Polonia dhe Rusia hyjnë në luftë deklarimesh

Postuar në 09 Shtator, 2022 22:53

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka akuzuar elitën politike polake për adoptimin e një retorike luftënxitëse deri në kufijtë e çmendurisë ndaj Rusisë. Paralel me të, senatori rus, Alexei Pushkov ka shkuar edhe më tej, duke i kujtuar polakëve “mësimet e historisë”. 

Komentet vijnë pas qëndrime përherë në përshkallëzim të Varshvaës dhe vendeve balltike që e kanë paranojën anti-ruse, jo vetëm refleks të historisë, por edhe mënyrë për parandalim. 

Konkretisht, zv.ministri i Mbrojtjes i Polonisë, Marcin Očepa, ka deklaruar se Forcat e Armatosura po reformohen në përgatitje të një konflikti të mundshëm me Rusinë 

Analistë rusë e shohin këtë si kthesë të Polonisë drejt militarizimit ndonëse përsëritet vazhdimisht se Moska nuk synon të ndërmarrë asnjë veprim kundër Polonisë, kufijtë e zgjeruar të së cilës sot në fakt janë produkt i një ideje të Stalinit. 
 
Të gjitha këto që shihen sot kanë kohë që kanë nisur, pasi përpjekja gati ideologjike e drejtuar nga Polonia për rishikimin e historisë së Luftës II Botërore, rehabilitimi i disa figurave në Hungari apo Ukrainë si dhe barazimi mes komunizmit dhe nazizmit, në kushtet kur de jure Marrëveshja e Jaltës dhe Konferenca e San Franciscos nuk janë denoncuar në asnjë vend të Perëndimit zyrtarisht, herët apo vonë do të përftonin një shprehi antiruse për arsye tërësisht racionale dhe objektive. Kjo pasi çdo detraktim do të interpretohet si rishikim i pozicionit të Rusisë e cila nuk ka hapësirë të shtyhet deri në një shkallë të tillë emancipimi politik sa të ndërmarrë qëndrime radikale për historinë e saj pa cenuar kohezionin e brendshëm. 

Sot Rusia është në aparencë një fuqi reaksionare, përderisa cenon sovranitetin e një vendi dhe kërkon të ndjekë politika të strukturuara që në kohën e carizmit, por duket se as një Perëndim demokratik nuk ia neutralizoi asaj pasigurinë dhe dyshimin e madh strategjik ndaj këtij të fundit. Disa vite më parë qarkulloi një video që sintetizon në mënyrë precize narrativën dhe vetëperceptimin rus në botën që jetojmë dhe që në një plan ideologjik i bën jehonë jo imperializmit bolshevik por një historie të thellë intelektuale që te Perëndimi kondenson vetëm Nihilizëm. 

Dhe Polonia qëndron në këtë kuadër si rivali perfekt në kujtesën ruse përderisa jo vetëm përfaqëson intervencionin si parim permanent relacionesh me Perëndimin, por edhe sepse ka rigjallëruar si kërkesë intelektuale dhe pedagogjike nocione si Komonuelthi lituano-polak që ka qenë viktimë e një kombinimi ruso-gjerman. Më radikal se kaq ështirë të ketë, ndonëse objektivisht mund të jetë kështu historia. 

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.