Ndershmëria e Pornografisë

Postuar në 10 Dhjetor, 2022 14:27
Kathleen Lubeyis - St John University

 

Për të paktën pesë dekada, nga Susan Brownmiller tek Gail Dines, disa feministe e kanë denoncuar pornografinë për shfaqjen dhe nxitjen e dhunës ndaj grave, duke i parë ndjekësit e saj si konsumatorë psikologjikisht inertë ose, më keq akoma, si agresorë seksualë. Andrea Dworkin e parashtroi këtë pikëpamje në “Pornografi: Burrat që zotërojnë gratë” (1981), ku ajo e përcakton zhanrin si "gjurmë e epërsisë mashkullore ...fundamentalizmi i dominimit mashkullor...seksualiteti thelbësor i pushtetit mashkullor". Mbi baza të tilla, Dworkin, së bashku me Catharine MacKinnon, dolën kundër mbrojtjes kushtetuese të pornografisë si liri e shprehjes dhe propozuan ligj për ta ndaluar atë, duke pretenduar se ajo nuk shprehte ose përfaqësonte degradimin e grave, por e konkretizote si perfomancë dhe e bënte reale.

Kontributet e Dworkin në të menduarit feminist për pornografinë janë radikale dhe të thella. Ajo këmbënguli që ne ta shqyrtojmë dhe ta marrim seriozisht atë që na tregon pornografia: dokumentimin e përdorimit seksual të trupave të grave, si dhe konsolidimin nga ana e burrave të 'fuqisë së tyre shoqërore'. Shfaqja e akteve gjenitale, pornografia e fortë - veçanërisht ajo vizuale që u bë e njohur gjatë valës së dytë të feminizmit - tregon në një shkallë të pazakontë mënyrat se si përplasen trupat gjatë një akti seksual. Dinamika sociale si mizogjinia, heteronormativiteti, ksenofobia dhe racizmi i formësojnë këto përplasje.

Me kushte të tilla që informojnë pornografinë dhe konsumatorët e saj, seksi bëhet një skenë për përzierjen e njerëzve me njëri-tjetrin. Shpesh – por, më e rëndësishmja, jo gjithmonë dhe jo në mënyrë uniforme – ky ndërveprim kërkon hierarki: ngrihen kërkesat, shpesh nga burrat; veprimet janë të detyruara, shpesh nga burrat; pjesët e trupit shtyhen, pozicionohen ose funksionalizohen, shpesh nga burrat. Njohja e këtyre modeleve bëri që shumë feministe të nxjerrin përfundimin se pornografia promovon - që dëshiron dhe i bën himn - denigrimit të grave.

Vite të tëra në arkivat e bibliotekave, duke lexuar vepra të turpshme, më kanë çuar në përfundimin se pornografia thotë shumë gjëra në të njëjtën kohë. Mund të na bëjë të mendojmë. Ajo mund t'i nxisë njerëzit ta shohin seksin nga këndvështrime të shumta dhe të mendojnë se si ai formon konsideratën tonë për njerëzit e tjerë. Veprimet që shohim në materialet pornografike përcjellin më shumë sesa duket – siç bëjnë të gjitha veprat kulturore.

Akuza e Dworkin është aq gjithëpërfshirëse, saqë pretendon se pornografia, që nga lashtësia greke e deri në ditët e sotme, i ka vënë të gjitha gratë në të njëjtin status, duke i futur ato në 'klasën më të ulët të kurvave', 'zuskën e bordellos në dispozicion të të gjithë qytetarëve meshkuj'. Ky mendim mund të sfidohet në disa aspekte, nga denigrimi i punës së seksit, por edhe te pasaktësia, pikëpamja e paargumentuar se e gjithë pornografia i thur lavde nënshtrimit ekstrem të grave. Kundërshtimi im konsiston te rekomandimi i Dworkin për të hequr dorë nga shqyrtimi i asaj që thotë një vepër individuale pornografike për veprimet që ndodhin brenda saj. Është tendencioze të reduktosh mijëvjeçarë të tërë të përfaqësimit seksual në një funksion të vetëm, një përgjithësim i tepruar që na pengon t'u afrohemi miliona veprave pornografike me sy kureshtar, madje edhe kritik.

