Popullsia e Kinës përgjysmohet brenda vitit 2050

Postuar në 04 Tetor, 2021 13:38

Kina pritet të përballet me një rënie drastike të popullsisë në 30 vitet e ardhshme.

Plakja e popullsisë dhe rënia e nivelit të lindjeve e kanë alarmuar qeverinë kineze kohët e fundit. Të dhënat e regjistrimit të fundit tregojnë një rënie edhe më të madhe të lindjeve nga sa pritej, raporton South China Morning Post. Bazuar në këto të dhëna dhe një ngurrim i përgjithshëm për të pasur më shumë fëmijë, popullsia e vendit parashikohet të përgjysmohet brenda vitit 2050. Projeksioni del nga një studim i botuar në Journal of Xi'an University of Finance and Economics.

Ky parashikim do të kishte implikime të rënda për statusin e Kinës si superfuqi globale. Megjithatë, në lidhje me këtë studim ka disa rezerva.

Për të motivuar çiftet që të kenë familje më të mëdha, Kina kohët e fundit e ndryshoi politikën e lindjeve nga dy fëmijë, në tre. Por studiuesit vërejnë se pengesat kryesore për çiftet e reja kineze janë shqetësimet ekonomike dhe mungesa e sistemeve të mbështetjes sociale - jo shteti që u thotë atyre jo.

"Njerëzit nuk guxojnë të kenë fëmijë për shkak të rritjes së presionit ekonomik. Ka edhe mungesa të mëdha në shërbimet mbështetëse për lindjen dhe kujdesin e fëmijëve", thuhet në studim.

Qeveria kineze është përpjekur ta bëjë strehimin dhe arsimin më të përballueshëm, por studiuesit thonë se masat e reja nuk janë të mjaftueshme.

Ndërkohë, të dhënat e reja të censusit - për të cilat SCMP thotë se ka të ngjarë të jenë më të saktat në histori falë metodologjisë së re dhe praktikave të referimit të ndërsjellë – tregojnë se fëmijët tani përbëjnë 17 për qind të popullsisë së Kinës, ndërsa moshat mbi 60 vjeç përbëjnë 18 për qind.

Studiuesit thonë se kjo është hera e parë në histori që grupi më i vjetër tejkalon numrin e të rinjve, falë një rënieje të numrit të lindjeve të reja që, sipas të gjitha të dhënave në dispozicion, vijon të ulet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.