A ishte Komonuelthi Lituano-Polak një shtet i dështuar? Një pyetje që hap plagë të pambyllura në Europë

Postuar në 22 Nëntor, 2021 14:30

A ishte Komoneuelthi Lituano-Polak një shtet i dështuar? 

Kjo ishte pyetja e një leksioni të dhënë nga profesor Richard Butterwick-Pawlikowski në një aktivitet të organizuar pak javë më parë nga Instituti Pilecki, një ent qeveritar në Poloni që merret me historinë e shekullit të 20-të në këtë vend. Komonuelthi është një ndër entitetet më interesantë të historisë së Europës, me një ndikim që mund të kuptohet edhe sot në raportet e vështira të gjeneruara kryesisht nga perceptimi i polakëve mbi rusët dhe gjermanët. Shteti në fjalë ishte një bashkim personal mes kurorës polake dhe Dukatit të Madh të Lituanisë më 1569, kryesisht si refleks politik i përballjes ndaj presionit të ushtruar nga një tjetër shtet me shumë ndikim, siç ishte ai i Kalorësve Teutonë. 

Nëse sheh hartën, Komonuelthi që u shpërbë më 1795, praktikisht ndëmrjetëson thuajse të gjithë komunikimin mes Rusisë dhe Europës Perëndimore, sllavëve dhe botës gjermanike, ortodoksisë dhe katolicizmit me protestanizmit, duke hyrë si pykë mes Perëndimit dhe Lindjes, përderisa në zgjatimin e vet maksimal në vitin 1619 shtrihej nga Balltiku në afërsi të Krimesë. Është pikërisht ky territor që do të jetë vatra e fermentimit politik dhe ushtarak të Europës në të dyja luftërat botërore, e para tyre me Napoleonin. 

Trajtesa e profesorit në fjalë, që është i specializuar në këtë periudhë dhe për këtë shtet, në kontekstin e tanishëm të sigurisë, në vetvete shtron një pyetje me karakter gjeopolitik që duket se është pjesë e axhendës afatgjatë polake.

Kjo mund të kuptohet që në hapje të leksionit kur Butterwick-Pawlikowski shprehet qartë se narrativa se Komonuelthi ishte një shtet i dështuar në të vërtetë ka origjinë propagandistike:

Propaganda nisi me Frederikun dhe Katerinën II. Narrativa e tyre u elaborua nga historianët zyrtarë të Rusisë, Prusisë dhe Austrisë përgjatë shekullit XIX. Por njëkohësisht është edhe historia që tregojnë shumë polakë...Ne kurrë nuk e kemi respektuar veten. Nuk kemi pasur besim, por vetëm pasiguri. Një komb që shkoi drejt rënies për shkak të interesit privat, që nuk mund të pranonte autoritet.

Ramon Demovksi është i të njëjtit mendim, pavarësisht se përdor një tjetër fjalor. “Për shkak se nuk ka pasur elementë etatistë, gjë që do të krijonte kundërbalancë për liberalizmin e fisnikërisë, gjë që do ta kishte mbrojtur shtetin përballë tij, ne nuk e patëm ekuilibrin politik të nevojshëm për zhvillim normal të shtetit dhe si pasojë erdhi rënia e Polonisë.

Sipas politologëve, një shtet i dështuar është një i tillë, qeveria e të cilit nuk garanton dot siguri, rritje të të ardhurave në mënyrë normale apo funksionim të përgjithshëm efektiv. Nuk mund të mbajë monopolin e përdorimit legjitim të forcës dhe nuk mund të mbrohet nga kërcënimet që i vijnë nga jashtë apo nga brenda, është tipikisht i korruptuar dhe kaotik. Sidoqoftë, të gjitha këto janë relative dhe të kontestueshme, sidomos sa i takon çështjes së legjitimitetit. Të shpallësh verdiktin dënues të dështimit të shtetit do të thotë të ekspozosh veten ndaj paragjykimeve. Kjo etiketë është një mjet i dobishëm për ata që shpërndajnë propagandë hipokrite, në mënyrë që të minojnë shtetet e tjera dhe të justifikojnë ndërhyrjet. Nuk është për t'u habitur që Komonuelthi është paragjykuar për një kohë të gjatë nga copëtimi 

Është për t’u vënë në dukje këtu se goditja fatale e Komonuelthit erdhi kryesisht nga Rucia cariste, por kur në krye të saj qëndronte Katerina e Madhe, e cila ishte në origjinë një fisnike gjermane.

