FBI deklasifikon dokumentin e parë mbi lidhjet e Arabisë Saudite me 11 shtatorin

Postuar në 12 Shtator, 2021 10:05

FBI ka publikuar një dokument të sapo deklasifikuar që flet për lidhjet midis qytetarëve sauditë në SHBA dhe dy prej sulmuesve të 11 shtatorit.

Të afërmit e viktimave kanë kërkuar prej kohësh publikimin e dosjeve, duke argumentuar se zyrtarët sauditë kishin njohuri paraprake, por nuk u përpoqën të ndalonin sulmet.

Megjithatë, dokumenti nuk jep dëshmi se qeveria saudite ishte e lidhur me komplotin e 11 shtatorit.

Pesëmbëdhjetë nga 19 rrëmbyesit e avionëve ishin shtetas sauditë.

Dokumenti u deklasifikua në 20-vjetorin e sulmeve më vdekjeprurëse terroriste në tokën amerikane - gati 3 000 njerëz u vranë pasi u rrëmbyen katër avionë - dhe është i pari nga disa të tillë që pritet të bëhen të akesesueshëm për publikun.

Dokumenti i FBI-së me 16 faqe ka shumë elementë të fshirë. Bazohet në intervistat me një burim, identiteti i të cilit është klasifikuar (listuar si PII) dhe përshkruan kontaktet midis disa shtetasish sauditë dhe dy prej rrëmbyesve, Nawaf al-Hazmi dhe Khalid al-Midhar.

Rrëmbyesit u paraqitën si studentë për të hyrë në SHBA në vitin 2000. Memoja e FBI thotë se ata më pas morën mbështetje logjistike të konsiderueshme nga Omar al-Bayoumi, i cili sipas dëshmitarëve ishte një vizitor i shpeshtë në Konsullatën Saudite në Los Angeles, pavarësisht statusit të tij në atë kohë si student.

Bayoumi, thotë burimi për FBI, kishte "status shumë të lartë" në konsullatë.

"Ndihma e Bayoumi për Hamzi dhe Midha përfshinte përkthimin, udhëtimin, strehimin dhe financimin", thuhej në dokument.

Dokumenti i FBI thotë gjithashtu se kishte lidhje midis dy rrëmbyesve dhe Fahad al-Thumairy, një imam konservator në Xhaminë King Fahad në Los Angeles. Ai u përshkrua nga burimet si "me bindje ekstremiste".

Sipas agjencisë së lajmeve AP, Bayoumi dhe Thumairy u larguan nga SHBA disa javë para sulmeve të 11 shtatorit.

Agjencia citon gjithashtu Jim Kreindler, një avokat për të afërmit e viktimave të 11 shtatorit, sipas të cilit dokumenti i lëshuar "vërtetoi argumentet që kemi ngritur në procesin gjyqësor në lidhje me përgjegjësinë e qeverisë saudite për sulmet e 11 shtatorit".

Administratat e George W Bush, Barack Obama dhe Donald Trump kanë refuzuar të deklasifikojnë dokumentet, për shkak të sigurisë kombëtare.

Por Joe Biden javën e kaluar urdhëroi publikimin e tyre gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.

Prej kohësh ka pasur spekulime për lidhje zyrtare saudite me komplotin, duke pasur parasysh numrin e shtetasve sauditë të përfshirë dhe prejardhjen saudite të liderit të Al-Kaedës, Osama Bin Laden.

Sidoqoftë, raporti i komisionit të 11 shtatorit nuk gjeti prova për të implikuar qeverinë saudite ose zyrtarë të lartë.

SHBA dhe Arabia Saudite kanë qenë prej kohësh aleatë, edhe pse marrëdhënia ka qenë ndonjëherë e vështirë.

Donald Trump i forcoi lidhjet por Joe Biden e ka vënë theksin te dyshimet mbi Arabinë Saudite për vrasjen e tmerrshme të gazetarit saudit Jamal Khashoggi në Turqi.

Megjithatë, analistët thonë se Biden ka ardhur duke i zbutur qëndrimet e tij ndaj njeriut më të fuqishëm në Arabinë Saudite, Princit të Kurorës Mohammed bin Salman, duke lënë të kuptohet se para së gjithash ka rëndësi aleanca.

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.