Të pasurohesh nën sanksione, 22 rusë i shtohen listës Forbes  

Postuar në 22 Prill, 2023 18:21

Pavarësisht presionit të sanksioneve të Perëndimit, miliarderët rusë vijojnë të shtohen në numër.  

Lista Forbes për Rusinë në 2023 rendit plot 110 emra, krahasuar me 88 që ishin një vit më parë. Biznesmenët që arritën të kalonin pragun për t'u bërë miliarderë ia dolën falë rimëkëmbjes së tregut të aksioneve në vendit. Këto të fundit ranë në mënyrë drastike menjëherë pas fillimit të operacionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë, por më vonë u rimëkëmbën pasi ekonomia ruse nisi të përshtatej me sanksionet perëndimore.

Pasuria në total e rusëve që janë në listën e Forbes u rrit nga 353 miliardë dollarë, në 505 miliardë dollarë, që nga marsi i kaluar, raporton REUTERS. Dhjetë miliarderët më të suksesshëm e rritën pasurinë e tyre me një total prej 77.4 miliardë dollarësh.

Andrey Melnichenko (në foto), bizneset e të cilit përfshijnë prodhuesin e plehrave kimike, EuroChem, dhe prodhuesin e qymyrit SUEK, është pasuruar më shumë, duke kryesuar listën ruse të Forbes për herë të parë. Pasuria e tij kaloi përtej dyfishit në krahasim me vitin e kaluar, duke u rritur në 25.2 miliardë dollarë nga 11.1 miliardë dollarë.

Megjithatë, kishte edhe nga ata, pasuria e të cilëve u tkurr gjatë gjithë vitit. Trembëdhjetë biznesmenë humbën gjithsej 8.5 miliardë dollarë në vitin 2022. Ndërsa sanksionet prekën disa prej tyre, shumë prej atyre, asetet kryesore të të cilëve ndodhen jashtë vendit, humbën nga pasuria e tyre me rënien e indekseve S&P dhe Nasdaq.

Humbësi më i madh në mesin e miliarderëve të Rusisë ishte Pavel Durov, pronari i aplikacionit të mesazheve Telegram, i cili renditej si biznesmeni i tretë më i pasur rus në mars 2022. Pasuria e tij u tkurr me 3.6 miliardë dollarë krahasuar me vitin 2021, kur ishte 11.5 miliardë dollarë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.