Parashtresa këtu dhe kontestimi i një vije historike për një shtet të dështuar vjen e merr vetiu ngjyrime politike, përderisa Polonia, për vetë historinë e saj, sidomos në shekullin e 20-të është ndoshta viktima par exellence e ekuilibrave të forcës që e vunë atë mes dy grupimeve të fuqishme me prirje imperialiste. Merr ngjyrime edhe për shkak të faktit sepse kjo histori kaq e larmishme dhe me kaq shumë ndikim, shpjegon më mirë se çdo gjë tjetër, se pse pikërisht Polonia katolike, është kundërshtarja më e madhe e narrativës së pas Luftës së Dytë Botërore, që ka një qasje jokonvencionale ndaj narrativës së gjithëpranuar dhe që edhe sot është aktori më i shqetësuar për veprimet dhe planet e Kremlinit.

Ironia e deshi që nëse Katerina e Madhe sanksionoi ndarjen e këtij shteti, i cili me Kushtetutën e 3 majit 1791, elaboroi mundësi të paprecedenta për demokratizimin e monarkive dhe arritjen e konsensusit ndëretnik dhe multikulturor, do të ishte po Rusia që do të vendoste zgjerimin territorial të Polonisë, kësaj radhe për të kundërpeshuar dhe siguruar zonë tampon me botën gjermanike. Stalini është autori i zgjerimit të Polonisë dhe zgjidhjes së “çështjes gjermane” të saj, me zgjerimin e pas Luftës pikërisht duke arsyetuar se Gjermania mund të kontrollohej edhe përmes një Polonie më të fortë. Aftësia e Polonisë për të rritur veten dhe historia e saj unike, por edhe katolicizmi, krijojnë kushtet për ta parë zhvillimin nën një lente të ndarë nga pjesa tjetër e Europës që duket se perceptohet ende edhe sot, si gjermanocentrike.

Trendi i tanishëm është t’i thuren lavde një komonuelthi tjetër mes kombeve, shteteve dhe kulturave...Komonuelthi – Respublica. Në latinisht, ishte një komunitet divers komunitetesh, një atdhe dhe union i ndarë mes tyre. Secili prej tyre përcaktohej nga klasifikimi social apo besimi fetar. Pse t’i gjykojmë qytetarët e Komonuelthit më ashpër se, le të themi skllavopronarët e Athinës së lashtë, që në njëfarë mënyre venerohen nga teoricienët e demokracisë? Pas Bashkimit të Lublinit në 1569, fisnikëria polako-lituaneze ia doli që për tre breza të mbajë balancën e formës së përzier të qeverisjes, me elementë të monarkisë, aristokracisë dhe demokracisë. Ata ia dolën të mbrohen përballë armiqve, madje edhe të zgjerohen në territor. Mbi të gjitha gjetën mënyrën për të menaxhuar diversitetin. Nuk ishte tolerancë apo indiferencë, ishte një zgjidhje politike...Për ku ishte nisur Komonuelthi para se shkatërrimi i tij në fund të shekullit 18 -të të ndryshonte në mënyrë drastike trajektoren e historisë së Europës Lindore dhe asaj Qendrore? Pra ku po shkonte Polonia para se ta ndalonin në mënyrë brutale? Duhet të shohim të tri ndarjet.

