Më shumë ndotje, më shumë probleme mendore

Postuar në 27 Gusht, 2021 13:30

Ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit lidhet direkt me rritjen e ashpërsisë së sëmundjeve mendore. Një studim i kryer në Londër analizoi të dhënat e 13 mijë banorëve të kryeqytetit britanik dhe arriti në përfundimin se një rritje relativisht e vogël e ekspozimit ndaj dioksidit të nitrogjenit çon në një rritje prej 32% të rrezikut për të pasur nevojë për trajtim me bazë komunitare dhe një rritje prej 18% të rrezikut të pranimit në spital.

Studiuesit thonë se këto gjetje mund të vlejnë për shumicën e qyteteve në vendet e zhvilluara.

Studimi përdori frekuencën e pranimit në spital ose vizitat tek mjekët dhe infermierët e komunitetit si një tregues të shkallës së sëmundjeve mendore. Studiuesit llogaritën se një reduktim i vogël i vetëm një ndotësi mund të zvogëlojë sëmundjen dhe të kursejë dhjetëra miliona në vit.

Ioannis Bakolis, i King's College London, i cili drejtoi kërkimin, thotë se “edhe në nivele të ulëta të ndotjes së ajrit, ky lloj efekti te njerëzit është i dukshëm”.

Hulumtimet e fundit kanë treguar se një rritje e vogël e ndotjes së ajrit lidhet me rritje të konsiderueshme të depresionit dhe ankthit. Po ashtu, ndotja është lidhur edhe me rritjen e vetëvrasjeve dhe rrezikun e çrregullimeve mendore. Hulumtime të tjera kanë gjetur se ndotja e ajrit shkakton një reduktim "të madh" të inteligjencës dhe lidhet me demencën. Një rishikim global në vitin 2019 arriti në përfundimin se ndotja e ajrit mund të dëmtojë çdo organ në trupin e njeriut.

Studimi i ri, i botuar në British Journal of Psychiatry, gjurmoi pacientët në jug të Londrës që nga kontakti i tyre i parë me shërbimet e shëndetit mendor dhe përdori vlerësime me rezolucion të lartë të ndotjes së ajrit në shtëpitë e tyre.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.