Fluturimi i Kosovës mbi Teatrin e Athinës

Postuar në 27 Mars, 2023 16:10
Intervistoi për ResPublica: Eleana Zhako

 

Aktina, që do të thotë rreze në shqip, është mikpritësja e parë e dramës kosovare në Athinë. Ajo do të zhvendosë kuptimin e kësaj fjale në kontekstin kulturor grek, jo vetëm duke  sjellë për publikun e Athinës veprat e dramaturgëve kosovarë, por edhe dramën e pavarësisë së brishtë të shtetit më të përfolur në Ballkan. Prej pak vitesh, bashkë me Jerome Simeon, ajo është zotëruesja e “1927 art space”, një apartement i vjetër art deco në Kipseli, në një prej lagjeve më artistike të Athinës. Aktina Stathaki është diplomuar nga Instituti Kombëtar i Teatrit dhe është regjisore, producente, theater-maker e drejtuese projektesh kulturore. “Ndërkombëtarët” është vepra e tretë e dramaturgut kosovar Jeton Neziraj, që Aktina merr përsipër t’i prezantojë publikut grek, por që në ndryshim nga dy veprat e tjera, këtë herë do të marrë një formë të plotë skenike. 

Prej shumë vitesh, vepra të autorëve shqiptarë janë vënë në skenën e teatrit grek, kryesisht nga regjisori Enke Fezollari, por është hera e parë, që një regjisore greke sjell një autor kosovar në zemër të Athinës. Si filloi ky bashkëpunim?  

Njohja ime me Kosovën nisi përmes njohjes me dramaturgun Jeton Neziraj, të cilin e takova për herë të parë në New York. Në atë kohë, organizoja festivalin “Between the seas”, që i kushtonte një hapësirë të veçantë leximit skenik të dramaturgëve të rinj dhe “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës” ishte një nga tre veprat e përzgjedhura. Leximi skenik shkoi mjaft mirë edhe në New York, edhe në Athinë, dhe për këtë arsye në 2018-n ftova Jetonin në Athinë për një seri seminaresh mbi artin skenik e dramaturgjinë. Gjithashtu, në të njëjtën kohë u realizua në Athinë dhe leximi skenik i veprës së tij “Departamenti i ëndrrave”, me regjisore Handan Ozbilgin, zëvendësdrejtuesen e Guardia Performing Arts Center të New York-ut. “Ndërkombëtarët” para se të vihej në Athinë, është vënë në skenën e New York-ut në 2019, në regjinë time, kurse në Athinë tre vite më vonë si lexim skenik. Duke qenë se interesi ishte shumë i madh, vendosa të mos mjaftohesha aty, por t’i jepja jetë në skenën e teatrit. Është performanca e parë, e vënë nga unë, në “1927 art space”. 

Gjatë periudhës së luftës në Kosovë dhe ndërhyrjes së NATO-s në Serbi, ndodheshit në Greqi? Çfarë njihnit atëherë për Kosovën?

Në atë kohë, kam qenë në vitin e fundit të studimeve dhe më kujtohet shumë mirë atmosfera anti-NATO në Athinë dhe parrulla mbizotëruese “Jashtë NATO nga Ballkani”. Kishim dalë pas mësimit me pedagogun tonë të teatrit, i cili ishte ndër të paktët që kishte një qëndrim anti-Millosheviç. Edhe unë si shumica e të rinjve, e nxitur nga ndjenja anti-natoiste, njihja vetëm njërën anë të luftës, por që me kalimin e kohës krijova një gjykim më të qartë. Kosovari i parë që kam takuar ka qenë Jetoni, i cili porsa i thashë që jam greke, më thotë me të qeshur: “ Ah ti qënke nga një prej vendeve, që nuk keni njohur Kosovën”. Para se të lexoja veprat e Jetonit, nuk dija gati asgjë për Kosovën. Pas luftës në Kosovë, kishte një prurje të madhe dramaturgësh serbë në Greqi dhe u bë e modës vënia e tyre në skenë. Por, ky ishte një trend i përkohshëm. Publiku grek tashmë është më i hapur edhe ndaj autorëve të vendeve të tjera të Ballkanit.

“1927 art space”, në ndryshim nga shumë qendra të tjera kulturore dhe skenike të qytetit, ka veçantinë se ndodhet në katin e parë të një pallati, të ndërtuar në vitin 1927 dhe është një apartement i ri-projektuar për nevojat e një hapësire multifunksionale. Si arrini të përshtasni performancat me vendet e limituara për publikun?

Për shkak të hapësirës së kufizuar, shumë njerëz më thonë që t’i çoj “Ndërkombëtarët” në një teatër normal, me hapësirë më të madhe. Por, më është e vështirë, që t’i mendoj “Ndërkombëtarët” në një hapësirë të ndryshme. Në një teatër tjetër, do të ishte një performancë tjetër. “1927 art space” nxë rreth 20-22 spektatorë, por ky ka qenë qëllimi im që në fillim. Hapësira është e paramenduar për një publik të vogël, që nuk e ndan një distancë konkrete nga skena e performancës. Elementi i intimitetit, që krijohet mes publikut e aktorëve, e bën këtë përvojë më të veçantë, edhe për publikun, edhe për ne. 

