Kjo NATO nuk është hotel

Postuar në 14 Prill, 2022 18:46
Massimo Gramellini

 

Sociologë eminentë nëpër ekrane na kanë shpjeguar se Putin është burrë shteti dhe NATO një shoqëri e keqe.

Megjithatë, që kur ky burrë shteti pushtoi Ukrainën për të shmangur të qenit i rrethuar nga NATO, ai e gjen veten të rrethuar nga gjithnjë e më shumë kombe që dëshirojnë të bëhen pjesë e aleancës perëndimore ushtarake.

Pse Finlanda dhe Suedia, pas një tradite të gjatë neutraliteti, duan ta vendosin veten nën ombrellën e Perëndimit pikërisht tani? Nga frika e Putinit. Dhe është e njëjta arsye pse shumë italianë, përkundrazi, nuk do të kishin problem të largoheshin nga NATO. Ata nuk preferojnë të irritojnë atë rusin prepotent që është në anën e gabuar të historisë, por në anën e duhur të gazsjellësit. Dhe këtu çështja ndërlikohet.

NATO është një shtëpi e çuditshme, ku prindërit janë më të vegjël se fëmijët: amerikanët marrin rolin e prindërve, mbrojtës dhe të rëndë, dhe evropianët atë të fëmijëve, rebelë nga vokacioni dhe të nënshtruar nga nevoja (dhe komoditeti). Ndërsa ata që janë të frikësuar jashtë do të donin të hynin, ata brenda ankohen, por nuk dalin. Pjesërisht sepse prindërve u leverdis t'i mbajnë fëmijët nën kontroll dhe pjesërisht sepse do t'u kushtonte fëmijëve të tyre punë të palodhur dhe para për t’u shkëputur e për të jetuar vetëm.

Aty ku ka frikë, ka zgjidhje, ka thënë Jung. Kush e di nëse frika e Putinit do ta shtyjë Evropën të ndërtojë shtëpinë e saj. Vetëm në këtë mënyrë ai do të fillojë të vlerësojë më shumë atë të familjes. E cila, pavarësisht se është plot me vrima nga hyn era, ndryshe nga shtëpitë ruse dhe kineze, nuk ka hekura në dritare.

Shkrimi është botuar në Corriere della Sera

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.