Ironike/Propaganda ka nevojë për fakenews edhe kundër talebanëve

Postuar në 26 Gusht, 2021 23:44

Qëkur talebanët morën pushtetin në Afganistan, në mediat sociale janë publikuar shumë foto, disa prej të cilave kanë qenë false, të vjetra apo të nxjerra nga konteksti. France Observer ka verifikuar disa prej tyre.

Ashraf Ghani që arratiset

Ish-presidenti la Afganistanin pasi talebanët rrethuan Kabulin. Menjëherë pasi ai e bëri këtë njoftim në Facebook, në rrjet qarkulloi një video ku ai shfaqej në aeroport. Por largimi i Ghanit nuk u filmua kurrë. Video është e korrikut 2021, ku ai është nisur në një konferencë në Uzbekistan.

Flamuri taleban mbi presidencë

Fotoja që tregon flamurin e talebanëve teksa valëvitet mbi pallatin presidencial është false. Ajo është një screenshot i modifikuar me Photoshop, i marrë nga një video e marsit 2020, ku shfaqet flamuri afgan mbi presidencë.

Gratë afgane me zinxhirë

Në mediat sociale, disa foto ngritën alarmin për mënyrën se si po trajtohen gratë afgane menjëherë pas mbërritjes së talebanëve. Fotot janë të vërteta, por të nxjerra nga konteksti. Fotot janë shkrepur në 17 tetor 2014, kur aktivistët kurdë organizuan një protestë kundër përdorimit të grave si skllave seksi nga Shteti Islamik.

Fotoja tjetër është e modifikuar. Origjinali është shkrepur në Erbil, Irak, në vitin 2003. Pa zinxhirë, sigurisht.

Protesta e grave afgane

Një protestë e organizuar nga gratë e Kabulit u raportua me video në rrjetet sociale. Në fakt, ajo është video e një proteste të grave të Qomit në Iran. E vetmja gjë e vërtetë që ka videoja është koha. Protesta është mbajtur më 16 gusht 2021.

Gazetarja e mbuluar e CNN

Lajmi se menjëherë pas mbërritjes së talebanëve një gazetare e CNN që raportonte nga Kabuli vuri shaminë, u shpërnda në rrjet. Vetë reporterja Clarissa Ward deklaroi se nuk mban shami në mjedise të mbyllura, por raporton gjithmonë me një të tillë nga rrugët e Kabulit.

Një avion me afganë

Evakuimi i vështirë i afganëve nuk duket i tillë në disa foto në rrjet. Në një prej tyre shfaqet bordi i mbushur me burra afganë i një avioni. Fotoja në fakt është e vitit 2018 dhe njerëzit në të janë emigrant afganë që riatdhesoheshin.

Dy foto të ngjashme qarkulluan në rrjet pasi nisi evakuimi i menaxhuar nga forcat amerikane. Njëra prej tyre është e vërtetë. Tjetra është shkrepur në 17 nëntor 2013, ndërsa filipinasit evakuoheshin nga zonat ku banonin, për shkak të një tajfuni të fuqishëm.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.