Studimi i gjenomit shpjegon evolucionin e homoseksualitetit

Postuar në 07 Shtator, 2021 13:28

Si i ka mbijetuar homoseksualiteti evolucionit? Gjenet e lidhura me marrëdhëniet e të njëjtit seks mund të kenë potencialisht funksione të shumta, është përfundimi i një hulumtimi të kryer nga Universiteti i Queensland-it. "Misteri rreth kësaj është pse sjellja seksuale e të njëjtit seks, e cila dihet se është e ndikuar nga gjenet, i ka mbijetuar evolucionit. Dihet se seksi mes personave të së njëjtës gjini nuk çon në riprodhim, çka është “monedha” e përzgjedhjes natyrore", thotë Brendan Zietsch, i cili ka udhëhequr studimin e publikuar në “Nature Human Behaviour”.

Studimi i gjerë i gjenomit të homoseksualëve evidentoi gjene të zakonshme dhe ekipi konkludoi se ato mund t’u kenë shërbyer heteroseksualëve duke i ndihmuar ata të kenë më shumë pasardhës.

"Ne zbuluam se variantet gjenetike të lidhura me të paturit partnerë të të njëjtit seks lidhen gjithashtu me të pasurit më shumë partnerë të seksit të kundërt, te njerëzit që kurrë nuk kanë pasur një partner të të njëjtit seks", thotë Zietsch.

Gjetjet tona japin një zgjidhje të mundshme për këtë mister - gjenet për sjelljen seksuale të të njëjtit seks mund të kenë mbijetuar sepse ato ofrojnë një avantazh të çiftëzimit tek heteroseksualët, të cilët gjatë evolucionit do të kishin rritur riprodhimin.

Kjo do të thotë se disa gjene mund të kenë pasur më shumë se një funksion - një fenomen gjenetik i quajtur pleiotropi antagoniste.

"Pleiotropia antagoniste është kur të njëjtat gjene ndikojnë në tipare të ndryshme", shpjegon Zietsch.

"Në këtë rast, të njëjtat gjene që rrisin gjasat për të pasur partnerë të të njëjtit seks, njëkohësisht rrisin edhe gjasat për të pasur partnerë të shumtë të seksit të kundërt te bartësit heteroseksualë të atyre gjeneve."

Autorët vërejnë se studimi ka disa kufizime, pasi grupi i studiuar ishte nga Britania e Madhe, SHBA dhe me prejardhje evropiane.

"Më e rëndësishmja (paralajmërimi) është se mostra jonë është e kufizuar në kohë dhe vendndodhje, kështu që nuk mund të jemi të sigurtë se lidhjet gjenetike që gjetëm do të ishin të njëjta në vende të tjera, përfshirë grupe të ndryshme etnike, dhe në raste të tjera, për shembull në të kaluarën e largët", shpjegon Zietsch.

Qëndrimet ndaj homoseksualitetit ndryshojnë shumë në kohë dhe vend, kështu që kjo mund të ndikojë në lidhjet gjenetike.

Por nuk mund të shpjegohet homoseksualiteti vetëm me korrelacionin me gjenomin. Sjellja seksuale shpesh ndikohet nga gjenetika dhe shoqëria, veçanërisht pasi ky studim vlerësoi sjelljet seksuale, jo orientimin seksual, të cilat janë shumë të rregulluara në pikëpamje sociale.

Sidoqoftë, studimet e mëtejshme mund të zbulojnë përhapjen e këtyre gjeneve në kulturat dhe vendet e tjera.

Studimi është botuar me një shënim shoqërues, i cili shpjegon se për të janë konsultuar grupe të avokatisë LGBTQ+.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.