Trupi është biografia e të vdekurit*

Postuar në 03 Mars, 2023 15:35

 

“Po s’u gjend trupi apo një gjymtyrë, qoftë edhe pak hi, nuk mund të fillojë zija”, thotë psikiatri - psikanalist Savas Savopulos për traumën psikike, që rëndon vendin dhe për ato që do të vijojnë për të afërmit e viktimave të aksidentit tragjik në Tebi. “Nuk kam fjalë”. Kjo dëgjohet në gjithë Greqinë që dje, përderisa vdekja masive e njerëzve të rinj kryesisht nga përplasja e dy trenave në Tebi, nuk mund të përshkruhet me vijueshmëri logjike. Teksa gjithë Greqia vajton, vështrimet bien mbi viktimat e të afërmve e miqve, që kaq befasisht u ndodhën në territorin e kësaj traume gjigante, që duhet të përballohet në një mënyrë të veçantë.

Psikiatri dhe psikanalisti i njohur Savas Savopulos, flet për karakteristikat e këtij vajtimi, të zisë, të psikikës dhe sqaron që “është nevojë emergjente të gjenden e të jepen gjithë trupat, qoftë edhe një gjymtyrë te të afërmit. Që të fillojë zija”. Dhe flet për sprovat e vështira, që do të përjetojnë të afërmit, gjer dhe në humbjen e identitetit të tyre. Më e rëndësishmja është të gjendet trupi. Nëse humbet dimensioni lëndor, zija nuk mund të fillojë. Një nënë, një baba, një vëlla a një shok, janë mësuar të mendojnë për një njeri të dashur përmes lëndës së trupit. Marrëdhënia që ka me të përcaktohet nga prekja, përqafimi me trupin. Ndaj dhe gjymtimi është një përvojë e tmerrshme. Aq më tepër, zhdukja e trupit. Njerëzit që s’kanë gjetur asgjë nga njerëzit e tyre, qoftë edhe hirin, nuk kanë asnjë “mbetje”. Nuk mund të fillojnë zinë.

Që të fillojë zija, është e rëndësishme që të shohësh dëshminë e prekshme të vdekjes. Të thuash “e humba fëmijën tim”. Parësorja është të gjesh trupin, që të nderosh njeriun tënd e ta marrësh në formën më të mirë të mundshme e dinjitoze, që ta varrosësh. T’ua tregosh të afërmve të tjerë. […]Në këtë moment, detyra e organeve kompetente është të gjejnë qoftë edhe një copëz trupi, t’i japin prindit diçka nga fëmija e tyre. Sepse trupi është biografia e të vdekurit. Sheh shenjën, atëherë kur ra nga biçikleta a pema e ullirit ose shenjën me të cilën lindi. Rrëfejnë jetën e tij. Rrëfejnë për jetën tuaj të përbashkët.

Nuk ka fjalë për të përshkruar këtë tragjedi, këtë katastrofë. Ajo që ndodh në katastrofat masive, është që viktimat janë njerëz, që mund të ndodheshim edhe ne në vend të tyre. Fëmijët tanë. Identifikohemi me ta. Të gjithë kemi marrë trenin. Do mund të ishim ne. Vetëdijësohesh, që asnjë mjet s’ është i sigurt. Një vdekje masive vjen si shtrëngatë, si cunam, e paparashikuar. Dhe kjo dhimbje bëhet therrëse, kur sheh që u vranë kaq njerëz në lule të rinisë. Humbet busullën, asgjë s’është më e qëndrueshme. Fakti që viktimat më të shumta janë të rinj, e bën akoma më të dhimbshëm. Si mëshqerra për therori. Janë viktima të pastra, fëmijë të qashtër. Nuk kishin faj, nuk kishin arritur as të mëkatonin. Fëmijë që shkojnë të mësojnë një punë a një shkencë. Të papërlyer. […]

Ekzistojnë dy grupime njerëzish. Ata që identifikohen me viktimat dhe të afërmit e viktimave; dhe të prekurit direkt nga tragjedia, të afërmit, miqtë. U rrëshqiti toka nga këmbët. Psikika e tyre po shkatërrohet brutalisht dhe kjo shembje të pamundëson të mendosh mbi gjendjen, aq më pak të flasësh për të. Gjendja që karakterizon këtë traumë, shpesh pasohet nga ngrirja. Ngrin psikika jote. Është ajo që themi “më ngriu gjaku”. Ka njerëz që zemrat e tyre nuk durojnë dot vdekje kaq të të befta e të dhunshme si këto nga përplasja e trenave dhe kjo mund të shpjerë në një agoni, e cila çrregullon gjithë mekanizmat psikikë mbrojtës ndaj ngacmimeve të jashtme.

Ekziston dhe ndjenja e fajit e të afërmit që mbijetoi. Një ndjenjë faji shumë e madhe: përse e lashë të ikte, përse s’e mendova, kisha dëgjuar që rrjeti hekurudhor nuk ishte në gjendje të mirë. Νëse bien në gjendje të rëndë depresive, mund të arrijnë deri dhe në përçartje totale. Në këtë rast bëhet fjalë për një situatë patologjike. Duhet të flasë. Të flasë shumë. Duhet të jemi të durueshëm e ta dëgjojmë këtë njeri. Por, pa e bezdisur. Dhe në ketë pikë është shumë i rëndësishëm roli i shtypit. Duhet të jesh i kujdesshëm me këtë njeri. Shpesh ekziston një kërshëri e sëmurë nga gazetarët e të panjohurit, që i zorit shumë ata që janë të pikëlluar. E kanë përjetuar shpesh të afërmit e viktimave të sulmeve terroriste, që ndiejnë se sa faktorë të jashtëm depërtojnë në psikikën e tyre. Kjo situatë mund t’i shpjerë jashtë historisë e personalitetit të tyre. Më e keqja është kur fshin identitetin e tjetrit në këtë mënyrë. Bëhesh vëllai i të vdekurit dhe jo ti, që studjon, që të pëlqejnë sportet dhe ke historinë tënde.

Vdekja është fillimi, trauma. Koha e zisë post-traumatike mund të zgjasë shumë. Ndoshta dhe një jetë. Ka shumë raste: disa janë të përmbajtur kurse disa marrosen dhe bëhen agresivë. Të tjerë janë si robotë të ngrirë, të ç’ orientuar. Di rastin e një gruaje, që fëmija i saj u vra në një aksident. Gjatë varrimit ishte sikur ndodhej diku tjetër. Është ajo që quajmë shkëputje traumatike. Një shtangie, një tërheqje. Shkoi në varrim me kostum të kuq. Duhet dikush t’i ndihmojë këta njerëz në reagimet e tyre, t’i qetësojë.

Burimi: iefimerida.gr

Përktheu Eleana Zhako

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.