Secila prej tyre ishte një ngjarje e veçantë në historinë diplomatike. Ato ishin rezultat i një sistemi vrasës ndërkombëtar, që ndërveproi në mënyrë tragjike me zhvillimet në Komonuelth. Kjo marrëdhënie ishte shumë më komplekse dhe interesante se ndëshkimi i hebrenjve për mëkatin e anarkisë. Pjesa e pasme e ndarjes ishte kriza e thellë e Komonuelthit: ajo politike, ushtarake, fiskale, ekonomike, demografike dhe intelektuale gjatë gjysmës së dytë të shekullit 17 dhe në dy dekadat e para të shekullit 18. Filloi me kryengritjen e kozakëve në 1648. Në fund të kësaj periudhe, kjo krizë ia kishte bërë të pamundur Pjetrit të parë, të saposhpallurit perandor rus, të vendoste një hegjemoni jozyrtare Lituaninë polake. Nga 1720, rivendosja e komonuelthit si pushtet sovran dhe i pavarur do të ishte e pamundur. Në mes të shekullit 18, Komonuelthi ishte de facto shtet josovran dhe nga 1760 ishte edhe de jure i tillë. Katerina ishte personi përgjegjës që mori vendimet finale për tre ndarjet dhe e bëri këtë sepse besonte se ato ishin interesat perandorake ruse, përfshirë edhe prestigji i saj personal. Në fund, Komonuelthi rezultoi i paaftë për t’i rezistuar presionit të Rusisë, Prusisë dhe Austrisë dhe arsyet për këtë janë të thella

vijon profesori në fjalë.

Që kur vjen puna te interpretimi historik i tezës së një shteti të dështuar nuk mungon të kundërpyesë me një argument më të afërt në kohë:

Mendoj se mund ta përdorim termin shtet i dështuar. Nëse mund ta përdorësh këtë term për dikë në shekullin 18, është e qartë se mund ta përdorësh në këtë rast. Komonuelthit kushtetues i 1791-1792 në drejtimin që po ndiqte ishte gjithçka tjetër veçse një shtet i dështuar. Nuk do të mund të thoshim të njëjtën gjë për Danimarkën dhe Holandën thjesht sepse nuk po i bënin ballë Gjermanisë naziste në 1940...Polonia e pavarur pas Luftës ë Dytë Botërore ka pasur rivalitet mes 3 majit dhe 11 nëntorit. Kisha romake katolike e ka vënë theksin te 3 maji. Bazuar në pretendimin se kjo është kushtetuta më moderne në Europë dhe e dyta në botë

Si vepron ende sot ky realitet që i është nënshtruar një harte krejt të përmbysur politike në Europë? Patjetër që vepron në perceptimin dhe interpretimin e ngjarjeve, akteve dhe veprimeve, duke e bërë siç po e shohim të pamundur pajtimin reciprok mes kombeve. Dhe kombet që nuk pajtohen me pasojat e historisë, herët apo vonë do kërkojnë revizionime politike. Shpërbërja e Komonuelthit si bashkërendim i Rusisë së Katerinës dhe botës gjermanike tingëllon si një akt me pasojë të zgjatur në kohë, pasi edhe sot Europa duket se po funksionon dhe i shërben më mirë po kësaj bote gjermanike, që në një mënyrë apo tjetër e toleron Rusinë në ankthin e vet përkundrejt Perëndimit, pas dështoi në konfrontimin e LIIB.

Ndonëse teorike dhe në rrafsh akademike, pyetje si kjo e këtij leksioni shenjojnë hijet e një historie që mesa duket nuk është harruar as nga konsensusi liberal i shekullit tonë dhe atij që lamë pas dhe ajo çfarë duket se po merr jetë është një Poloni që e sheh veten gjeopolitikisht në kontekst historik dhe jo thjesht si njësi e Bashkimit Europian. Pa harruar ndërlikimet që ajo sjell në raport me Rusinë, me të cilën ka një marrëdhënie shumë të ndërthurur, me rivalitet dhe mëri që shpjegohen vetëm duke jetuar në atë rajon të Europës që duket nuk gjen dot paqe.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.