Ata prej nesh që duan të mendojnë në një mënyrë më të sofistikuar për pornografinë, nuk do t’ia dalin thjesht duke adoptuar një pozicion pro pornografisë, një argument që, të themi, seksi është në thelb i mirë, se të gjithë kanë të drejtë ta gëzojnë, që ne duhet ta çlirojmë seksin nga turpi. Një pozicion i tillë çon përpara llojin e vet të dogmës, duke imponuar pikëpamjen se kënaqësia seksuale është thelbësore për potencialin e plotë njerëzor, dhe kështu potencialisht i tjetërson ata që – për çdo lloj arsyeje fetare, kulturore, gjinore ose fizike – kanë një marrëdhënie më të rezervuar ose më të tëhuajsuar me aktivitetin seksual. Për më tepër, pornografia përhapet me këmbëngulje dhe elasticitet në llojet e mediave dhe nuk pëson kriza ekzistenciale. Dhe nuk e vret mendjen për njerëzit që nuk e pëlqejnë.

Një qasje më e hapur dhe ekumenike, që nuk është investuar në dënimin dhe as në mbrojtjen e pornografisë, na inkurajon të tolerojmë ndjekjen e pornografisë pa e ditur paraprakisht se çfarë do të gjejmë në të. Kritikët letrarë si unë e njohin këtë si leximi i thelluar: një ekzaminim metodik i përmbajtjes së pornografisë. E gjithë përmbajtja e tij, dhe jo vetëm pjesa e lëngshme. Përballja me shembuj nga pornografia e së kaluarës mund të na përshtatë gjithashtu me atë që po ndodh në të vërtetë në veprat pornografike, atëherë dhe tani.

Ajo që gjejmë në shembujt historikë të pornografisë ndonjëherë ngjan me atë që Dworkin mendon se gjendet në të gjithë pornografinë: ndonjëherë punonjëset në shtëpitë publike janë personazhet kryesore, dhe ndonjëherë ato vuajnë detyrimin me forcë dhe poshtërimin nga burrat. Por ndonjëherë punonjëset e seksit e refuzojnë seksin, ndonjëherë e kërkojnë dhe e shijojnë atë; ndonjëherë gratë e reja kundërshtojnë maskulinitetin toksik, edhe pse lavdërojnë penisin për krijimin e ndjesisë erotike. Ndonjëherë meshkujt që vishen si femra, por të identifikuar si heteroseksualë, zbulojnë se dëshirojnë më shumë një penis sesa një vaginë.

Nëse refuzojmë të njohim diversitetin e madh brenda pornografisë, ne humbasim rrëfimet komplekse të seksit dhe dëshirës teksa njerëzit e ndryshëm në pozicione të ndryshme shoqërore e përjetojnë atë. Kur ne refuzojmë të kuptojmë plotësisht përmbajtjen e plotë të pornografisë, pa dashje ne harrojmë se ajo shpesh është e vetëdijshme se si regjimet e gjinisë, mizogjinisë dhe heteronormativës i japin formë kontaktit seksual.

