Demokracia dhe të drejtat si vlerë universale

Postuar në 23 Gusht, 2021 16:57
Sabino Cassese

 

Dështimi i misionit njëzetvjeçar amerikan në Afganistan konfirmoi opinionin e krijuar te shumë njerëz se demokracia nuk mund të transplantohet. Teza se demokracia nuk është një mall import-eksport është lashtë. E mbështesin ata për të cilët demokracia është produkt i çdo populli: çdo shoqëri ka të drejtën e saj dhe zgjedh sistemin e saj politik. Institucionet politike duhet ta kenë origjinën në vend, në mënyrë që të pranohen nga shoqëritë e tyre përkatëse. Parimi i vetëvendosjes së popujve nënkupton që ata mund të vendosin të mos zgjedhin sisteme demokratike, duke zgjedhur regjime politike të një lloji tjetër. Kjo mënyrë arsyetimi vazhdon kështu: çdo popull duhet të jetë i painteresuar për natyrën demokratike të sistemeve politike të popujve të tjerë.

Demokracia është një grup institucionesh të zhvilluara në botën perëndimore dhe nuk është e saktë ta konsiderosh atë më të mirë se regjimentet e tjera politike dhe të përpiqesh ta transferosh në vende që kanë tradita të ndryshme. Janë njerëzit ata që vendosin fatin e tyre dhe zgjedhin të ushtrojnë pushtetin, ose t'ia besojnë atë të tjerëve, duke u kënaqur me urdhra oligarkikë, ose autoritarë, ose diktatorë, ose totalitarë.

Kjo pikëpamje, të cilën unë do ta quaj version ekstremist të demokracisë, injoron një ndryshim të rëndësishëm që ndodhi në botë rreth fillimit të mijëvjeçarit të ri: njohjen universale të së drejtës së popujve për demokraci. Tashmë deklarata ndërkombëtare (më vonë universale) e të drejtave të njeriut e vitit 1948 dhe pakti ndërkombëtar për të drejtat civile dhe politike të vitit 1966, të dyja të miratuara brenda Kombeve të Bashkuara, i referoheshin një "shoqërie demokratike". Më pas, Deklarata e Mijëvjeçarit e Kombeve të Bashkuara, e 18 shtatorit 2000, përfshiu një angazhim për të promovuar demokracinë dhe forcuar aftësinë e të gjitha vendeve për të zbatuar parimet dhe praktikat e saj. Mbi këtë bazë, u krijua Fondi i Kombeve të Bashkuara për Demokracinë dhe institucioni paralel i Bashkimit Evropian. Këto, përmes financimit të shoqatave private, promovojnë demokracinë nga jashtë në shumë vende të botës.

Pasi të njihet e drejta e popujve për demokraci, lindin disa probleme: për cilën demokraci kanë të drejtë popujt? Dhe kush mund të jetë promovuesi i demokracisë? Së fundi, me çfarë mjetesh mund të veprojnë? Demokracia është një fabrikë komplekse, që përbëhet nga elementë të ndryshëm: liria (në veçanti, liria e shtypit dhe e shoqatave), barazia (në veçanti, barazia gjinore), të drejtat e pakicave, respektimi i ligjit, ndarja e pushteteve, kontrolli reciprok midis pushteteve, zgjedhjet periodike dhe të lira, decentralizimi i pushteteve. Këta dhe elementë të tjerë përzihen në mënyra të ndryshme dhe prodhojnë lloje të ndryshme demokracish. Prandaj është e natyrshme të shtrohet pyetja: çfarë lloj demokracie meritojnë popujt? Kësaj pyetjeje i dha përgjigje rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara e 24 tetorit 2005: demokracia është një "vlerë universale", por "nuk ka një model të vetëm demokracie". Shumëllojshmëria e llojeve të demokracisë favorizon transplantimin dhe vendosjen e tyre në kontekste të ndryshme politike dhe shoqërore.

Pyetja e dytë ka të bëjë me mbrojtësit universalë të demokracisë. Deri më tani, qarkullimi i institucioneve demokratike është promovuar nga shtete të tjera (për shembull, Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Irak) dhe nga sistemet mbikombëtare ose globale (si në rastin e Kombeve të Bashkuara në Bosnjë dhe Bashkimit Evropian në Hungari dhe në Poloni). Por dikush mund të pyesë nëse fuqitë publike mbikombëtare ose globale mund të luajnë rolin e mjetit për demokratizimin e fuqive publike kombëtare, ose të lehtësuesve të eksportit të demokracisë nga një rend kombëtar në tjetrin, duke mos qenë vetë plotësisht demokratikë (sepse ato rrjedhin nga legjitimimi indirekt nga shtetet kombëtare). Dhe dikush mund të pyesë se cili është ekuilibri i duhur midis unitetit ligjor të botës dhe diferencimit të pjesëve të tij, dhe ai midis parimeve të përbashkëta demokratike dhe respektit për traditat vendore.

Përgjigja për pyetjen e tretë është edhe më e vështirë: me çfarë mjetesh mund ta imponojnë ose rivendosin demokracinë organizatat mbikombëtare dhe globale, ose shtetet e veçanta në vendet e tjera? Me forcën e ushtrive, siç bënë forcat aleate në Japoni dhe Gjermani gjatë Luftës së Dytë Botërore (të mos harrojmë se Gjermania mbeti nën thembrën e forcave pushtuese deri në 1949, që vetëm nga viti 1955 kishin sovranitet të plotë, dhe se Berlini ishte nën okupim deri në 1990) ose forcat shumëkombëshe nën flamurin e OKB-së në Bosnjë në 1992-1995, ose duke financuar shoqatat private, siç ka bërë organizata e OKB-së që nga viti 2005?

Konkluzioni: universaliteti i të drejtave nuk është një mit dhe e tillë nuk është as e drejta e popujve për demokraci. Ekzistojnë mjete të ndryshme dhe promovues të ndryshëm për të zbatuar këtë të drejtë, sepse të dy shtetet dhe organizatat mbishtetërore kanë interes të respektojnë një "korpus" thelbësor të rregullave demokratike nga të gjithë: më shumë demokraci do të thotë një botë më paqësore, siç demonstroi trendi i rritjes së demokracisë dhe ulja e dhunës së organizuar në botë.

Shkrimi është botuar në Corriere della Sera 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.