Holanda dhe Spanja sfidojnë BE-në me një reformë të re fiskale

Postuar në 05 Prill, 2022 11:32

Edhe pse kanë qenë shpesh në skaje të kundërta për një sërë çështjesh, Holanda dhe Spanja janë bërë bashkë për të kërkuar rishikim të rregullave fiskale të BE-së. Të dy vendet kërkojnë konsensus në të gjithë BE-në lidhur me debatin e "Veriut kursimtar kundrejt Jugut luksoz".

“Duhet të lëmë pas llogoret e vjetra dhe debatet e vjetra të së shkuarës”, tha zëvendëskryeministrja spanjolle dhe ministrja e financave, Nadia Calviño për POLITICO. "Është koha për të ndërtuar, mbi bazën e konsensusit, një qasje e cila është e besueshme dhe realiste."

"Kjo do të thotë që rregullat tona duhet të marrin parasysh faktin se raportet e borxhit ndaj PBB-së në të gjitha vendet evropiane janë shumë të ndryshme nga ato që kishim përpara se të na godiste pandemia," tha ajo. "Evropa duhet të ndërmarrë një përpjekje masive investimi në mënyrë që të sigurojë autonominë tonë strategjike në këtë kontekst të ri gjeopolitik. Ky është fakt."

"Pika politike këtu është të mos humbim energji dhe kohë për dallimet sipërfaqësore. Le të përqendrohemi në bazën e përbashkët, të ndërtojmë mbi bazën e përbashkët," tha homologja e saj holandeze, Sigrid Kaag, në një konferencë për shtyp të hënën.

Debati mbi rregullat fiskale u zbeh që kur Komisioni Evropian sinjalizoi në fillim të këtij viti se mund të zgjasë të ashtuquajturën Klauzola të Përgjithshme e Shmangies deri në vitin 2023, që do të thotë se vendet nuk do të duhet të pajtohen me rregullat fiskale edhe për disa kohë.

Të dy vendet u shprehën përmes një dokumenti të përbashkët të hënën në prag të një takimi të ministrave të Financave të eurozonës në Luksemburg. Holanda dhe Spanja u bëjnë thirrje vendeve të BE-së që të krijojnë një rrugfë të përbashkët të reduktimit të borxhit në një mënyrë që të jetë "reale, graduale, por ambicioze, si dhe në përputhje me rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës". Ato theksojnë se "investimet publike të konsiderueshme të financuara nga BE dhe kombëtare do të jenë të domosdoshme për grumbullimin e investimeve private në zonat strategjike".

Dy vendet bëjnë thirrje për "një rregullore të thjeshtë shpenzimesh" që do t'i bënte rregullat më të kuptueshme dhe më të zbatueshme.

E përkthyer në politikë, kjo do të nënkuptojë t'u jepet vendeve më shumë liri veprimi për ritmin e reduktimit të borxhit dhe anulimin e kërkesës për të reduktuar borxhin e tepërt me 5 për qind në vit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.