Dworkin dhe feministet e tjera kundër pornografisë kanë të drejtë kur thonë se pornografia përmban dhunë. Por ata e kanë gabim që pornografia përmban vetëm dhunë, se dhuna pornografike është në thelb e dëmshme dhe se zhanri u shkakton vetëm një gjë grave, pa pushim, dhe për këtë arsye i privon nga humanizmi dhe dinjiteti. Ta imagjinosh historinë si një gjendje të padiferencuar të seksizmit të dhunshëm dhe të imagjinosh pornografinë si formën e saj kryesore të propagandës, çaktivizon aftësinë për ta parë atë në gjerësinë dhe shtrirjen e saj përgjatë historisë, për përmbajtjen e saj përtej narrativave dominuese, maskuline. Për më shumë se një dekadë kam lexuar pornografinë e shekujve XVIII dhe XIX. Përtej mbytjes së zërit të grave dhe erotizimit të nënshtrimit të tyre, pornografia ndonjëherë merr në konsideratë personalitetin e atyre që bëhen pjesë e aktit seksual, shpesh duke u dhënë zë grave që e dinë – me ekspertizë – se seksi depërtues do të transformojë identitetin e tyre dhe se ato kanë pak fuqi mbi atë që vjen nga trupi i tyre nën kulturën patriarkale.

Në intervale kyçe, pornografia ravijëzon realitete alternative në të cilat seksi mund të bëhet në kushte barazie dhe lirie, edhe pse provokon ndjenja erotike. Pornografët i bashkojnë këto ide në fjali dhe paragrafë të përshkrimit gjenital. Ose përdorin shënime në fund të faqes dhe digresione për ta bërë seksin të shoqërohet me kritika sociale, veçanërisht siç flitet nga gratë ose burrat që vishen si gra. Kuptohet, idetë radikale lihen mënjanë shpejt kur, pas një momenti diskutimi, një skenar pornografik rikthehet në hullinë e tij seksuale. Prandaj lexuesit mund të injorojnë, anashkalojnë ose harrojnë kritikën sociale. Por pornografët nuk i lejonin lexuesit të shihnin seks pa parë njëkohësisht hierarkitë sociale të pushtuara nga aktorët seksualë.

Seksi, na thotë pornografia, është një takim që formësohet dhe informohet nga bota e tij sociale. Fiksioni entropik eksperimental i Britanisë së shekullit XVIII gërshetoi përshkrimin pornografik me parimet e qarta feministe. Merrni parasysh këtë pasazh, i cili shqyrton se si zakonet morale bëjnë kërkesa joproporcionale për gratë. Ky meditim mbi feminilitetin vjen nga romani pak i njohur “Historia e Zemrës së Njeriut”; ose, “Aventurat e një zotërie të ri” (1749), që ndjek udhëtimin seksual të një të riu gjatë adoleshencës së tij në fshat, mbërritjes në Londër në moshë madhore dhe turneut të tij madhështor evropian. Shkrimtari anonim kundërshton besimin mbizotërues kulturor se gratë janë natyrshëm modeste. Ai e quan modestinë "Stolia më e madhe" e grave, por nuk beson se është një gjendje e natyrshme. Përkundrazi, është një sjellje e mësuar e përforcuar nga një kulturë seksualisht konservatore, 'një Zakon i thjeshtë, i bazuar në Voli dhe i ushqyer nga E zakonshmja', i marrë gabimisht për një atribut natyror sepse është kaq e zakonshme midis grave në një kulturë që kërkon virgjërinë e tyre si parakusht për një martesë të respektueshme.

Pornografi, një vëzhgues i mprehtë i sjelljes njerëzore, e di se modestia është e socializuar dhe jo e lindur, sepse çdo vajzë e vogël 'është e prirur të bëjë çdo gjë që bën Vëllai i saj dhe nëse i kruhet Fundi i Barkut, ajo do ta kruajë edhe nëse është në Shoqërinë e njëzet të tjerëve. Larg nga të qenit natyrshëm modeste, vajzat do të masturbojnë para grupit - 'fundi i barkut' është maja e vulvës - dhe do ta thërrisnin klitorisin e tyre 'me Emrin e duhur, nëse ajo e dinte atë'. Të lëna të lira, vajzat dhe gratë do të kenë me trupat e tyre një marrëdhënie ekzibicioniste dhe të shprehur qartë.

