Kush do donte që fëmija e tij të orientohej për të ardhmen nga Damian(ët) Gjiknuri?

Postuar në 05 Nëntor, 2021 12:23

Në Tiranë po zhvillohet këto ditë një aktivitet me temë politikat progresive në Ballkanin Perëndimor, ku siç njofton Agjencia Telegrafike Shqiptare marrin pjesë “me dhjetëra të rinj aktivistë të Partisë Socialiste dhe partive simotra në rajon”. Aktivitetin e ka përshëndetur Damian Gjiknuri, i mirënjohuri i qeverisjes së skandaleve Rama 2, i cili në cilësinë e sekretarit të Përgjithshëm të partisë ndër të tjera tha:

Si t’i mbajmë të rinjtë të angazhuar në debatin publik të politikbërjes? Unë mendoj se kjo është një nga sfidat më të mëdha të kohës tonë. Politika nuk është më si në të shkuarën. Sigurisht që ka disa gjëra që nuk kanë ndryshuar, që janë njësoj, siç është organizmi politik. Partitë politike janë si institucione, sepse çfarë është Partia sot do të jetë vendi nesër! Nëse do të kesh një Parti Demokratike të shëndetshme, do të kesh anëtar të angazhuar dhe do të kesh anëtar të kualifikuar; këtë do të kesh nesër në qeverisje. 

Kjo do të jetë mënyra sesi do të qeverisësh vendin. Mendoj se është shumë e rëndësishme që ne të vijojmë t’i rritim partitë, t’i zgjerojmë, por në të njëjtën kohë, kjo është një nga sfidat që kemi ne, si Parti Socialiste, në mandatin e tretë qeverisës 

Procese të tilla janë mundësi rekrutimi për individë të rinj dhe një mënyrë për të mbajtur gjallë lajmin për partitë politike që janë në presion të vazhdueshëm dhe vuajnë krizë themelore besimi.

Në Shqipëri nuk ka sot që flasim asnjë parti politike që të ketë një projekt, kapacitete, apo vullnet që të çojë vendin në shekullin e 21-të. Partitë politike veprojnë si agjentë konservatorë, fanatikë madje të konservimit të ekuilibrave të vjetër duke investuar në status quonë, që është element strategjik për të ardhmen e tyre. 

Asnjë lider, asnjë drejtues me minimumin e arsyes pozitive nuk do të pranonte në detyrën e numrit dy të një partie që qeveris një njeri si Damian Gjiknuri, modeli më i diskredituar së bashku me Saimir Tahirin dhe Erion Veliajn, për t’u shërbyer si shëmbëllim i një të ardhmeje. Ne jetojmë një kohë kur korrupsioni, korruptimi i vetes ka kapur maksimumin përderisa çdo qasje ndaj të ardhmes ndërtohet në një lidhje apo në një tjetër me pushtetin. Ne nuk kemi sot një rini që synon tregun, lufton për idetë e veta apo përballet për ndonjë kauzë. Të kujtojmë protestën e studentëve e cila mori shkas nga rritja e një tarife, për turpin e studentëve dhe profesoratit dhe që në finale, edhe si përballje retorike me pushtetin e humbi betejën. 

Në këtë kuptim nëse do të bënim një pyetje se cila familje që vërtet synon më të mirën për fëmijën e vet do të pranonte që për të ardhmen t’i bilbilojë Damian Gjiknuri me damianët dhe taulanët e tjerë, do të kishim përgjigjen: ZERO. Zero sepse që në momentin kur një familje investon jo për shkollimin e fëmijës, por diplomimin e tij, damianët e kanë të siguruar vendin e tyre në podium. Prej nga ku sigurojnë të drejtën të llomotosin pa ndalim për politikat progresive dhe të mbajnë ende kravatën e të majtit në një vend që sundohet nga krimi dhe ku kriminalizimi është mendësi. Është një kryqëzim i rrezikshëm për një shoqëri që ka kthyer kokën nga ana tjetër dhe flet pa pushim për xhepin e vet, por nuk do të vërë emra, as të hedhë qoftë edhe një gur për të ardhmen e cila qëkurse ky shtet u licencua të ekzistojë nga të tjerë, projektohet larg tij. Sa më larg madje.

s.zaimi

Comments

Submitted by XXL (not verified) on

SHKRIM I BUKUR

Submitted by eh (not verified) on

“He knows nothing; he thinks he knows everything - that clearly points to a political career.
-George Bernard Shaw (1856 – 1950)”

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.