Kryebashkiaku i Stambollit: Ëndrra ime për Turqinë do të bëhet shpejt realitet

Postuar në 27 Shtator, 2021 17:28

Si politikani i parë që ka mundur Partinë në Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në garën për Bashkinë e Stambollit në vitin 2019, Ekrem Imamoglu është ndoshta figura më e debatuar e opozitës në Turqi. Kryetarja e Partisë së Mirë (IP), Meral Aksener, kohët e fundit e krahasoi atë me Mehmed Pushtuesin, duke ndezur polemika. I pyetur nëse do të kandidojë për presidencën e vendit, ai nuk përgjigjet, thotë se, fakti që gazetarët dhe mediat pranë presidentit po flasin përditë për një kandidat presidencial kur duhet kohë për zgjedhjet e reja, do të thotë se po pranohet se në vend ka një problem me qeverisjen.

Në një intervistë për greken “Kathimerini”, Imamoglu përmend shembullin e përpjekjeve të afrimit të ish-ministrave të jashtëm grekë dhe turq, George Papandreou dhe Ismail Cem, në fillim të viteve 2000, për të theksuar se një marrëdhënie e shëndetshme dhe paqësore midis Greqisë dhe Turqisë është e arritshme. Në intervistën e dhënë gjatë vizitës në Athinë, kryebashkiaku 51-vjeçar i qytetit më të madh të Turqisë flet për problemet me të cilat përballet me qeverinë turke.

Cili është qëllimi i vizitës suaj në Athinë?

Do të vizitoj Athinën për herë të parë dhe ishte ndër qytetet që doja të shihja. Shpresoj se ky udhëtim i parë të krijojë mundësi të mira dhe të ngushtojë hendekun e mungesës së një vizite nga ana ime deri më tani. Ne mund ta konsiderojmë këtë vizitë si një komunikim të fortë midis Stambollit dhe Athinës, pasi diplomacia midis qyteteve kontribuon ndjeshëm në diplomacinë midis vendeve. Demokracia moderne u jep qyteteve fuqi dhe përgjegjësi të madhe, bazuar në paqen ndërkombëtare. Ne të dy si kryebashkiakë po veprojmë me këtë vetëdije.

Si e shihni të ardhmen e marrëdhënieve të vendit tuaj me Greqinë?

Në shumë zona, Turqia dhe Greqia ndajnë një kulturë të përbashkët, një të kaluar të përbashkët dhe një histori të përbashkët. Këto vlera të përbashkëta duhet të sjellin bashkëjetesën në plan të parë, pavarësisht problemeve. Me këtë vetëdije, qëllimi i ruajtjes së miqësisë dhe një procesi paqeje të nisur nga Kemal Ataturk dhe Eleftherios Venizelos duhet të ndiqet gjithmonë, edhe nëse, ndonjëherë, kalon nëpër periudha sfiduese. Dialogu i paharrueshëm i vendosur midis ministrit tonë të Jashtëm, të ndjerit Ismail Cem dhe George Papandreou në të kaluarën e afërt gjithashtu zbuloi se një marrëdhënie e shëndetshme dhe paqësore është e arritshme. Është detyra jonë ta vazhdojmë këtë proces me diplomaci reciproke dhe marrëdhënie të forta që shtrihen në të gjitha aspektet e jetës.

Si kryebashkiakë të qyteteve më të mëdha të dy vendeve, çfarë mendoni se mund të bëhet për t'i afruar popujt së bashku?

Rajonalisht, ne përballemi me probleme të zakonshme si migrimi në shkallë të lartë dhe ngrohja globale. Dy vendet fqinje duhet të mbajnë gjithmonë kanale të hapura dialogu përballë problemeve të tilla. Duke iu qasur problemeve në mënyrë racionale, ne mund ta ndriçojmë të ardhmen tonë duke punuar së bashku.

Do të doja të ritheksoja se të dy vendet tashmë janë pranë njëri-tjetrit nga ana kulturore. Kompozitori dhe muzikanti legjendar grek, Mikis Theodorakis, i cili ndërroi jetë në fillim të këtij muaji dhe të cilin e kujtojmë me respekt dhe mirënjohje të madhe, shkeli në Turqi për herë të parë në Stamboll. Marrëdhënia që ai krijoi me artistin e çmuar të vendit tonë, Zulfu Livaneli, la një kujtim historik në qytetin tonë. Miqësia e tyre zgjati 40 vjet. Unë besoj se ne, si kryebashkiakë të Stambollit dhe Athinës, duke e mbajtur të gjallë këtë shembull, do të zhvillojmë partneritete të vlefshme që do të zgjasin për shumë vite.

