Kthesa e HIV: infektohen më shumë heteroseksualë se homoseksualë

Postuar në 13 Shkurt, 2022 11:15
Ian Green

 

Kur u diagnostikova me HIV rreth 25 vjet më parë, më dhanë vetëm tetë vjet jetë. HIV kishte hyrë vrullshëm në komunitetin e homoseksualëve dhe diagnoza ime ishte njëfarë lehtësimi pas një dekade  i bllokuar në një cikël seksi, turpi, frike dhe keqardhjeje. Situata dukej e pashpresë për mua dhe për miqtë e mi.

Mrekullisht, trajtimet që bënin punë u gjetën pikërisht në vitin e diagnozës sime, që do të thotë se ia dola të jetoj për të bërë kaq shumë gjëra që kurrë nuk e kisha menduar se do të arrija 'i bëja. U bëra 40 vjeç, më pas 50 dhe mendoj se do të kap të gjashtëdhjetat dhe të shtatëdhjetat. Ky zbulim mjekësor në vitin 1996 nënkuptonte se diagnoza e HIV-it nuk ishte më një diagnozë përfundimtare, por normat mes homoseksualëve mbetën në mënyrë disproporcionale të larta dhe stigma e përhapur. Derisa, na u vunë në dispozicion mjetet e nevojshme (në sajë të zbulimeve mjekësore) për të parandaluar në mënyrë efektive transmetimin e HIV-it dhe për t'u siguruar që ato të përdoreshin nga ata që ishin më në rrezik.

Ky ndikim po ndihet dhe po ndryshon jetën e njerëzve. Tani, 49% e diagnozave të reja në Angli janë mes heteroseksualëve (me një ndarje pothuajse të barabartë midis burrave dhe grave), krahasuar me 45% për burrat homoseksualë dhe biseksualë. Kjo është hera e parë në një dekadë që rastet e reja janë më shumë te komuniteti i heteroseksualëve – çka shënon një ndryshim të qartë në formën e epidemisë së HIV-it në familje. Një ndryshim që duhet të ndikojë në reagimin tonë, në mënyrë që të garantohemi që qeveria të përmbushë angazhimin e saj për t'i dhënë fund rasteve të reja të HIV-it deri në vitin 2030.

Fatmirësisht, kjo nuk ka të bëjë me një rritje të madhe të diagnozave të HIV midis heteroseksualëve. Në vend të kësaj, është kryesisht rezultat i një rënieje të mprehtë dhe të qëndrueshme të diagnozave midis meshkujve homoseksualë dhe biseksualë me një rënie prej 71% që nga viti 2014. Kjo tregon se çfarë është e mundur. Dhe, si një njeri që është përballur me këtë diagnozë që të ndryshon jetën, unë e kuptoj vlerën e jashtëzakonshme të çdo transmetimi të parandaluar.

Vlen të përmendet se ky ndryshim është një ndryshim i vërtetë në epidemi dhe jo një i prodhuar si ai i kufizimeve të Covid-19 dhe shifrat e reduktuara që dalin nga testimet. Pati një rënie prej 7% në testimin për HIV-in te meshkujt homoseksualë në klinikat e shëndetit seksual në Angli në vitin 2020, por shkalla e testimit të HIV-it tek heteroseksualët ra me një të tretën. Kjo e bën më dmomethënës lajmin për një numër më të madh rastesh të HIV-it te heteroseksualët sesa meshkujt homoseksualë.

Kjo kthesë përkon me tre ndryshime të mëdha për HIV në Britani përgjatë dekadës së fundit. Së pari, ne po përmirësohemi gjithnjë e më shumë në testimin e HIV-it dhe duke ofruar komplete falas që mund të porositen në internet dhe të bëhen në shtëpi. Dikur prisnim javë të tëra për rezultatet e testit - tani mund ta kemi në 15 minuta. Së dyti, pilula për parandalimin e HIV-it PrEP (profilaksia para ekspozimit) është shumë efektive në mbrojtjen kundër HIV-it. Përdoret gjerësisht nga meshkujt homoseksualë, por shumë më pak nga grupet e tjera.

Së fundi, ne tani i trajtojmë njerëzit që jetojnë me HIV sa më afër që të jetë e mundur me diagnozën e tyre. Diagnoza e hershme dhe aksesi në trajtim efektiv ka bërë që virusi të ulet në nivele "të pazbulueshme", që do të thotë zero rrezik për t'iu kaluar atë partnerëve seksualë. Për shembull, unë kam 100% besim se nuk mund t'ia kaloj HIV-in burrit tim, dhe ai po ashtu.