Ky pasazh është një pjesë e një fusnote të gjatë në “Zemra e Njeriut”. Ajo sfidon nocionin se gratë posedojnë natyrshëm një tipar që i shtyn ato të skuqen nga përmendja e seksit dhe janë disa nga faqet në të cilat përshkruhet një kërcim erotik nga gratë punonjëse të seksit. Pornografi pret që lexuesi të kënaqë njëkohësisht paraqitjen gjenitale dhe eksitimin erotik. Teksa jepen detaje në lidhje me masturbimin e grave në krye të faqes, më poshtë thuhet se modestia u imponon grave çiltërsi dhe sinqeritet të natyrshëm për trupin e tyre.

Koncepti u shpik, spekulon shënimi, nga filozofë moralë, të cilët, “duke parashikuar këto Shqetësime, trilluan një virtyt supozitiv, të cilin e quajtën Modesti dhe ia rekomanduan Seksit të Ndershëm.” Efekti i këtij formësimi psikologjik është të frenojë gratë nga pavarësia dhe ambicia, 'duke i mbajtur brenda Kufijve, ato do të ishin natyrshëm mjaft të prira për të kapërcyer matanë, nëse nuk do të ruheshin nga ky Gardh imagjinar.' Një diskutim i tillë duhet të habisë këdo që supozon se pornografisë i intereson vetëm paraqitja e përflakur e trupave të seksualizuar.

Fusnota pretendon se:

modestia është një gjë e mirë që ruan rendin seksual, por kundërshton se ajo është e lindur për gratë. Duke vënë në pikëpyetje natyrshmërinë e karakteristikave njerëzore, kjo vepër pornografike i bashkohet debateve filozofike të kohës së saj. Në fund të shekullit XVII, John Locke kundërshtoi natyrën e ideve dhe karakterit, duke nxitur debate për dekada rreth shkallës në të cilën ne zotërojmë forma të caktuara të njohurive në lindje

Autori i “Zemër Njerëzore” përvetëson një pozicion lokean për dlirësinë e grave - që nuk është e lindur - por gjithashtu përballet me filozofët moralë të cilët, megjithatë, promovuan vetëpërmbajtjen seksuale për të kontribuar në rendin dhe stabilitetin shoqëror. Gratë ishin shënjestrat e kësaj dëlirësie të detyruar, një pabarazi e sforcuar nga filozofia natyrore e shekullit XVIII (ajo që ne tani e quajmë shkencë). Diskursi mjekësor nxiti besimin se gratë dhe burrat janë thelbësisht të ndryshëm në nivelin e anatomisë dhe psikologjisë. Në të vërtetë, dygjinia moderne u kalcifikua në këtë periudhë. Por këtu, në një roman pornografik, gjejmë një pohim se liria dhe autonomia janë të dëshiruara nga të gjithë njerëzit, të gjitha gjinitë. Pasazhi ngre diskutimin se  gratë nuk duhen erotizuar ose nënshtruar, por të nxiten dhe t’u jepet e drejta e votës, dhe ta bëjnë këtë mbi një bazë filozofike. Çfarë do t'i thoshte Dworkin kësaj, e bindur se pornografia nga çdo moment në histori e zvogëlon figurën e gruas, i dhunon ato dhe i redukton në funksionin e tyre seksual?

