Ta ndash shoqërinë në mes

Postuar në 23 Gusht, 2021 16:26

Shoqëria nuk mund të presë dhe përmbi të gjitha nuk mund të mbetet peng i perceptimeve të tilla. Nesër padite, ne do të procedojmë me njoftimin e masave dhe rregullimeve që do të sigurojnë funksionimin e plotë të jetës publike, në hapësirat private dhe publike në të cilat do të vihen re grumbullime

Kështu është shprehur zëdhënësi i qeverisë greke Yiannis Oikonomou duke bërë të qartë kursin e Athinës zyrtare në menaxhimin e pandemisë: prioritet vaksinimi i popullsisë, deri edhe me koston mbi demokracinë dhe liritë. Deklarata i paraprin masave të tilla si ndalimi i hyrjes së të pavaksinuarve në bare dhe restorante si dhe në të gjitha nivelet e institucioneve arsimore. Kështu jemi duke dëshmuar kalimin e butë nga Demokracia drejt një lloj autarkie sanitare që justifikohet përherë mbi premisat e një gjendjeje të jashtëzakonshme, e cila edhe kjo nuk është e përkufizuar mirë.

Por këtu problemi mund të kuptohet më mirë nga interpretimi i konstatimeve empirike mbi vaksinat. Aktualisht, është thuajse zyrtare në çdo vend se të vaksinuarit janë transmetues të virusit, por vetë këta nuk kalojnë në sëmundje të rëndë. Vetë Delta si variant që ka disa javë që po testohet në klinikën e vet, nuk ka provokuar mbingarkim spitalor dhe ka kohë hospitalizimi më të ulët sesa variantet e hershme, nuk e justifikon këtë politikë.

Nëse do besojmë autoritetet shëndetësore si këto të Greqisë, asnjë i vaksinuar nuk kërcënohet nga një i pavaksinuar, ndërkohë që të dy janë bartës dhe transmetues. Është rast i paprecedentë dhe tregues i një fytyre të panjohur për demokracitë perëndimore ky lloj vendimi i prerë që një hap e ndan nga detyrimi për të vaksinuar fëmijët kur vaksina vetë nuk ka kaluar një vit. 

Janë marrëzi të një kohe të pazakonshme që po na ilustron se edhe në kohën e teknologjisë, administrata nuk del dot nga huqi i përjetshëm i shpikjes së rregullave dhe kufizimeve pa marrë në konsideratë evolucioin e situatës dhe koherencën logjike të akteve me atë që thotë vetë shkenca.

Vaksina nuk është e njëjtë me ndalimin e duhanit në mjedise të mbyllura, sepse shëndeti nuk është shaka, as produkt i përkujdesit shtetëror. Padyshim që nuk ka kuptim të refuzosh kategorikisht apriori masat, por detyrimi për vaksinim edhe për të hyrë në restorant është një hap larg nga instalimi i një qeverisjeje me neurozë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.