Puna me grupet në rrezik – duke përfshirë meshkujt homoseksualë, si edhe afrikanët me ngjyrë dhe disa në komunitetin trans – po funksionon. Por shifrat tregojnë se kjo duhet vazhduar dhe zgjeruar. Shifrat për diagnostikimin e vonë japin një panoramë të qartë: 51% e grave, 55% e burrave heteroseksualë dhe 66% e atyre të moshës 65 vjeç e lart u diagnostikuan në një fazë të vonë, që do të thotë pasi ka filluar dëmtimi i sistemit imunitar. Kjo krahasohet me vetëm 29% në mesin e meshkujve homoseksualë dhe biseksualë.

Ne duhet të testojmë më shumë njerëz më shpesh dhe në më shumë vende – pavarësisht nga gjinia, seksualiteti, etnia apo ndonjë karakteristikë tjetër. Aktualisht, qindra mijëra njerëz po largohen nga klinikat e shëndetit seksual pa u testuar për HIV. Kjo duhet të ndalet. Në Ditën Botërore të SIDA-s, qeveria britanike njoftoi 20 milionë £ fonde të reja për të bërë testimin HIV të aksesueshëm në departamentet e urgjencës në zonat me prevalencën më të lartë të HIV-it. Në spitalin e King's College në Londër, janë diagnostikuar 116 raste të reja nëpërmjet testimit të HIV-it në departamentin e urgjencës gjatë pesë viteve të fundit. Pacientët që u diagnostikuan në këtë mënyrë ishin kryesisht gra, heteroseksuale dhe të etnisë së zezë, krahasuar me njerëzit e diagnostikuar në departamentin e shëndetit seksual të spitalit.

Një arsye kryesore që kjo qasje është kaq efektive është se shumë njerëz të rrezikuar nga HIV nuk do të shkojnë kurrë në shërbimin e shëndetit seksual, prandaj ne duhet të ofrojmë testime në mjedise "jo tradicionale". Plus, ofrimi i një testi HIV për të gjithë e normalizon atë dhe zvogëlon stigmën, sepse pacienti nuk veçohet për shkak të seksualitetit ose përkatësisë etnike. Testet e HIV-it përmes postës, pa kosto, duhet të jenë gjithashtu të disponueshme në të gjithë vendin gjatë gjithë vitit – dhe jo vetëm për Javën Kombëtare të Testimit të HIV-it, e cila filloi të hënën.

Krahas testimit, pilula parandaluese PrEP duhet të vihet shpejt në dispozicion jashtë klinikave të shëndetit seksual, duke përfshirë farmacitë dhe ambulancat, në mënyrë që të përfitojnë më shumë njerëz.

Ne gjithashtu duhet të sigurojmë që të gjithë profesionistët e kujdesit shëndetësor të kenë një njohuri bazë solide për HIV-in, gjë që unë e di se nga përvoja personale shpesh nuk është kështu. Për shembull, nëse dikush paraqet simptoma të një sistemi imunitar të komprometuar, duhet që mjekët e përgjithshëm të rekomandojnë një test HIV për një grua heteroseksuale të bardhë, ashtu siç mund të bëjnë për një burrë homoseksual.

HIV është një sfidë unike shëndetësore dhe mbetet një nga kushtet shëndetësore më të stigmatizuara. Kur u diagnostikova isha në mesin e të 20-ave, në kulmin e krizës së SIDA-s dhe e pashë gjithçka më sytë e mi. Kam marrë pjesë në funeralet e miqve në të 30-at dhe kam qenë dëshmitar i diskriminimit të komunitetit tim në media. Sot ne kemi mënyra shumë efektive për parandalimin, testimin dhe trajtimin e virusit HIV. Dikush i diagnostikuar sot ka mundësinë e një jetëgjatësie normale falë trajtimit efektiv, i cili gjithashtu do të parandalojë kalimin e HIV-it te të tjerët.

Por perceptimet publike nuk kanë ndryshuar në përputhje me përparimin mjekësor. Dhe ky është një problem i madh – jo vetëm sepse ndikon në jetën e shumë prej nesh që jetojmë me HIV, që përballen me stigmën, por sepse i bën të hezitojnë para se të shkojnë të testohen. E thënë thjesht: ne nuk do t‘u japim fund rasteve të reja të HIV-it pa i dhënë fund edhe stigmës. Dhe nëse nuk arrijmë t’i ulim në minimum rastet e reja të HIV-it kur kemi mjetet në dispozicion, është krejtësisht i papranueshëm.

Autori është shefi ekzekutiv i Terrence Higging Trust 

Shkrimi është botuar në "The Guardian"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.