Një simbol ambiguiteti

Postuar në 07 Korrik, 2021 23:41
Skerdilajd Zaimi

 

Parlamenti i Shqipërisë ka celebruar sot me lule dhe fjalë të përmalluara largimin nga skena politike të Gramoz Ruçit. Një politikan ndër më të vjetrit e politikës, që diti të paktën të izolojë mëkatet e trashëgimisë së vet duke qëndruar formalisht jashtë ekzekutivit. Pozicioni i kryetarit të Parlamentit, iu dha z. Ruçi nga z. Rama si dhuratë e denjë pensionimi, çka edhe na kujton se klasa e tanishme politike është e vendosur ta mbrojë investimin e vet, edhe pse në vazhdimësi bën thirrje dhe premton reforma revolucionarizuese.

Ajo që të befason është përpjekja, politike dhe mediatike, për t’i gjetur një vend nderi Ruçit. Një vend merite për të cilin do të duhet të kujtohet.

Padyshim që Ruçi ishte një politikan i rëndësishëm i tranzicionit, madje edhe peshë në ekuilibrin politik, por ai përfaqësonte simbolikisht një farë të vjetër që ka disa përgjegjësi. Dhe nga nga kjo nuk e shpëton dot as inaktiviteti në vendimmarrjen formale, as edhe mbështetja e vazhdueshme për të renë që dëshmoi në karrierën e vet. As edhe mungesa e një akti të vetëm të radikalizmit verbal dhe politik, që në optikë strikt politike provon se Ruçi është një politikan i vërtetë. Që e di vendin e vet, që di të heshtë dhe të maturojë autoritetin.

Por kjo nuk e bën atë një figurë të celebrueshme, edhe pse në planin personal mund të ketë të gjitha virtytet e dikujt që vlen të nderohet apo të paktën respektohet. Kjo sepse Ruçi përfaqëson ambiguitetin e këtij tranzicioni, eminencën - mishëruar ironikisht te tipari i tij më i dallueshëm: mos-qeshja - dualitetin e tij moral, mes të shkuarës dhe të ardhmes, rreshtimin historiografik të një pjese të shoqërisë që rishikimin e një të shkuare problematike e sheh si kompromis me të vërtetën. Jo se Ruçi ishte partizan i kësaj, por ai lejoi që te figura e vet të shiheshin pikërisht garancitë se disa gjëra nuk do të prekeshin. Imazhi i tij i drejtohet një audience të vjetër, që e interpretonte atë si një narrativë të vetën, por që tanimë është e dalë boje dhe pa sens, një narrativë që e paketonte me staturën e njeriut të dy kohëve dhe të labit.

Është ai ambiguitet që e ka lënë shoqërinë shqiptare në një kryqëzim historik, që nuk po e lë të gjëjë ekuilibrin e brendshëm për të ecur përpara.

Politika ka përherë disa gjëra që nuk i thotë, ndaj edhe akte të caktuara të saj shpesh nuk lexohen mirë. Ky parim aplikohet edhe te figura e z. Ruçi, që nuk ka pse të kriminalizohet siç bën rrjeshëm PD-ja, por as edhe të venerohet siç bën PS-ja. Ceremonia për të le të bëhej te selia e partisë, jo në Parlament, pse në të vërtetë aty ishte edhe shpirti politik i zotërisë në fjalë që duhet ta themi: diti edhe të tërhiqej. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.