ka shkuar edhe më tej: në mediat serbe qarkullojnë video të lojërave sportive mes ushtarëve të KFOR-it dhe banorëve serbë të zonave të veriut.

Mesazhi shumë i qartë: situata është normale. Aty ka qytetarë model që duan paqen, por Kurti dhe Prishtina është pas dhunës dhe tensioneve.

Zhvillohet ky inskenim ndërkohë që kryeministri dhe presidentja e Kosovës këmbëngulin që çtensionimi nis me largimin e grupeve të organizuara serbe dhe dhunës siç i quajti më në fund sot edhe “The Economist”, përpara se të largohen forcat sepciale të Kosovës. Pra në koreografinë e serbit lodërtar që tërheq litarin me ushtarin amerkan, kërkesa e Kurtit tingëllon absurde. Dhe pa referim veçse te policia e tij.

Për pak ne mund të dëgjojmë që ata 35 ushtarë të KFOR-it i sulmoi pas shpine policia e Kosovës për të krijuar pikërisht këtë pështjellim. Më tutje edhe që grupet e dhunshme mund të kenë qenë serbë, por ato paguhen nga Kurti. Xhanëm Kurti dhe Kosova paguajnë edhe ata që dhunojnë njerëz në protestat e Beogradit. Ndaj bota mbarë të ngrihet e ta mbrojë Serbinë nga ky i çmendur që paska gjithë këtë fuqi dhe organizim.

Pse i duhet Beogradit kjo kinema mejhanesh? Sepse presidenti Vuçiç deklaroi në intervistë me CNN se nuk ka asnjë lloj kontrolli mbi njerëzit që protestojnë, por ai e di se ata e respektojnë shumë shtetin e Serbisë. Ata protestues të kujtojnë protestuesit e 21 janarit 2011 në Tiranë. Kush ka qenë aty e ka të qartë se termi respekt për atë kategori është diçka që vjen nga planet tjetër, kështu që z. Vuçiç po kalon në terapi paqëtimi të rremë një realitet që e nxiti vetë. Qysh prej protestave të nisura në Veri dhe brenda vendit të tij, ai raportohet të ketë takuar një deputet të Bunestagut, me të cilin si president i Serbisë ndau pikëpamjet mbi situatën e krijuar duke ecur më tej me kërkesën e përsëritur: dua zgjedhje në Veri!

Dhe po tolerohet në këtë pikë pikërisht sepse tani është më i dobët se asnjëherë. Brenda dhe jashtë Serbisë. Z. Vuçiç sikundër Lajçak me kompani e dinë shumë mirë se mbrojtja që iu bë Serbisë kësaj radhe, në dritën e një dhune që ka autor të qartë e të paekuivok, ka prodhuar kosto besueshmërie mbi vetë ata që ndërmjetësojnë dialogun. Ndaj edhe marrëveshja po kërkohet tani dhe menjëherë.

Me dallimin e vetëm se asnjë kërkesë e Kosovës nuk po konsiderohet. Dhe kjo jo vetëm nuk është e drejtë, por nuk kalon pa gjurmë. Në fund të fundit, ata që jetojnë në Kosovë, nga kjo që ndodhi mësuan se çfarë do të thotë të njohësh anën tjetër të atyre që i dimë Miq. T’ua kuptojnë kompleksitetin dhe me gjasë kështu në vend të papagallëve në opozitë, do dalin njerëz që flasin me kokën e tyre, ndryshe nga kryeministri i tanishëm, por me kokën e tyre ama.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.