Një raport që “tregon” se cilin preferon BE në pallatin Elize

Postuar në 17 Prill, 2022 10:04

Një javë para përballjes finale për presidencën, organi kundër mashtrimit i BE-së ka akuzuar lideren franceze të së djathtës ekstreme, Marine Le Pen dhe bashkëpunëtorët e saj për përvetësim të rreth 600 000 euro gjatë detyrës si eurodeputetë.

Lajmin e bëri të ditur fillimisht media franceze, Mediapart, e cila publikoi pjesë nga raporti i ri i OLAF-it për shpenzimet që grupet politike mund të bëjnë gjatë mandatit të tyre si eurodeputetë.

Agjencia akuzon Le Pen dhe të tjerët se i kanë përdorur fondet për qëllime politike kombëtare, shpenzime personale ose për shërbime që do të përfitonin kompani tregtare pranë partisë së saj, Bashkimi Kombëtar dhe grupit parlamentar të ekstremit të djathtë, Evropa e Kombeve dhe Lirisë (ENF).

Krahas Le Pen, raporti akuzon edhe babain e saj, Jean-Marie Le Pen, ish-partnerin e saj Louis Aliot dhe ish-deputetin e ekstremit të djathtë, Bruno Gollnisch.

Organi i akuzon të katërt se kanë përvetësuar rreth 600 000 euro, të cilat i rekomandon t'i shlyejnë.

Sipas raportit, Le Pen përvetësoi personalisht rreth 137 000 euro para publike nga parlamenti i Strasburgut kur ajo ishte një eurodeputete midis 2004 dhe 2017.

Avokati i Le Pen, Rodolphe Bosselut, thotë se koha kur ky raport del në dritë lë vend për dyshime.

Ai thotë se është "i tmerruar nga mënyra se si OLAF (Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit) po vepron", duke këmbëngulur se disa nga raportet lidhen me "faktet e vjetra më shumë se dhjetë vjet".

Ai shtoi se Le Pen "nuk është thirrur nga asnjë autoritet gjyqësor francez" dhe shtoi se as atij dhe as vetë Le Pen-it nuk i është dërguar raporti përfundimtar.

Hetimi nga OLAF u hap në vitin 2016, tha Bosselut, dhe Le Pen u mor në pyetje me shkrim me postë në mars 2021.

Zyra e prokurorit publik të Parisit konfirmoi për AFP se kishte marrë raportin më 11 mars, të cilin aktualisht po e vlerëson.

Që nga qershori 2017, Le Pen është gjithashtu nën hetim me dyshimin se u ka dhënë anëtarëve të partisë punë false si asistente në Parlamentin Evropian.

Le Pen përballet më 24 prill në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Përballë saj është Emmanuel Macron, i cili kërkon një mandat të dytë. Kjo është përballja e dytë radhazi mes kandidates së ekstremit të djathtë dhe kandidatit të qendrës, pas asaj të vitit 2017, rezultatet e së cilës i dhanë Macronit mandatin e parë si president. Kësaj radhe sondazhet tregojnë diferencë të ngushtuar mes dy kandidatëve, megjithëse parashikojnë fitoren e Macronit. Megjithatë, panorama nuk është plotësisht e qartë për shkak të pasigurisë se nga do të orientohet vota që në raundin e parë shkoi te 7 kandidatët e tjerë.  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.