Kurz dhe modeli amerikan i "Wanted"

Postuar në 10 Tetor, 2021 14:24
Skerdilajd Zaimi

 

Lajmi i ditës së djeshme ishte largimi nga detyra i kancelarit austriak Sebastian Kurz. Një politikan i ri dhe hiperambicioz, që u profilizua si protagonist në arenën ndërkombëtare me propozimet e bëra gjatë krizës migratore të vitit 2015, Kurz ka dhënë dorëheqjen për shkak të një hetimi për korrupsion ën Austri. Hetimi konsumoi edhe kontrolle në Kancelari dhe Ministrinë e Financave, por edhe edhe partinë e Kurz dhe pas kësaj pasoi njoftimi se ndaj Kurz ka nisur një hetim.

Rasti në fjalë është shembull i qartë se lakmia ka prekur majën e çdo piramide politike dhe shtetërore në Europë, meqenëse shenja të tilla sa vijnë e po shpeshtohen.

Përtej kësaj veprimi i institucioneve austriake dhe dorëheqja e Kurz dëshmojnë për një shoqëri të shëndetshme deri diku dhe që ka relacione me atë që quhet etika e një sistemi demokratik.

Largimi i kancelarit për korrupsion është në thelb, por edhe si procedurë një vetëpërmbushje e normës demokratike që kërkon jo vetëm dorëheqjen, por edhe përmbushjen e atusë së saj si prerogativë që në vend të gjuetisë së shtrigave të bëhet drejtësi.

Është një mundësi e mirë për të kuptuar se përse largimet me ferman nga Amerika i politikanëve të caktuar nuk jep shpresë për drejtësi reale në vendet përkatëse, por thjesht inskenon një akt gangsterizmi politik që na thotë se “you are wanted by uncle Sam”. Mungon vetëm njoftimi i sherifit në murin e Facebook.

Drejtësia është e qartë se nuk mund të jetë diskrecion i një shteti të huaj, por vetëm i shoqërisë ku konsumohet akti që shqyrtohet. Këtë bëjnë sikur nuk e kuptojnë ata që në vendin tonë kanë në dorë kockën e amerikanizmit të cilën ja hedhin për ta gënjyer qenit që rend ta kapë me iluzionin se ka për të ngrënë ndonjë gjë. Me kockën e amerikanizmit në dorë po veprohet ndaj ish-kryeministrit të Shqipërisë, të cilit i është vendosur shpallja “Wanted”, por askush nuk denjoi në Shqipëri, as pronarët e vetëshpallur të 1 milionë shuplakave të popullit, që të kërkojnë procedim apo sqarim për këtë korrupsion domethënës që sot na dalka se paska minuar edhe demokracinë tonë të dashur.

Se cila është axhenda e sherifit amerikan që di vetëm të shkelë atë që nuk i bindet, këtë mund ta kuptojmë më mirë në rastin e ish-kryeministrit izraelit Beniamin Netanyahu, akuzuar brenda vendit të tij për korrupsion, shumë të ngjashëm me këtë Kurz, por që u profilizua në skenën ndërkombëtare si i paprekshëm aq sa arriti deri aty të poshtëronte edhe ish-presidentin e SHBA, Obama.

Kush ka sy e kupton se këtu nuk kemi hakmarrje në veprim, por thjesht zbulimin lakuriq të matematikës së pushtetit, që e ka sistemin e të drejtave protezë për marketing publik.

Në karrige rrinë ata që do Amerika dhe ikin ata që nuk i do Amerika. Dakord. Ky është ligji i forcës. Por kështu ka qenë edhe në Diktatura. Të paktën ta quajmë për atë që është dhe jo  si ushtrim për mbrojtjen e demokracisë. Është një pretencë publike e prokurorit të Botës që së fundmi po përdor edhe armën e dytë të fortë, sanksionet, por jo drejtësi. Jo demokraci.

Me të kuptuar këtë të paktën do të vrisnim edhe ne ëndrrën e gënjeshtërt për Amerikën e cila edhe brenda saj po gërryet nga uashingtonizmi; do na kurseheshin leksionet pesëlekëshe të ambasadorëve që sillen si dhaskalë të moralit dhe do të pranonim botën për atë xhungël që është. Demokracinë ne nuk e ndërtojmë dot. Kjo tashmë u provua historikisht, sikundër u provua që demokracia nuk eksportohet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.