Si i ndezi Lufta e Parë Botërore lëvizjet për të drejtat e homoseksualëve

Postuar në 17 Maj, 2021 16:53
Laurie Marhoefer - The Conversation

 

Një nga trashëgimitë e Luftës së Parë Botërore që shpesh harrohet është se ajo ndezi lëvizjen moderne për të drejtat e homoseksualëve. Ushtarët homoseksualë që u mbijetuan betejave u kthyen në shtëpi të bindur që qeveritë e tyre u detyroheshin diçka - shtetësi të plotë. Sidomos në Gjermani, ku të drejtat e homoseksualëve kishin një bazë të dobët, ata formuan organizata të reja për të avokuar në publik për të drejtat e tyre.

Megjithëse lëvizja që e quante veten "emancipim homoseksual" nisi në shekullin XIX, hulumtimi im dhe i historianit Jason Crouthamel tregon se lufta e ktheu lëvizjen e shekullit XIX në të drejtat e  homoseksualëve siç i njohim sot.

Një vdekje në Rusi

Në dimrin e vitit 1915, një ushtar gjerman vdiq në një spital fushor në Rusi. Ushtari, emri i të cilit mungon në regjistrin historik, ishte goditur në pjesën e poshtme të trupit. Katër shokë të tij rrezikuan jetën për ta nxjerrë nga vendi i sulmit. Ai qëndroi shtrirë për javë të tëra, i mbërthyer nga dhimbja në këmbë dhe i etur. Por ajo që e shqetësoi më shumë ishte vetmia. Ai i dërgoi letra të dashurit sa herë që i jepej mundësia.

"Më pihet ujë i freskët, gjë që nuk e gjen këtu", shkroi ai në letrën e tij të fundit. “Nuk ka absolutisht asgjë për të lexuar; të lutem më dërgo gazeta. Por mbi të gjitha, më shkruaj shumë shpejt. ”

Ky ushtar, i cili duhej ta mbante të fshehur marrëdhënien e tij nga ata që kishte përreth, ishte vetëm një nga afërsisht dy milion gjermanë që u vranë në Luftën e Parë Botërore. Vuajtjet e tij nuk janë ndryshe nga sa përjetuan shumë të tjerë. Sidoqoftë, vuajtja e njerëzve të tij të dashur ishte tjetër dhe kishte pasoja të mëdha.

I dashuri i tij, i identifikuar në dokumentet e kohës vetëm si "S.", e tregoi historinë e tyre në një letër drejtuar Komitetit Humanitar Shkencor, i cili e botoi atë në prill 1916.

Komiteti Humanitar Shkencor ishte atëherë grupi kryesor i emancipimit homoseksual në botë dhe kishte një anëtarësi prej rreth 100 personash. Historia e ushtarit mori një kthesë mizore në fund të saj: letrat e S. humbën në kaosin e luftës dhe nuk arritën kurrë te ushtari.

"Ai vdiq pa pasur asnjë kontakt me mua", shkroi S.

Qytetarë që kërkojnë të drejtat

Pas luftës, shumë besuan se masakra ishte bërë kot. Por S. nxori një mësim nga vuajtjet dhe vdekja e partnerit të tij.

"Ai humbi jetën … për Atdheun", shkroi S. Në fakt, Atdheu kishte një ligj që ndalonte seksin midis burrave. Por ligji i sodomisë ishte vetëm maja e ajsbergut: S. dhe burra si ai në përgjithësi nuk mund t’i zbulonin marrëdhëniet e tyre të dashurisë në publik, apo edhe para anëtarëve të familjes. Homoseksualiteti nënkuptonte humbjen e vendit të punës, izolimin social, rrezikun e shantazheve dhe ndoshta ndjekjen penale.

S. e quajnte "të mjerueshëm" faktin që "qytetarëve të mirë", ushtarëve të gatshëm të vdisnin për vendin e tyre, u duhej të duronin statusin e të përjashtuarve. "Njerëzit që janë nga natyra të orientuar drejt të njëjtit seks ... thjesht bëjnë detyrën", shkroi ai. "Më në fund është koha që shteti t'i trajtojë ata ashtu si ata e trajtojnë shtetin."

Një fazë e re e të drejtave homoseksuale

Shumë veteranë ranë dakord me S. Kur mbaroi lufta, ata morën masa. Formuan grupe të reja, më të mëdha, përfshirë një të tillë që quhej Liga për të Drejtat e Njeriut që mblodhi 100 000 anëtarë.

Përveç kësaj, siç argumentoj në librin tim, retorika e të drejtave të homoseksualëve ndryshoi. Lëvizja e paraluftës ishte përqendruar në përdorimin e shkencës për të provuar se homoseksualiteti ishte i natyrshëm. Por njerëz si S., njerëz që kishin bërë sakrifica të jashtëzakonshme në emër të shtetësisë, tani këmbëngulën se qeveria e tyre kishte një detyrim ndaj tyre pavarësisht se çfarë thoshte biologjia për seksualitetin e tyre.

Ata e lanë shkencën pas. Ata shkuan drejtpërdrejt në një grup kërkesash që karakterizojnë të drejtat e homoseksualëve deri më sot - që homoseksualët janë qytetarë të ngritur dhe meritojnë t’u respektohen të drejtat. "Shteti duhet të njohë të drejtat e plota të shtetësisë së personave të kthyer ose homoseksualëve, shkruajti një aktivist në vitin që pasoi luftën. Ai kërkoi jo vetëm shfuqizimin e ligjit të sodomisë, por hapjen e vendeve të punës në administratë për homoseksualët e deklaruar - një ide radikale në atë kohë, dhe që do të mbetej larg realizimit për shumë dekada.

Qytetarë të respektuar

Idetë e qytetarisë bënë që aktivistët të theksojnë atë që historianët e quajnë "respektueshmëri". Respektueshmëria konsistonte në prestigjin e dikujt si një person i klasës së mesme që sillet në mënyrë korrekte, për dallim nga njerëzit gjoja të parespektueshëm siç janë prostitutat. Gjatë gjithë shekullit XX, grupet e të drejtave të homoseksualëve luftuan për të drejtën për të shërbyer në ushtri, një shenjë dalluese e respektit. Me disa përjashtime, ata u shmangen thirrjeve radikale për të riformuluar plotësisht rregullat e shoqërisë për seksin dhe gjininë. Ata përkundrazi e vunë theksin në llojin e njerëzve që konsideroheshin qytetarë të mirë.

Në vitin 1929, një anëtar i Ligës për të Drejtat e Njeriut tha para auditorit se, "ne nuk kërkojmë të drejta të barabarta, ne i duam domosdoshmërisht të drejtat e barabarta!". Si për ironi të fatit ishte dhuna e kobshme dhe bilanci i tmerrshëm i humbjes njerëzore të Luftës së Parë Botërore që frymëzoi për herë të parë thirrje të tilla pohuese, thirrje që karakterizuan lëvizjet për të drejtat e homoseksualëve në të gjithë botën në shekullin XX.

Do të duhej gati një shekull që këta aktivistë të arrinin një nga qëllimet e tyre qendrore - shfuqizimin e ligjeve të sodomisë. Gjermania gëzoi një periudhë 14-vjeçare demokracie pas Luftës së Parë Botërore, por nazistët erdhën në pushtet në 1933 dhe e përdorën ligjin e sodomisë për të vrarë mijëra burra. Një version i ligjit mbeti në fuqi deri në vitet 1990. Shtetet e Bashkuara i rrëzuan ligjet e saj të sodomisë vetëm në 2003.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.