Pólisi rreth një kadavre

Postuar në 04 Dhjetor, 2022 23:45

Faleminderit!

Faleminderit çdo demokrati dhe çdo simpatizanti që votoi sot!

Faleminderit çdo gruaje, nëne dhe gjysheje që u shkëput për një çast nga detyrimet familjare të së dielës e një ditë me shi të dendur erdhi të votonte sot!

Faleminderit çdo njeriu, që me një mesazh, me një shtrëngim duarsh apo me një përshëndetje të përzemërt, ka qenë një faktor thelbësor nxitës çdo ditë për mua.

Ju falendëroj të gjithëve!

Sinqerisht 
Ilir Alimehmeti

Kandidati i Tiranës në primare, epidemiologu Ilir Alimehmeti ka shpërndarë sot në mbrëmje këtë mesazh që sugjeron(deri më tani) se zgjedhjet e brendshme për të kanë qenë një histori suksesi si proces. 

Tani, u bën ca kohë që kur bie muhabeti për zgjedhët në Tiranë të PD-së, thuajse të gjithë të thonë: Ta them unë çfarë ndodh, fiton Belind Këlliçi. Është e vendosur. 

Dakord, mund të fitojë edhe Belind Këlliçi që është kartë e djegur jashtë PD-së, por pyetja që lind këtu është: vallë Alimehmeti nuk e ka dëgjuar këtë informacion? Pra që flitet se Doktori, ai tjetri, do Belindin të kandidojë në zgjedhjet lokale? Kaq naiv të jetë z. Alimehmeti? 

Ne jemi një brez që jemi mësuar të sqarojmë veten duke referuar politika të planifikuara, paravendosjen, sepse nuk e kuptojmë dot garën me të gjitha të papriturat e saj. Edhe kur lejuam të lulëzonin lojërat e fatit, bënim çmos të gjenim ndeshjet e fiksuara dhe kështu, si për çdo gjë, edhe kumari nuk u bë pjesë e kulturës urbane në formën e vet të rregulluar dhe argëtuese. Jo, u shndërrua strikt në një ves, siç janë vese të retorikës, prostitucioni, apo edhe politika vetë, ndonëse këto janë dukuri që sa vijnë e zgjerohen sa më shumë luftohet verbalisht kundër tyre. 

Nuk është puna vetëm te saktësia e informacionit, apo te fakti se me Berishën përballë nuk ka rrugë tjetër të menduari. Këtu kemi të bëjmë me një lloj inercie të psikologjisë së mallkimit, që refuzon çdo ndryshim real, sepse dashur pa dashur, të gjithë jetojmë, e parazitojmë mbi këtë kadavër që është Shqipëria kështu siç është: dikush e tërheq, dikush e sheh, dikush e do, dikujt ia qelb shijet, po shumë e shaj(m)në, të tjerë e zhvasin, e përdhunojnë, po ka edhe që e nxjerrin në shitje. E kështu pa ndalur…

Rreth kësaj kufome ne kemi krijuar kohën tonë, polisin tonë unik ku në agorá është vendosur toka jonë si dordolec për ta shpërfytyruar në një pasqyrë ku askush të mos duket për atë që është. Por ku tjetri të duket sa më keq. 

Shihni sesa kohë harxhuan mediat e pushtetit për primaret! Sesi u përpoqën t’i deligjitimojnë. Për të ardhur sot te loja e kontestimeve, fletëve e kështu me radhë si e si, jo për të komentuar një proces, por për të zhubravitur një imazh. Sepse zgjedhje po bëhen dhe ato po menaxhohen nga një non grata që minonte demokracinë, por që nuk po del ashtu. Se imazhi dëmton, jo përmbajtja. 

Sigurisht që vlerësimi i z. Alimehmeti, sikundër kundërshtimi, nuk janë certifikata vërtetësie, por në çdo rast ato kanë vlerën e tyre. Politika e do që të menaxhohen edhe situata të paparashikuara dhe një ecuri e tillë e primareve është diçka e paparashikuar nga pala tjetër, që fsheh vula, blindon selinë, apo edhe merr udhëzime në seli diplomatike, ndërkohë që pushteti thjesht nuk ka më argument për të shmangur përballjen me një kundërshtar jo komod jo thjesht për frikën e rezultatit. Por për provën që jep se ai përfaqëson opozitën e sotme si shprehje e evolucionit të diktuar nga mënyra e ushtrimit të pushtetit dhe llojit të korrupsionit politik të gjeneruar prej tij. 

 E mira e do që gjërat të thuhen dhe komentohen për atë që janë dhe fakt politik është se përkundrejt çdo lloj hamendësimi dhe akuze, Edi Rama me atë që ka strukturuar përfaqëson një problem shumë më madhor se çdo politikë e Sali Berishës. Kjo është e qartë. E vetmja gjë që e korrigjon këtë që kemi është Vota, por ajo është ekzekutuar në partinë e përgjimeve të asgjësuara. 

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.