BaBoLeaks dhe SPAK

Postuar në 30 Korrik, 2021 22:34

Korriku nuk mbeti pa lajme. Këto ditë të fundit të tij në mediat sociale ka shpërthyer një kapilar debati që ngjan të jetë zgjatim i një arterieje të vjetër që nuk pëson asnjëherë sklerozë. Një gazetar i mediave të Carlo Bollinos, shkruan në profilin e vet në Facebook, se Anila Basha, drejtuese e një portali dhe aksionere e shqiptarja.com ka marrë para publike. Sipas zotërisë, Basha paguhet 250 dollarë për një shkrim nga Albpetrol. Pastaj po sipas zotërisë Basha punon këshilltare për Gledian Llatjan në Elbasan, ka punuar për Qazim Sejdinin, të gjitha sipas tij qëndrojnë nën etiketën e rëndë: Vjedhje.

Kam kapur me fakte Ania Bashën duke vjedhur paratë publike, jashtë çdo kriteri, përmes kontratave klienteliste, të paligjshme, arbitrare dhe në shkelje të çdo etike gazetareske, në bashkëpunim me ish funksionarin publik Baftjar Zeqaj.

Kam informuar se Anila Basha, në konflik interesi pasi është pronare e një medie, paguhet si këshilltare e kryebashkiakut të Elbadanit pa shkuar në punë

shkruan z. Adriatik Doçi.

Çfarë turpi! Çfarë sikleti tek lexon këto radhë! Të duket Mira Kazhani e Ujësjellësit të Tiranës lule. 

Zonja Basha është kundërprgjigjur me një status apo dy në profilin e vet ku nuk i lë kusur Carlo Bollinos që e quan edhe leçjan, pastaj me z. Doçi dhe aty hap edhe disa letra për marifetet sipas saj të z. Bollino me kompani e deklarim pagash.

Gjen edhe se si e shkreta Lindita Dode më 15 qershor 2015, themeloi me demek “Multiscreen” sh.p.k - Report Tv-në dhe më 28 prill 2017, Carlo Bollino ia blen për 3.500.000 lekë (të reja) kuotat e kapitalit. Më 28 shkurt 2018, zmadhohen për 10- muaj si me magji kuotat dhe bëhen 27,256,938 lekë (të reja) nga 3.500.000 lekë që ishin.

Kush ta bëri ekspertizën e zmadhimit të kuotave të firmës Leçjan? Sanije Tafa, ekspertja kontabël e oligarkëve? Po paratë ku i gjete që zmadhove kapitalin, në Leçe apo Palermo?? Si dhe nga i fute? Apo je shqiptar kur blen një kompani dhe Italian kur e zmadhon atë? Kështu Mr. Furbo?

"FFM Group" shpk, ortaku im tek “Shqiptarja.com” ka aksionere shijaksen Alba Malltezi me 74.96% dhe kusurin Eva Doçi (mos u ngatërroni, s’ka asnjë lidhje me qenin e Xhekut, por me burrin e vet biznesmen).

Gazetari kur do, gjen edhe se si “FFM Group” është thjesht një kompani fiktive, guackë që nuk ka asnjë bilanc dhe asnjë punëtor në bordero për vite me radhë, vetëm një administratore mjerane si Lindita Dode që paguhet 300 mijë lekë të vjetra. Kjo FFM-ja është ortakja ime që do shkrijë kuotat e mija duke i zmadhuar ato, Mr. Furbo? Kështu e bëjnë në Leçe? Se në Romë e Milano s’ma do mendja!

Në Tiranë as që bëhet fjalë

shkruan znj. Basha.

Këtu lexohet një manovër financiare dhe firmash nga z. Bollino për të ulur peshën e aksionerit tjetër por me mbulim fiktiv. Në fakt është një akuzë pak a shumë e ngjashme me atë që iu bë z. Bollino nga PD-ja muaj më parë për kalimet që bënte te një kompani e drejtuar nga një person që nuk thotë asgjë për median: Igli Gjelishti.

Tani akuzat kanë shpërthyer në stilin tipik të grupit mediatik të Bollinos dhe për vlerësimin e tyre penal është e udhës të investohet SPAK. Që ka këtu rastin e një rrjedhjeje dhe nuk i duhet të lodhet dhe aq shumë. Në fund të fundit, vettingu, të paktën në media, është edhe një formë e bolorisë apo prej bolorisë, meqenëse ka shumë gjëra që dihen e nuk thuhen. Mjafton të pëlliten dhe bëhen lajm.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.