Politikë që nuk mbrohet dot më, as me besim të verbër

Postuar në 02 Maj, 2021 02:49

Gazeta e Partisë Demokratike, “Rilindja Demokratike” përcillte dje një lajm me titullin: Degët e PD të Tiranës mbështesin fuqimisht kryetarin Basha! Në tekst ndër të tjera thuhet:

Partia Demokratike e Tiranës e gjitha në krah të Lulzim Bashës në betejën për të faktuar blerjen, vjedhjen dhe manipulimin e votave me 25 prill nga bandat e pushtetit.

Të gjitha degët e kryeqytetit kanë marrë vendimin të bashkohen në betejën e nisur tashmë nga Basha dhe lidershipi i PD për të çmomtuar qeverisjen e dalë nga vota e vjedhur, Rama-Doshi.

Degët shprehen se “mbështesin fuqimisht kryetarin Lulzim Basha, në të gjitha hapat që do ndërmarrë për të çuar deri në fund betejën që do bëjë të mundur që Shqipëria të fitojë! Që vota dhe verdikti i secilit të njihet e të vlerësohet.

Degët e PD shprehen se kanë vendosur “të mbështesin kryetarin Basha në çdo betejë, me çdo kusht, me qëllim shporrjen e mafias në pushtet dhe mafias së pushtetit, që ka në krye Edi Ramën dhe shpurën e tij”!

Ky është bifteku. Sallaturinat vazhdojnë më në qoshe të faqes me tituj si “degët e Kolonjës, Pogradecit...mbështesin Bashën”. Të duket se jemi në një skenë sureale xhirimi ku degë dhe klube dërgojnë telegrame që mbështesin shpalljen e Pavarësisë, sa për të thënë që ja “edhe ne kemi një firmë aty”.

Lajmi është paketuar keq. Degët e Tiranës e mbështesin fuqimisht Bashën, një theksim ky gati luftarak për një kauzë që siç po shihet është fortifikuar thjesht dhe vetëm në tezat zyrtare të PD-së për zgjedhjet. Ai është një mesazh i radhës kundër atyre që po kërkojnë largimin e kryetarit të PD-së që tashmë po ndërron kostumin: po përgatitet të marë misionin e faktimit të manipulimit zgjedhor.

Mirëpo kjo politikë vuan nga një kontradiktë e thellë: cilit kryetar partie i duhen degë si këto që e kuptuan se zgjedhjet u manipuluan pasi vetë kryetari doli e tha në humbje: na vodhën? Vetë PD-ja po na thotë se po përgatit dosjen, ndërkohë që degë efektive të një partie efektive do të duhet të kishin raportuar me kohë çfarë po ndodhte. Janë hedhur miliona euro, për qindra familje. Asnjë zë nuk doli nga PD-ja më herët. Rasti i parë kur zbatimi i një skeme industriale të blerjes së votës kalon pa pipëtirë miza e pa dalë asnjë zë. Për krahasim; z. Basha pati sinjalizimin e Toyota Yaris, informacion shumë specifik dhe konfidencial për 4 milonë euro. Por ai nuk pati asnjë të dhënë për dhjetëra miliona euro. Pak e vështirë të besohet, por çdo gjë ndodh.

Aq më e vështirë bëhet kjo gjë kur ne dimë se PD-ja dhe z. Basha, që nga viti 2017 e më pas kanë mbajtur qëndrim publik se Edi Rama dhe shumica socialiste ka manipuluar zgjedhjet e katër viteve më parë dhe e tha këtë edhe kur Ministrinë e Brendshme e kishte opozita. Si mundet atëherë që një subjekt i tillë ra në gjumin e besimit të verbër për të kuptuar pas pilafit atë që ndodhi?

Sigurisht që nuk mund të mbrohet as vjedhja e votës nëse ka ndodhur, as manipulimi që duhet sqaruar se çfarë është konkretisht dhe as blerja. Por siç kemi parë gjithë këto vjet, PD-ja ja del me një talent të rrallë që çdo kauzë publike jo ta çojë përpara dhe aktualizojë si temë të diskutimit dhe interesit të përgjithshëm, por ta bëjë pis e ta mbysë, ta izolojë me qëndrimet e veta spontane, formale dhe që janë alibia e dështimeve të veta përpara sesa të jenë politikë pozitive. Parimisht i duhet uruar sukses opozitës në këtë mision që i mvesh vetes, por për arritjen e tij është e qartë se nuk mjafton mbështetja e degëve për kryetarin. Qoftë kjo edhe e fuqishme.

Ajo dosja për të cilën flet PD-ja, e në emër të së cilës përfaqësuesi i saj, Ivi Kaso ka deklaruar se do të kërkojë pavlefshmëri mandatesh, nuk duket se po konsideron edhe portalin e denoncimit të krimit zgjedhor me adresën www.president.al ku mund të raportoheshin këto të fundit. Nga ky portal nuk ka ende një raport zyrtar se sa krime janë denoncuar, sa ankesa dhe sa materiale kompromentuese.

Për një president që ushtroi de facto detyra partiake nga zyra e kreut të Shtetit, është e pafalshme që asnjë prej strukturave të LSI-së të mos ketë denoncuar krimin zgjedhor që kaq shumë po përflitet, sikundër është e pafalshme kjo shurdhmemecëria parazgjedhore e degëve të PD-së. Por gjithçka mund të ketë ndodhur, puna është se po bëhen të pabesueshëm. Aq sa jo vetëm është thuajse e pamundur të sintonizohesh me subjekte të tilla për interesin publik, por ata nuk i mbron dot më askush në publik pa u kompromentuar.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.