Kur organet gjenitale u zbuluan nga narrativa pornografike në shekullin XVIII, ato nuk i shërbenin vetëm ose gjithmonë kënaqësisë së burrave. Duke qenë se veprat pornografike entuziazmohen me detajet gjenitale, ato prireshin të flisnin edhe për aspektet sociale të seksit, duke i bërë lexuesit të mendojnë se si liria seksuale frenohet për disa njerëz, por jo për të tjerët. Një analizë e tillë anashkalohet lehtësisht kur jemi të mësuar me nocionin se pornografia jo vetëm dokumenton, por prodhon mizogjini. Teoritë për padrejtësinë e pornografisë janë të gjalla në shkrimet kundër pornografisë. Një libër i kohëve të fundit nga Bernadette Barton, i cili ngre idenë se 'kultura e vulgaritetit' mbulon në mënyrë të pandërgjegjshme jetën seksuale të të rinjve në kohën tonë, i bën jehonë argumentit të Dworkin se e gjithë pornografia i bën gratë punonjëse seksi dhe se të cilësohen të tilla është poshtërim.  Megjithatë, pornografia e shekullit XVIII shpesh i shfaqte punonjësit e seksit si aktorë njerëzorë psikologjikisht kompleksë që nuk mund të reduktohen në një funksion gjenital – në të vërtetë, kërcimtarët erotikë në “Zemër njeriu” përfundojnë në akte seksuale depërtuese. Anglo-pornografia e shekullit XVIII ndonjëherë ishte po aq e përkushtuar për të sfiduar një kulturë seksiste sa për t'i përshëndetur lexuesit me imazhe të shthurura. Ajo eksperimentoi me llojet e gjërave që mund të dimë ose të supozojmë nga kontakti seksual.

Pornografët e gjetën seksin depërtues veçanërisht të rëndësishëm për spekulimet kritike, sepse seksi vaginal ishte një mjet për organizimin e shoqërisë në këtë kohë. Ai shënonte konsumimin e martesës, ia bënte të vështirë martesën grave beqare, çonte në shtatzëni dhe shkaktonte ndryshime të përhershme në identitetin social të grave. Meshkujt, natyrisht, gëzonin shkallë të madhe të licencës seksuale, si brenda dhe pa martesë. Pesha e dëlirësisë ishte një temë me shqetësim të madh kulturor për gratë e reja dhe për të afërmit meshkuj përgjegjës për mbikëqyrjen e martesave të tyre.

Pornografia, duke ekzaminuar sinqerisht kushtet në të cilat ndodh seksi depërtues, tregonte rregullisht gratë që kundërshtonin seksin, pretendonin rëndësinë e virgjërisë së tyre dhe shprehnin neveri ndaj burrave që i ndiqnin - shpesh pa dobi, duke u detyruar gjithsesi të bënin seks. Këto vepra janë të drejtpërdrejta për një hipokrizi kulturore qendrore: që në një kulturë që dëlirësinë e tyre e kthente në fetish, gratë injoroheshin kryesisht kur i thoshin jo seksit, si kur heroi në “Zemër Njeriu” i zuri frymën një virgjëreshe që i bëri rezistencë përpara se ta përdhunonte. Lexuesit të shekullit XVIII nuk iu kërkua thjesht të gjente këtë zgjim dinamik, por u edukua për pabarazinë e tij. Ndryshe nga përjetësimi i dominimit patriarkal, këto vepra tregojnë mashtrimin e hierarkive gjinore që gjurmojnë përparësinë e burrave në fuqinë e tyre seksuale.

Dildot në disa raste ccuan në zbulime feministe në pornografinë e shekullit XVIII. Në një vepër, “Progresi i natyrës: Sipas shembullit të jetës dhe aventurave surprizuese të Roger Lovejoy” (1744), vajzat adoleshente gjejnë një dildo në dhomën e gjumit të tezes dhe faqe të tëra i kushtohen diskutimit të tyre rreth asaj që ai bën. Duke u mbështetur në një traditë shekullore evropiane të dialogjeve të prostitutave, në të cilën një grua me përvojë trajnon një fillestare në artet e tregtisë seksuale, Miss Forward më me përvojë i shpjegon organet gjenitale dhe lodrat e seksit mikes së saj të pafajshme, Polly. Ato e pranojnë penisin si një burim fuqie dhe ambicieje dhe vërejnë se dildo - i fortë, i ngritur dhe i qëndrueshëm - në disa mënyra i ngjan atij. Penisi ‘është arbitrari që hyn në Domenet e tij dhe shkatërron në masë…në Përmbushjen e Kënaqësive të tij. Ai zhytet me Kokë në të gjithë Kamaren, duke kërkuar çdo gjë, të mohuar nga asgjë, duke shijuar dhe dhuruar çdo Dalldi.’ E drejta patriarkale, deri në atë pikë, buron nga fuqia seksuale e burrave.