A mendoni se Greqia mund të luajë një rol në afrimin e Turqisë me Bashkimin Evropian?

Unë besoj se qëllimi i BE-së është jetik për Turqinë. Nga ky këndvështrim, do të doja të kisha kontributin më të madh në çdo përparim të vendit tim. Greqia, nga ana tjetër, e shfrytëzoi këtë mundësi vite më parë dhe pati një zhvillim të rëndësishëm. BE mbështet përhapjen e vlerave të prosperitetit, paqes dhe demokracisë. Unë besoj se Turqia mund të japë një kontribut të rëndësishëm në këtë Bashkim. Realizimi i objektivit të pranimit do të ndihmojë gjithashtu të gjitha vendet anëtare, veçanërisht Greqinë fqinje. Prandaj, do të ishte e dobishme për Greqinë që t'u jepte përparësi perspektivave të Turqisë dhe jo problemeve të saj. Ky përfitim do ta bëjë rajonin tonë më të fortë dhe më paqësor. Çfarë mund të jetë më e rëndësishme se kaq?

Ju akuzoni qeverinë se e ka penguar punën e Bashkisë së Stambollit. Në një fjalim të fundit, duke iu drejtuar presidencës dhe ministrive, ju thatë: "Nëse viktimizoni qytetarin e Stambollit, atëherë ai nuk do t'ju njohë". Me çfarë lloj problemesh po përballeni? Si janë kontaktet dhe marrëdhëniet tuaja me Presidentin Rexhep Tajip Erdogan?

Unë drejtoj qytetin më të madh në Turqi. Prandaj, ne duhet të mbajmë marrëdhënien më të ngushtë me të gjitha institucionet shtetërore dhe të gjejmë zgjidhje për problemet rreth një tryeze të përbashkët. Unë përpiqem t'i krijoj këto kushte në çdo mundësi. E lë në diskrecionin e njerëzve nëse ka përgjigje të mjaftueshme apo jo. Që nga koha kur u zgjodhëm, ne kemi përjetuar disa veprime kundër nesh, të tilla si zvogëlimi i kompetencave, ndërprerja e burimeve, transferimi i aseteve në institucionet e tjera publike. Sidoqoftë, përkundër gjithë kësaj, ne ia kemi dalë ta vazhdojmë punën pa ndërprerje.

Ne kemi arritur gjëra të mëdha në Stamboll në 27 muaj, kemi ofruar shërbime shumë të mira. Më lejoni të them se ne vazhdojmë të shprehim kërkesën tonë për të bashkëpunuar me të gjitha institucionet qeveritare dhe shtetërore në çdo fushë. Ndonjëherë kjo përmbushet dhe nganjëherë jo. Presidenti ynë është gjithashtu kreu ynë i shtetit. Unë e kam shprehur këtë qëndrim, në kuadrin e respektit dhe mirësjelljes, në çdo takim me të. Po, kur bëhet fjalë për t'i shërbyer Stambollit dhe 16 milion qytetarëve të tij, unë do të flas me kënaqësi me presidentin tonë dhe çdo zyrtar shtetëror, do të shkoj kudo që të më thërrasin dhe do të jem i nderuar të ofroj një shërbim të përbashkët për këtë qytet dhe për këtë vend.

Ju po rrisni prodhimin e Halk Ekmek (buka e njerëzve), e cila është më e lirë se buka e zakonshme, me fabrika të reja. Ju shpesh keni folur për rritjen e shitjeve të Halk Ekmek. Sa e vështirë është jeta e njerëzve për sa i përket kostos së jetesës?

Halk Ekmek Stamboll është një ndërmarrje e rëndësishme komunale, e cila u krijua në vitet 1970 si një shembull konkret i qasjes së një bashkie sociale. Qëllimi i krijimit të saj ishte parandalimi i monopolit të çmimeve në treg, për të siguruar që publiku të kishte akses në bukë të shëndetshme me koston më të arsyeshme. Halk Ekmek po e kryen ende këtë funksion. Në kohën e rritjes së vështirësive ekonomike, kërkesa për produktet tona, të cilat shiten me pothuajse gjysmën e çmimit të tregut, është më e lartë.