“Ndërkombëtarët” e nisën premierën në 11 shkurt të këtij viti, gjatë kohës së përshkallëzimit të protestave të studentëve të teatrit mbi zhvlerësimin e diplomave të tyre. Performancat në vazhdim, ranë ndesh me aksidentin e tmerrshëm të përplasjes së trenave, ku humbën jetën 57 njerëz. A ndikuan këto ngjarje në uljen e numrit të publikut?

Pjesëmarrja e publikut ishte konstante, që nga fillimi e deri më sot. Nuk kishim problem në asnjë nga performancat tona. Më e rëndësishmja për ne është se erdhën njerëz të zakonshëm, që në kushte të tjera, nuk do të zgjidhnin të shkonin në teatër, pra jo kategoria e njerëzve që frekuentojnë teatrin. Njerëzit nuk u njoftuan kryesisht për shfaqjen nga mediat, por nga njëri-tjetri, gojë më gojë. Kjo formë alternative e përhapjes së informacionit, përkon me natyrën e hapësirës dhe filozofinë tonë për artin. 

Është e ndjeshme prania e shqiptarëve në publik?

Komuniteti shqiptar ka qenë që në fillim shumë i pranishëm dhe një pjesëmarrje e tillë është shumë e rëndësishme për raportin mes publikut e skenës. Sepse publiku shqiptar, për shkak të lidhjes etnike me Kosovën, ka përjetime krejt të ndryshme nga publiku jo-shqiptar. Elementi i mallëngjimit dhe i ndërveprimit është më i theksuar. Nga ana tjetër, s’mund të fsheh një lloj agonie që ndieja në fillim, sesi do të perceptohet vepra nga publiku shqiptar e jo- shqiptar, ngaqë regjia dhe interpretimi bëhet prej nesh, që nuk jemi shqiptarë. Na mundonte, nëse e kishim kuptuar drejt humorin e shkrimtarit, nëse kishim treguar ndjeshmërinë e duhur në anët e errëta të veprës, etj. Kur në disa performanca, nuk kishte publik shqiptar, na mungonte ky mallëngjim.

Po publiku grek si e priti veprën?

Publiku grek nuk mund të lidhet me përmbajtjen e veprës si publiku shqiptar, por interesi ka qenë shumë i madh. Madje një sipërmarrës grek më mori në telefon dy javë para, që të mbyllte biletë dhe më tha që ishte njoftuar nga disa punëtorë shqiptarë. Një zonjë greke, pas përfundimit, na tha, që do deshte të bisedonim rreth shfaqjes. Ndoshta në një moment tjetër, mund të zhvillojmë edhe një seri diskutimesh mbi veprën. Madje donim të ftonim edhe gazetarin - korrespondent të Eleftherotipisë, që është mbyllur tashmë si gazetë, i cili na ndihmoi me një sasi të madhe artikujsh për Kosovën e pasluftës.

Në shtypin grek, rashë ndesh me dy shkrime shumë interesante në lidhje me “Ndërkombëtarët”.  Si ka qenë jehona e shfaqjes në mediat e vendit?

Për shkak të protestave e tragjedisë me trenat, shfaqja ka pasur më tepër jehonë në shtypin alternativ grek, por edhe në gazeta të rëndësishme si “Efimerida ton Sintakton”. Qëllimi ynë nuk është lajmi i bujshëm, por kultivimi i terrenit për një debat mbi vende kaq afër nesh si Kosova, e cila ende nuk njihet zyrtarisht nga Greqia. 

Tre aktoret greke, hasën ndonjë pengesë të veçantë gjatë kohës së përgatitjes për rolet e tyre?

Gjithçka rrodhi shumë natyrshëm, që në fillim. Kurse aktorët amerikanë, patën vështirësi më të madhe, për shkak mentalitetit të ndryshëm dhe distancës së madhe gjeografike me Ballkanin. Vështirësia e intepretimit të kësaj vepre qëndron në ekuilibrin e hollë mes satirës, tragjizmit, surrealizmit dhe ironisë. Nëse interpretimi anon drejt njërit prej këtyre elementëve, rrezikon të keqkuptohet tërësia dhe mesazhi i shfaqjes. 

Keni menduar të udhëtoni me “Ndërkombëtarët” në teatrin e Kosovës a të Shqipërisë?

Nuk kam qenë asnjëherë, as në Kosovë dhe as në Shqipëri. Do desha shumë të vihet në skenën e teatrit të të dyja vendeve dhe uroj që të realizohet.

Ju falënderoj përzemërsisht për intervistën!

Pjesë nga Ndërkombëtarët, Jeton Neziraj, Qendra Multimedia

A e dini kush e krijoi shtetin e Kosovës? Amerikanët apo evropianët?

Kjo është sikur të pyesësh: “A ishte veja a pula e para?”

Në të vërtetë, shtetin e Kosovës,

nuk e krijuan as amerikanët e as evropianët.

Shteti i Kosovës u krijua vetë,

si puna e Jezu Krishtit.

[…]

A kemi sjellë mjaftueshëm qese najloni

për mbështjelljen e kufomave?

- Besoj që po, por mund të porosisim akoma.

- Bëjeni, porosisni, secila kufomë meriton së paku një qese najloni. Të vdekurit duhet t’i trajtojmë me dinjitet. Dhe kujdesuni të jetë najlon riciklues, t’u japim shembuj banorëve vendas, si duhet të ruhet natyra.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.