Por gratë shumë shpejt do ta kualifikonin fuqinë e penisit.

Miss Forward mendon se është, në mënyra vendimtare, ndryshe nga dildoja: ndërsa dildo mbetet vazhdimisht në ereksion, penisi 'tkurret si një kërmill', bëhet 'i lig dhe për të ardhur keq, vjedharak dhe i përkulshëm' në mungesë të bukurisë femërore. Burrat, nisin të kuptojnë vajzat e reja, në thelb nuk posedojnë forcë dhe fuqi. Përkundrazi, ato kërkojnë një objekt dëshire për t'i bërë thirrje për veprim. Pretendimi i burrave për dominim të pakontestueshëm shoqëror, pra, është i bazuar në një analogji anatomike të gabuar. Shumë kohë përpara Jacques Lacan-it dhe Judith Butler-it, kjo pornografe e shihte falusin si iluzion, një atribut që lidhet me maskulinitetin përmes një sërë lidhjesh të paqëndrueshme.

Penisi, bien dakord vajzat, është 'vetëm diçka që ai ka për vete, që mund të jetë ekuivalent me,  ndryshe nga ajo që kemi për vete.” Këto vajza padyshim që e njohin organin e tyre gjenital si të vlefshëm dhe që jep avantazh. Dhe skena të tjera përshkruajnë kënaqësitë vaginale dhe klitorale të masturbimit dhe penetrimit. Dallimi anatomik seksual pranohet, madje himnizohet, por hierarkia gjinore nuk është - ekuivalenca është marrëdhënia e vendosur midis burrave dhe grave.

Ereksioni i përhershëm i dildos bëri bujë në të gjitha shkrimet pornografike. Ai ngriti pyetje ekzistenciale për burrat. Në “A Spy on Mother Midnight” (1748), një tregimtar mashkull i veshur si femër e bind një grua për epërsinë e penisit të tij aq plotësisht sa ajo djeg dildon e saj. Vërtet një fantazi, pasi fildishi – si qelqi, një material i zakonshëm për dildot – nuk ka gjasa të digjet në një oxhak dhome gjumi. Në mendjemadhësinë që e shtyn këtë rrëfimtar të mburret me triumfin e penisit të tij ndaj këtij 'rivali të pajetë', narratori sjell ndërmend të bëhet një dildo. Ai e gjen veten duke dëshiruar “që mund të jetë Fati i Shpirtit tim që të informojë, në Transmigrimin e tij të ardhshëm, Trupin e një prej këtyre Instrumenteve”. Çfarë Mendimi i shijshëm… sa Brinarë duhet të fus brenda asaj Siluete, më shumë se sa jam në gjendje të bëj me Personin tim!'

Një dildo – gjithmonë i ngritur, asnjëherë i lëshuar – mund të depërtojë më shpesh, të joshë më shumë gra, të poshtërojë më shumë bashkëshortë. Gratë gjithashtu mund të tregojnë entuziazëm më të madh seksual ndaj një dildoje, një gjendje gëzimi që ato zakonisht turpërohen kur e ndajnë me burrat: 'Oh! për t'u përqafuar, për t'u prekur, përkëdhelur dhe për t'u vënë ------- me duart e tyre të bukura, dhe për t'i bërë ato t'i nënshtrohen diktateve të gjakut të ndezur dhe stimulimit të natyrës, pa atë Rezervë dhe Mendjemadhësi që ndonjëherë supozojmë … kur një Burrë është në këtë Rast!”

