Kur do reagojë AMA për ato që duhet?

Postuar në 26 Qershor, 2022 17:35

Programi “E Diell” vjen çdo të dielë në ekranin e Top Channel duke bërë bashkë të vegjël e të mëdhenj, kjo për shkak të karakterit argëtues, informues e edukativ që ka. Një program me rubrika të dedikuara për të gjitha moshat e për të gjithë shqiptarët brenda e jashtë vendit, nga fëmijët 7 vjeç deri në zonjat e zotërinjtë që kanë nostalgji për kohën që kemi lënë pas, apo duan të dinë diçka më tepër mbi aktualitetin.

Teksa lexon këtë paragraf në faqen online të Top-Channel, televizion kombëtar ky, të shfaqet përmbajtja e këtij emisioni që fton edhe 7-vjeçarët ta shohin në një orar dreke. Dhe kësaj radhe, 7-vjeçarët kanë patur mundësi të shohin një person, të quajtur Erjola Doçi, që në studio ka nxjerrë këmbët e ka nisur të lyhet me krem duke përdorur mandej një krehër për të krehur këmbët. Me një shqipe të veçantë, znjsh. Doçi ka sqaruar se krehëri të hap poret, se ajo i kushton shumë rëndësi higjenës, se paketa e saj krem plus krehër kushton 2000 euro, të gjitha këto nën kurioziteti ngacmues të Manushit. Moderatori ky i emisionit.

Në faqen online, kjo performancë informative me siguri, sepse argëtuese nuk mund të jetë asesi një ngjarje kaq kritike për një njeri, si kremi dhe krehëri, jepen edhe lajmet përkatëse se Erjola sqaron se ku i gjen lekët për kremërat. Gjithnjë pas kritikave në rrjet, sepse ato kritika të marrin në qafë.

Ndër të tjera zonja apo zonjusha thotë se “lëre tashi kët muhabet se ne 2 tagse na bëjnë 2000 euro, por unë nuk konsumohem shumë, dal kur duhet”.

Ta lëmë personin në hallet e veta: pyetja që shtrohet është: çfarë do një 7-vjeçar përballë kësaj shfaqjeje lëtyrë? Për çfarë i shërben, çfarë mëson, çfarë e argëton e kështu me radhë?  Si shkon kjo shfaqje në përmbushje të asaj që vetë televizioni prezanton për të? Jo vetëm kaq, por kushdo që ka një minimum respekti për fëmijët e vet dhe veten, e di shumë mirë që një 7-vjeçar duhet shmangur nga kontakti vizual televiziv me një moderator si ky Manushi, që vetëm atmosferë familjare nuk krijon dhe vetëm me informimin apo seriozitetin nuk ka pikëtakimi. Po flasim si prezantim publik televiziv, jo për personin që nuk e njohim.

Në këtë turp që shfaqet ditën me diell, vallë Autoriteti I Mediave Audiovizive duhet të reagojë për të kufizuar së paku orarin e një shëllire të tillë të neveritshme, apo të paktën për të përputhur (jo sipas formatit të Top-Channel) përshkrimin e emisionit me atë që transmetohet. Për çfarë është AMA vallë nëse nuk vlerëson këtu aspektin edukativ të transmetimeve të një televizioni kombëtar që është turpi i gazetarisë dhe promovues i të gjithë nënvlerave që mund të gjenerojë konsumi në shoqëri?

Comments

Submitted by Aqif (not verified) on

AMA e ka humbur pusullen.
Emisioni i Ardit Gjebreas po ashtu eshte i mbushur me fjale angleze e fjali angleze.
E kane bastarduar gjuhen shqipe. Shpeshhere mendoj "kush ua perkthen fjalet e Arditit ndjekesve qe nuk dine anglisht "?
Kete horra moderatore jane vene ne gare kush e kush te perdore sa me shume inglizma.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.