Pse Shqipëria i ngjan aq shumë vendeve të Azisë Qëndrore

Postuar në 15 Janar, 2022 22:31
Viron Gjymshana

 

Në vitin 1990 Shqipëria konsiderohej nga opinioni perëndimor si një vend komunist i ish-Europës Lindore. Pra njëlloj si Sllovakia, Lituania, Estonia, Sllovenia etj. Sot opinioni ka ndryshuar. Vendi ynë është vendosur në një radhë me shtetet e dala nga ish-Jugosllavia. Që ende nuk kanë hyrë në BE. Si Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi, Bosnja dhe Kosova. Në dallim nga vendet e ish-Europës Lindore vendet e Ballkanit Perëndimor bien në sy për një shumëllojshmëri etnike dhe fetare. Bosnja p.sh është përbërë nga kroatë katolikë, serbë ortodoksë dhe nga një popullsi sllave e besimit mysliman. Po kështu Maqedonia është e përbërë nga maqedonas sllavo-ortodoksë dhe shqiptarë myslimanë. Edhe në Serbi dhe Mal të zi, megjithëse me shumicë absolute sllavo-ortodokse, kemi pakica të rëndësishme myslimane.

Bashkimi Europian pranoi në gjirin e tij pa shumë vështirësi 10 shtete të Europës Lindore. Të gjitha me përbërje fetare të krishterë. Por pranimi në të edhe i 5 vendeve të dala nga ish-Jugosllavia si dhe i Shqipërisë po duket tejet i vështirë. A është vallë përbërja fetare që pengon anëtarësimin e këtyre vendeve në BE?! Kjo ka pak gjasa të jetë e vërtetë. Pasi në Bashkimin Europian sot jetojnë shumë më tepër myslimanë edhe sesa në të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.

Zyrtarët e lartë të Brukselit kanë theksuar disa herë se korrupsioni i tejpërhapur, krimi i organizuar, mungesa e shtetit të së drejtës, autoritarizmi i udhëheqësve të disa prej këtyre vendeve, janë shkaqet e vërteta që pengojnë tani për tani integrimin e këtyre vendeve në BE. Dhe duket se Bashkimi Europian ka të drejtë.

Ngjarjet e fundit p.sh në Kazikistan, zbuluan ngjashmëri të çuditshme p.sh ndërmjet këtij vendi me sipërfaqe 10 herë më të madhe sesa Franca me Shqipërinë e vogël. Por fenomene të ngjashme vërehen edhe në Turkmenistan, Azerbajxhan, Kirgistan, Taxhikistan, Uzbekistan etj.

Deri në vitin 2019 në Kazakistan sundonte me dorë të hekurt një kuadër i lartë i ish-nomenklaturës sovjetike, Nur Sulltan Nazarbajev. Pas 29 vjet sundimi të palëkundur ish- “babai i kombit” bëri sikur u tërhoq nga skena politike dhe caktoi si zëvendës një bashkëpunëtor të tij të afërt, i quajtur Kasem Tokajev. Por 2 vjet më pas marrëdhëniet e tyre u prishën. Ndoshta ngaqë udhëheqësi i ri donte të vepronte i lirë, pa e mbajtur “kumbrin” në kurriz. Përplasja e tyre arriti kulmin para dy javëve kur në vend shpërthyen demonstrata të dhunshme kundër pushtetit në fuqi. Shkak u bë ngritja e çmimit të gazit, që në Kazakistan gurgullon në çdo hap, por dukej po ashtu se demonstruesit e kishin mërinë më shumë me ish-udhëheqësin e gjasme dorëhequr. Ata e konsideronin atë si shkaktarin e varfërisë së tyre në një vend me pasuri natyrore të pafundme.

Para 2 ditësh këtyre zërave iu bashkua edhe udhëheqësi aktual Tokajev! As më shumë dhe as më pak ai e akuzoi parardhësin e tij se ia kishte shitur pasuritë kombëtare një grupi oligarkësh të lidhur me familjen e tij.

“Në vendin tonë është krijuar një kastë njerëzish shumë të pasur që ka në dorë ekonominë e vendit”, - theksoi Tokajev. “Ka ardhur koha që këta t’i lajnë borxhin që i kanë popullit”,- nënvizoi udhëheqësi i ri i Kazakistanit.

Ai kërkoi që këta persona shumë të pasur me ndërmarrje shumë të fuqishme të paguajnë taksa shtesë në favor të popullit të varfër. “Këta kanë vënë pasuri të pafundme”,- pohoi presidenti Tokajev, i cili bëri të ditur me këtë rast se po mendonte t’i jepte fund monopolit të inceneratorëve, që ishin në dorën e vajzës së vogël të ish-presidentit Nazarbajev,- Alies!

Një tjetër vajzë e ish-presidentit, e quajtur Dinara, së bashku me burrin e saj, Timur Kulibajev, që janë nga njerëzit më të pasur të Kazakistanit, kontrollojnë bankën “Halyk” dhe kanë në dorë sektorë të rëndësishëm të naftës dhe gazit në vend. Ndërsa vajza më e madhe e ish-diktatorit Nazarbajev, Dariga, i është futur politikës, duke u bërë një zë i fuqishëm në parlamentin vendas në mbrojtje të interesave ekonomike të babait të saj.

Oligarkë që kanë zaptuar pasuritë kombëtare të një vendi të tërë, vajza dhe dhëndurë që falë pushtetit të babait të tyre kanë vënë miliona, një “zëvendës” që do të heqë qafe tutorin e tij, vrasje në mes të bulevardit kur demonstruesit protestojnë kundër korrupsionit në vend, ndërhyrja e forcave të huaja për të rivendosur rendin, monopol i inceneratorëve etj., etj – a nuk të kujtojnë të gjitha këto dukuri të një vendi të ish-Bashkimit Sovjetik- një vend të vogël në buzë të Adriatikut?! A nuk është atëherë edhe Shqipëria një Kazakistan i vogël? A nuk vuajmë nga të njëjtat sëmundje?!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.