Një pandemi që zhvlerësoi Parlamentin. Vaksinim, por a jemi të informuar?

Postuar në 03 Shtator, 2021 16:01

Kryeministri italian, Mario Draghi, një ditë më parë la të hapur mundësinë e vaksinimit të detyrueshëm. Një nga kundërshtarët më të fortë për këtë është brenda qeverisë së tij. Aleati i djathtë, Matteo Salvini, është shprehur kundër një vendimi të tillë.

Kjo i ka hedhur “benzinë” zjarrit të debatit për vaksinimin e detyruar, kartën e shëndetit (Green Pass) dhe liritë individuale. Profesori Massimo Cacciari në një prononcim për “La Stampa”, thotë se menaxhimi i pandemisë ka përkeqësuar krizën e një sistemi në të cilin Parlamenti është gjithnjë e më pak në qendër. Për këtë arsye, sipas tij, para vaksinimit, është e nevojshme të reflektohet për mungesën e respektimit të lirive individuale të qytetarëve.

"Unë do të doja një përgjigje nga juristët: a është apo jo në kundërshtim me rregulloren e BE 2021/953, e cila ndalon çdo diskriminim, institucioni i Green Pass, mbi të cilin do të bëhet ligji në Itali? Unë do të doja të pyesja konstitucionalistët tanë të shquar: a nuk u duket atyre se mundësia për të detyruar dikë t’u nënshtrohet trajtimeve mjekësore varet plotësisht nga "respekti për qenien njerëzore"? A nuk mendojnë ata se, kusht i domosdoshëm për të respektuar dikë është që ai të jetë i informuar siç duhet? A u rezulton atyre se kanë qenë të informuar saktë për ecurinë e epidemisë, vaksinës, vaksinave, pasojave të tyre të mundshme etj.? Dhe nga kush mund të jenë informuar? Nga broshurat e Big Pharma-s që ndryshojnë vazhdimisht? Në internet midis dhjetë mijë artikujve kontradiktorë? A është turp ta diskutosh, a është joshkencore, a do të thotë kjo se po bashkohesh me CasaPound (lëvizja neofashiste në Itali)?”.

Sa i takon vaksinimit, Cacciari pohon se "shumë mjekë të përgjithshëm dhe mjekë që po kurojnë sëmundjen u këshillojnë pacientëve të tyre të mos vaksinohen, por ata nuk guxojnë të nënshkruajnë ndonjë certifikatë. Në këtë situatë, a nuk do të ishte e matur të prisnim para se të vaksinohen miliona adoleshentë dhe fëmijë? Si t’ia bëjmë me të drejtën e njeriut? Këtu ka një subjekt, i cili në vetvete nuk rrezikon asgjë ose pothuajse asgjë, të cilit i imponohet një trajtim, pasojat e mundshme të të cilit injorohen, pothuajse ekskluzivisht në favor të të tjerëve”.

Për Cacciari-n është e nevojshme që gjatë shndërrimit të dekretit në ligj “të tregohen qartë kriteret mbi bazën e të cilave do të përfundojë gjendja e jashtëzakonshme". Vendimi nuk mund të merret ad libitum në bazë të një dekreti ministror. “Për dekada të tëra, Parlamenti ka humbur në mënyrë progresive rolin e tij qendror dhe autoritetin. Kjo është një mundësi që të përpiqemi të ndryshojmë rrjedhën, le të mos e humbasim”.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.