Vijat lidhëse në lojë e sipër nxjerrin një detaj kyç – që femrat “fusin [dildo në vaginat e tyre] me duart e tyre të bukura”, dhe është pikërisht ky intimitet ekstrem dhe i pafrenuar që mashkulli dëshiron. Vetë objekti i dëshirës seksuale ndryshon: ai dëshiron të mos e dominojë një grua përmes seksit depërtues, por të bëhet një objekt i drejtuar nga një grua në trupin e saj - një objekt, në fund të fundit, që zhduket.

Pornografët britanikë eksperimentuan me filozofinë pak nga pak, duke lënë në sipërfaqe idetë potencialisht transformuese, e më pas duke u tërhequr. Në të kundërt, pornografia franceze e shekullit XVIII, e shkruar në dekadat që çuan në Revolucion, prodhoi teori të disiplinuara politikisht të lirisë personale. Ndërsa libertinët e pornografisë franceze promovuan dëshirën e pandërprerë të përmbushjes në ambiente si manastiret dhe kështjellat, pornografia britanike eksperimentoi me seksin teksa ndodhte me personazhe të pazakontë (shpesh adoleshentë të papërvojë) në mjedise të përditshme - kopshte, parqe, shtëpi publike, dhoma gjumi, taverna. Në këto kontekste të përafërta, aktet seksuale morën rëndësi si takime të përditshme të disponueshme për t'u konsideruar nga një grup gjithnjë e më i gjerë lexuesish, pasi shtypi dhe shkrim-leximi u bënë më të aksesueshme. Dhe ndërsa lexuesit zhvillonin lidhje më të ngushta me librat, pornografët mblodhën së bashku, nxitimthi, fije të ndryshme filozofie që mund të testoheshin kundër përvojës seksuale, duke i rimenduar mësimet e pornografisë.

Historitë e heteroseksit, joshjes, përdhunimit, performancës erotike dhe masturbimit shërbyen si eksperimente të mendimit se si njerëzit e përjetojnë seksin, por edhe të përvojës që kanë me botën. Pornografia e kuptoi gjithmonë se perceptimi dhe estetika nuk ndodhin në vakum. Takimet seksuale mes njerëzve provokojnë pyetje si: nga e ka origjinën dëshira dhe cili është objekti i saj? Si duken organet gjenitale dhe a duhet t'i shohim ato? A është t'i shohësh ato njësoj si t’i ndjesh? A është modestia një e mirë shoqërore dhe në kurriz të kujt funksionon ajo? A mund të refuzohet seksi? A shkakton seksi dëm? Narrativa pornografike në shekullin XVIII e solli seksin në postulacione filozofike, duke ngritur pyetjen nëse ka kufizime epistemologjike, madje edhe rreziqe, për llojet e përgjithësimeve që bënin filozofët. Ortodoksitë sociale për dy gjinitë zbulohen se nuk janë përshkrime të realitetit të thjeshtë, por një mbulesë sipërfaqësore mbi praktikat e egra të ndryshme sociale.

Pornografia na tregon se gratë janë po aq të prirura për ambicie dhe liri sa edhe burrat. Ajo na tregon se fuqia e burrave është, ashtu si ereksionet e tyre, e përkohshme, e kushtëzuar, dhe na shfaq para syve burra të kontestueshëm, që duan të objektivizohen dhe seksualisht pasivë. Pornografët e dinin se jeta në një shoqëri heteroseksuale dhe patriarkale e parë nga jashtë ishte e ndërlikuar dhe e padrejtë. Ata u rezistuan normave që intelektualët dhe revolucionarët do t'i sulmonin më vonë.