Halk Ekmek mund të plotësojë nevojat themelore të njerëzve për ushqim në kohë krize. Ky është themeli i konceptit të bashkisë sociale. Me këtë kompani ne demonstrojmë mirëkuptimin dhe vendosmërinë tonë për një komunë të drejtë që zgjidh problemet e njerëzve dhe e bën jetën më të lirë. Në fillim të vitit 2022 nis punën një nga objektet më të mëdha të prodhimit në Evropë, fabrika jonë e katërt. Me këtë objekt të ri, ne do të rrisim prodhimin në 2 milionë bukë në ditë.

Krahasuar me sot, si e imagjinoni të ardhmen e Turqisë?

Unë i besoj vendit tim, njerëzve të tij. Unë i besoj brezit të ri, prodhuesve, grave dhe njerëzve me përvojë. Kam ëndrra shumë të mëdha për ta. Ëndrra ime për një Turqi që rrit prosperitetin, zhvillon demokracinë, rrit prodhimin dhe përdor potencialin e plotë të teknologjisë bazohet në themele të forta. Nuk do të kalojë shumë kohë që kjo të ndodhë. Turqia është vendi më dinamik në botë. Nën qeverisjen e Aleancës Kombëtare (aleanca opozitare) ne do të dëshmojmë së bashku se si Turqia do të arrijë ndryshimin e madh.

Është një çështje që diskutohet shumë në Turqi. Do të kandidoni për president në zgjedhjet e vitit 2023?

Planet e mia kanë të bëjnë me ofrimin e shërbimit më të mirë, më të drejtë dhe më të barabartë për Stambollin, për 16 milionë bashkëqytetarët e mi, për të ofruar shërbim shembullor për qytetin dhe vendin tim në çdo fushë, për të qeverisur Stambollin me logjikë të shëndoshë dhe për të qenë kryebashkiaku më i suksesshëm dhe demokratik i Stambollit. Medias turke, e cila është pranë qeverisë, tashmë i pëlqen ta ngrejë këtë çështje. Le të mos e shqetësojmë Greqinë me këto diskutime të kota. Por nuk mund të mos e them këtë. Fakti që gazetarët dhe mediat pranë presidentit po diskutojnë çdo ditë për një kandidat presidencial kur ka shumë kohë të mbetur para zgjedhjeve, është në fakt pranimi i një problemi që ekziston në qeverisje.

Ju fituat zgjedhjet për kryetar bashkie të Stambollit përballë një partie që kishte pasur kontrollin e  bashkisë që nga viti 1994? Si e arritët këtë?

Para së gjithash, unë u kushtoj një rëndësi të madhe këtyre zgjedhjeve sepse ato janë një sukses i rëndësishëm demokratik dhe jam shumë i lumtur që vullneti i njerëzve ishte në favorin tonë. Siç e thatë, duke treguar ndryshimin tonë nga një administratë 25-vjeçare, ne thamë se do ta drejtonim këtë qytet të lashtë në bazë të vlerës dhe duke ofruar shërbime të barabarta për të gjithë. Ne premtuam të punojmë ditë e natë me të gjithë miqtë e mi për një Stamboll të blertë, të drejtë dhe krijues. Për më tepër, më 31 mars 2019, ne fituam zgjedhjet. Megjithatë, ata që nuk mund të shtypnin vullnetin e njerëzve dhe ata që e injoruan atë, anuluan zgjedhjet. Ne nuk u dorëzuam, nuk u tërhoqëm kurrë, dhe përkundrazi treguam një vullnet të fortë së bashku me bashkëqytetarët tanë. Në të njëjtën ditë filluam përsëri, të gjithë të përfshirë në Aleancën Kombëtare, veçanërisht partia ime, Partia Popullore Republikane (CHP) dhe Partia e Mirë. Ne kemi krijuar një partneritet të fortë me 16 milionë qytetarë të Stambollit.

Si rezultat, njerëzit tanë arritën një sukses të paparë. Unë u zgjodha kryebashkiak i Stambollit për herë të dytë në tre muaj, duke rritur diferencën e votave nga 13 000 në 806 000, krahasuar me 31 marsin. Ky sukses i madh i demokracisë nuk ishte vetëm suksesi i Stambollit, por edhe suksesi i Turqisë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.