Filozofët, veçanërisht empiristët, teoricienët estetikë dhe filozofët moralë punuan drejt një modeli universal se si individët fitojnë njohuri, shije dhe virtyt. Mes përplasjeve të modernitetit, filozofët donin të kuptonin mendjet që funksiononin në mënyra të parashikueshme. Pornografia e shekullit të tetëmbëdhjetë shkon kundër thelbit të filozofisë bashkëkohore, duke përshkruar shpesh personazhet e saj, veçanërisht burrat, në gjendje shtrembërimi të perceptimit. 'Imagjinata' epshore e burrave mund t'i bëjë ata të shohin qëndrueshmëri në gjoksin që në fakt është 'i rrafshët si një copë plënci' (Përparimi i natyrës), ose të ndiejnë 'ekstazë dhe rrëmbim të papërshkrueshëm' me një partnere të neveritshme duke mbajtur ' Idenë e të dashurës së tyre në mendje (Zemra e Njeriut).

Filozofia empiriste britanike u përpoq shumë të racionalizonte komponentët e dijes njerëzore, duke bashkuar "idetë" dhe "imagjinatën" e individëve me një botë të vëzhgueshme dhe objektive. Por seksi, pohon pornografia, e prish këtë sens të përbashkët, duke na bërë të shohim atë që nuk është aty ose të fantazojmë ideale erotike. Duke pranuar perceptimet e veçuara të individëve, pornografia vë në plan të parë moskoherencën e mundshme të teorive të shoqërisë civile, duke pyetur se si mund të ndodhë kohezioni social nëse individët e perceptojnë realitetin e tyre në mënyra të ndryshme, një rebus që vetë filozofia e epokës së iluminizmit shpesh nuk e pranoi. Si të besojmë se burrat e shijonin autonominë e tyre kur, siç na tregoi pornografia, ata njëkohësisht dëshironin të zhyteshin në organet gjenitale të grave?

Në mënyrë të paturpshme, pornografia nxjerr në plan të parë përvojën private dhe thotë se ne mund të mësojmë gjëra nga seksi që nuk mund t'i mësojmë në asnjë mënyrë tjetër. Ose, mësoni jo nga vetë seksi, por duke lexuar për të, duke parë njerëz që e bëjnë dhe duke njohur kontekstet shoqërore që e rrethojnë. Nëse e pranojmë se pornografia thotë shumë gjëra në të njëjtën kohë – si p.sh., se i njëjti akt seksual mund të kënaqë një person dhe të dhunojë një tjetër, ose që kënaqësia dhe poshtërimi mund të jenë e njëjta gjë, ose se heteroseksualiteti mund të të duket mirë, por edhe të  të shtypë – ne mund t’i lejojmë asaj të aktivizojë njohuritë tona për botën dhe për njerëzit e tjerë. Mund të na mësojë se nuk ka mënyrë të vetme për ta parë një realitet objektiv, se njerëzit e tjerë kanë perspektivat e tyre dhe se dëshirat tona të vogla mund të na vënë në kundërshtim me një të mirë të përbashkët më të madhe.

E gjithë kjo do të thotë se pornografia është jashtëzakonisht e sinqertë dhe jo thjesht sepse, siç pretendojnë feministet që e kundërshtojnë, ajo dokumenton poshtërimin e grave nga patriarkalizmi. Përkundrazi, është e sinqertë sepse tregon punën e vështirë, shpesh konfuze të pajtimit të dëshirës private me jetën publike, të pranimit se seksi me të tjerët mund të jetë joetik, të dallimit midis fantazisë dhe realitetit. Pornografia antike i bën të dukshme këto kontradikta, duke qarkulluar njohuri që ne mendojmë se, sot, janë në kundërshtim me erotizmin. Por ndoshta nuk është kjo – ndoshta ka një dobi nga mesazhet e përziera që përcjell pornografia. Ndoshta është krijuar për të na ngatërruar, apo më mirë për të nënvizuar qartësinë me të cilën duhet të hyjmë në orvatjen e çrregullt të seksit me të tjerët.

Burimi: AEON

Përkthimi: Gazmira Sokoli 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.